Aktualitet
Ish-komandoja i arrestuar në Turqi, grabitja e unazave prej ari në 2011
Emri i Kujtim Çelikut, ish-komandos së arrestuar në Turqi, pasi u kap me një sasi të madhe droge, nuk është i panjohur për policinë shqiptare. Më 17 shtator të 2011-ës, Çeliku, asokohe oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando” u arrestua me akuzën e grabitjes. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej prej disa muajsh me akuzën e grabitjes ndaj një biznesmeni në Durrës.
Kujtim Çeliku, nga fshati Mullet i Tiranës, akuzohej për ngjarjen e ndodhur në maj 2011, respektivisht për vjedhjen e një çante me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje. Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak, që do të niste pas dy javësh. Emri i tij figuronte në listën me 58 komando paqeruajtës, të cilët janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës.
Kujtim Çeliku, kishte marrë pjesë në 5 misione të tilla si pjesë e forcave Komando. Nga të dhënat rezultonte që ai të ketë qenë me shërbime të tilla, tri herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan