Connect with us

Politike

Meta: Rama ka vendosur hajdutë në çdo institucion

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur ditën e sotme gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ndërsa ka thënë se vendi është në nevojë urgjente për marrjen e masave për daljen nga lista gri e pastrimit të parave.

Meta shtoi se tanimë IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të kryeministrit Rama, ndërsa tha më tej se ai ka instaluar kulturën e hajdutërisë në dogana dhe institucione të tjera pasi sipas tij korrupsioni është provuar me zë e figurë nga investigimet.

“Është nevojë urgjente marrja e masave për daljen nga lista gri për pastrimin e parave ku kullat në Tiranë janë kthyer në lavatriçen kryesore të pastrimit të parave të pista. Banditët e rilindjes nuk prisnin dot as të linin banorët te pallati te Myslym Keta dhe nuk pritën të merrnin një vendim gjykate. Horrave të bashkisë nuk u priste ora dhe e dinë që IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të Ramës dhe rilindjes ndaj të pambrojturve dhe të tjerëve.

E kanë parë të gjithë se si Rama ka instaluar kulturën e hajdutërisë së pacipë në dogana e çdo institucion. Realiteti tregon qartë që kemi një drejtësi me regji ndërsa grabiten miliarda dhe pastrohen para sheshit në aferën e portit të Durrësit ndërsa inceneratorët gllabërojnë dhjetëra milionë euro. Sot nisën dhe punimet e teatrit në mënyrë të jashtëligjshme, po paguhen qindra miliona euro për arbitrazhet e humbura sepse Rama ka prishur kontratat.

 

 

Korrupsioni i provuar me zë e figurë në dogana ku bëhet batërdia vazhdon i pa shqetësuar nga drejtësia, korrupsioni me energjinë vazhdon në kulmin e krizës, korrupsioni i provuar në ujësjellësa vazhdon dhe uji nuk vjen. Korrupsioni me gjoja investime strategjike është kudo sheshit ku oligarkët dhe Edi Rama vjedhin me qindra miliona euro, ndërsa justifikim për rritjen e çmimeve është lufta në Ukrainë, ku çmimi i naftës është më i lirë se këtu. Shqipëria është me e dështuar nga vendet e Evropës, kjo qeveria ka një administratë të paaftë, qeveria nuk i do projektet e BE-së sepse ato kanë rregulla dhe procedura transparente. Ato kanë edhe monitorim, kjo është arsyeja që refuzohen shumë fonde e projekte nga BE në mënyrë që rilindja me borxhet që merr të bëjë autostrada me kilometër 20 milionë euro”, tha ai.

Advertisement