Kulture
Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ekspozitën në COD.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin të saj, vjen në
një ekspozitë me një korpus libror të pasur për promovimin e thesareve të saj, shpesh herë të
pazbuluara për publikun e gjerë.
Inkunabulat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, do të prezantohen me disa njësi, ku
mund të veçohen libri më i vjetër, “Letra mbi Kuvendin e Mantovës” e Papa Piut II, bashkëkohës
i Skënderbeut, botuar në 1473 dhe libri i Bartolomeo Platinës, humanist me ndikim të madh në
Rilindjen Italiane, botim i vitit 1485.
Dokumentet e para të botimeve në gjuhën shqipe, gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe të
botuara jashtë Shqipërisë, si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj.
Libra antikuarë kushtuar Skënderbeut, vepra të humanistëve shqiptarë e të huaj, ku mund
të veçohet Barleti me ndikim aq të fuqishëm në tërë literaturën e huaj, posaçërisht të shek. XVXIX, Beçikemi, Dhimitër Frëngu etj., të cilët subjektin e marrin nga luftërat shqiptaro-osmane të
shek. XV.
Libra antikuarë të besimit katolik nga autorë, si: Baldasari, Baroti, Lombardi etj.
Libra të besimit ortodoks, si Shën Joan Gojëartit, Ungjijtë dhe Akuluthitë të botuara në
Voskopojë.
Veprat e autorëve greko-latinë, që japin njoftimet e para për fiset ilire me karakter historik
e gjeografik, si veprat e Aristotelit, Euklidit, Ermogjenit, Homerit etj
Veprat e autorëve e të kronikanëve byzantine, si Ana Komnena, Sfranca, Justiniani etj., të
cilat sjellin njoftime për Arbërinë e shek. VII-XV.
Hartat e përpiluara nga hartografët më në zë të kohës si: Koronelli, Barbie du Bokazh,
Merkator, Rozaçio, Kluveri, Kâtip Çelebi etj. me rëndësi për historinë e hartografimit të trojeve
shqiptare.
Dorëshkrime shqipe dhe në gjuhë të huaj, që trajtojnë çështje me rëndësi historike,
gjuhësore, etnografike etj. Mund të veçojmë tragjedinë e Arkanxhelos mbi Skënderbeun apo
kodikun e Kostandin Beratit, ditaret unikale të albanologut dhe paleontologut Franc Nopça etj.
Dorëshkrime orientale, me përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare të
dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet, një dukuri e veçantë që lindi në
Shqipëri në shek.XVIII, ku u zhvillua si rrymë letrare e njohur si rryma e bejtexhijve.
Pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë edhe veprat e shkruar në shqip të autorëve të
Rilindjes Shqiptare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada, Dora D’Istria dhe Dhimitër
Kamarda