Connect with us

Aktualitet

Rikthehet gripi i syve, rrezikohen fëmijët

Përpos gripit sezonal, ekspertët tregojnë se është rikthyer edhe gripi i syve, ose Konjuktivi Adenoviral. Mjekja okuliste Nora Burda thotë për Gazetasi.al se ky grip shkaktohet nga adenoviruset që janë në qarkullim dhe ka rreth dy muaj që paraqiten rastet e para me këtë lloj inflamacioni të sipërfaqes okulare.

“Në krahasim me vitet e kaluara situata paraqitet më e qetë por gjithsesi nuk duhet ulur vëmendja dhe sensiblizimi i popullatës”,- thotë Burda.

Shenjat klinike të këtij inflamacioni janë: skuqje e syve, sekrecione ujore të trashura zakonisht pa ngjyrë por ka raste që paraqiten me ngjyrë të verdhë kur ka të mbivendosur ngarkesë bakteriale, ndjesi bezdie pickimi, djegie në sy, diskomfort okular, kruajtje, gjëndër preaurikulare e dhimbshme kur preket me dorë nga ana e syrit që ka më tepër inflamacion.

Burda sqaron se inflamacioni nuk prek njësoj të dy sytë, njeri ka simptoma më të qarta se tjetri. Gjithashtu, ky lloj inflamacioni i sipërfaqes okulare prek të gjitha grupmoshat pa përjashtim për shkak të kontagiozitetit (ngjitshmërisë) së lartë që ka.

“Fëmijët e vegjël zakonisht paraqiten njëkohësisht edhe me inflamacione të rrugëve të sipërme respiratore, bakteriale ose virale. Inflamacioni i syve përhapet gjerësisht në çerdhe e kopshte për shkak të mungesës së higjienës personale tek fëmijët, që është e pamundur të realizohet pa kujdesin prindëror”, thotë Burda.

“Ndërsa tek të rriturit fenomeni i gripit të syrit paraqitet i izoluar”, ndoshta pikërisht për shkak të arsyeve të lartpërmendura.

Konjuktiviti adenoviral ka një periudhë inkubacioni dhe shërimi 2 javë por kjo varion nga rasti në rast.

Burda thotë se duhet të ruhet një higjienë personale e madhe tek personat që kanë këtë lloj inflamacioni okular, të lajnë duart shpesh, të eliminojnë kontaktin me duar me personat që takojnë, të eliminojnë prekjen e syve me duar, të përdorin përveç trajtimit me pika në sy, dhe letra të lagura specifike që blihen në farmaci për të pastruar sekrecionet dhe të lajnë duart para dhe pas pastrimit të syve.

“Është e rëndësishme që ky lloj inflamacioni të trajtohet në kohë e rigozorisht për shkak të komplikacioneve që paraqet për pamjen, pasi mund të preket kornea (xhami i syrit), që jep pamje të turbullt dhe probleme klinike akoma më të rënduara”, përfundon Burda.

Advertisement