Connect with us

Kronike

A do i laj dot borxhet qeveria?

Për gati një dekadë me norma të ulëta interesi, tani qeveria është vënë përballë një situate të re për kostot e larta të financimit të borxhit.

Në dekadën e fundit, normat e ulëta të interesit kishin krijuar një mjedis komod për qeverinë si dhe për qytetarët, të cilët patën mundësi të paguajnë interesa të ulëta për borxhet.

Por qetësia u prish nga inflacioni i lartë i shfaqur pas pandemisë COVID-19, i cili u forcua më tej pas luftës në Ukrainë.

Rritja e çmimeve kudo në botë e çoi politikën monetare në një kurs të ri me rritje të shpejtë të normave të interesit, për të frenuar rritjen e çmimeve.

Në Shqipëri, inflacioni mesatar gjatë 8-mujorit ishte 6.2%, kundrejt një objektivi 3% që synon Banka Qendrore.

Për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, Banka e Shqipërisë rriti pesë herë normën bazë të interesit brenda 6 muajve, duke e çuar së fundmi, në 2.75%, niveli më i lartë në 8 vjet.

Shpenzimet për shërbimin e borxhit vitin që vjen do të jenë sa 20% e të ardhurave tatimore dhe do të arrijnë në 6.2% nga 3.9% që priten këtë vit.

Një e pesta e të ardhurave buxhetore në vitin 2023 shkon për të shlyer principalin dhe interesat e borxhit, por nëse ka ngjarje të papritura, këto kosto do të rriten më tej.

Për të përballuar rritjen e tyre, qeveria do të duhet të rrisë borxhin e ri, për të shlyer të vjetrin, ose do të duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale dhe të tjerat që të shlyejë shpenzimet të cilat po vijnë nga interesat në rritje.

Advertisement