Connect with us

Bota

Britani-Francë-Itali, shtrëngohen Rrathët e Ferrit për emigrantët

Është përshëndetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si një hap i rëndësishëm për të frenuar emigracionin e paligjshëm, por shumë kanë frikë se marrëveshja e re për të përmirësuar bashkëpunimin e sigurisë midis Francës dhe Britanisë do bëjë pak për të dekurajuar kalimin e njerëzve të dëshpëruar nëpër Kanalin e La Manshit. Parisi ka rënë dakord të forcojë patrullimet përgjatë bregdetit me 40% në këmbim të mbi 72 milionë eurove nga Londra, 10 milionë më shumë se marrëveshja ekzistuese.

Ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman foli për një “fitore të vërtetë si për Francën ashtu edhe për Mbretërinë e Bashkuar”, teksa theksoi se “do të ketë zyrtarë britanikë që do të punojnë në tokën franceze duke monitoruar punën ose duke bashkëpunuar në terren me francezët për të kapur emigrantët e paligjshëm ndërsa ata përpiqen të largohen nga Franca”.

Sipas OJQ-ve, forcimi i sigurisë në këtë mënyrë nuk është zgjidhje; përkundrazi, Mbretëria e Bashkuar duhet t’i kushtojë më shumë burime përmirësimit të sistemit të saj të trajtimit të emigrantëve.

Vitet e fundit ka pasur një rritje të mprehtë të numrit të njerëzve që paguajnë trafikantët për të kaluar La Manshin. Mbretëria e Bashkuar pranon më pak azilkërkues sesa Franca, Gjermania dhe Italia, por qeveria konservatore e ka bërë këtë një prioritet kryesor politik.

Nga ana tjetër, Franca i ka kërkuar Brukselit të ndërhyjë në mosmarrëveshjen e vazhdueshme që ajo ka me Italinë mbi politikën e emigracionit. Radhë të gjata janë krijuar në kufirin franko-italian pas vendimit të Parisit për të forcuar kontrollet kufitare, si hakmarrje për refuzimin e Italisë për të lejuar ankorimin e një anijeje shpëtimi emigrantësh.

Qeveria e re e kryesministres Giorgia Melonit e ka bërë të qartë se Italia nuk do të jetë më porti kryesor i hyrjes për emigrantët që nisen nga Libia dhe zonat fqinje.

 

 

Advertisement