Connect with us

Shkrime

Albin Kurti: Amerikani Escobar nuk më kupton

Nga Blerta Ahmeti

“Gabriel Escobar nuk e kupton Serbinë dhe i bën lëshime. Kam dallime me të, në çështje si Ballkani i Hapur. Escobar e përkrahë Ballkanin e Hapur, unë jo. Ballkani i Hapur shikon nga Rusia dhe u formua në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi në Kosovë. Nuk e kuptoj pse KFOR-i nuk po i heq barrikadat. Nëse KFOR-i nuk dëshmohet në rolin e vet, do të dëshmohemi ne dhe do t’i heqim barrikada në Veri”.

Këto janë vetëm disa nga deklarimet ekskluzive që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë në një intervistë për median boshnjake Istraga.

Me një gjuhë tejet të drejtpërdrejtë dhe aspak diplomatike në intervistë thotë se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e kupton Serbinë dhe lojën që po bën ajo, derisa ka kritika në përgjithësi me qasjen e Perëndimit në raport me Serbinë.

Sa i përket posaçërisht Gabriel Escobar-it, Kurti pohoi se ka edhe mospajtime të tjera me të, siç është çështja e Open Balkan.

“Jam dakord me shumë nga ato që thotë zoti Escobar, por ka edhe disa gjëra ku nuk pajtohemi. Për shembull, ne kemi konstatuar se kemi mendime të ndryshme në lidhje me projektet e Open Balkans. Dhe nga ana tjetër, mendoj se ai (Escobari) dëshiron të mirën për Serbinë. Ai i uron mirë edhe Kosovës. Ai i uron mbarë rajonit tonë, por zoti Escobar mendon se diplomacia, me sjellje jashtëzakonisht të mira ndaj Beogradit, do t’i kthehet atij. Por, ne që jetojmë këtu e dimë që nuk është kështu. Sepse Beogradi, duke mos qenë demokratik, vetëm sa përforcon pikëpamjen se bujarinë e kuptojnë si frikë ndaj tyre”, tha Kurti.

Në pyetjen e radhës, gazetari i thotë Kurtit se a mos i duket atij se Escobar po i bën lëshime Serbisë.

“Mendoj se sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime”, tha Kurti.

“Por nga ana tjetër Beogradi nuk i kupton këto lëshime. Ata nuk mendojnë se janë virtyt i Escobar këto lëshime. Ata nuk mund të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës. Ata mendojnë, se kanë frikë nga ta. Kështu thonë ‘le të kërkojmë edhe më shumë’. Mendoj se edhe zoti Escobar, nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”.

Gazetari i mediumit boshnjak nuk ndalet me kaq. I thotë Kurtit se “që kur Escobar erdhi në pozitën e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi janë bërë të paqëndrueshme”.

Prandaj, e pyet, “a është kjo pasojë e lëshimeve ndaj Beogradit?”.

“Mendoj se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës në të cilën kemi neutralitetin e rremë të Beogradit ndaj Federatës Ruse. Dhe nuk mund të jesh neutral midis zjarrfikësit dhe zjarrit. Çfarë neutraliteti është ai. Por Beogradi pretendon të jetë neutral në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. Ky neutralitet është i rremë. Por nga ana tjetër, ju keni neutralitetin e Perëndimit demokratik ndaj këtij neutraliteti të rremë. Neutraliteti i Perëndimit ndaj neutralitetit të Serbisë është neutralitet i vërtetë”, pohon Kurti derisa luan me fjalën neutralitet.

“Ndërsa neutraliteti i Serbisë ndaj Federatës Ruse është neutralitet i rremë. Mendoj se nga kjo premisë kemi këto pasoja të sjelljes së Beogradit. Mendoj se shumë shpejt zoti Escobar do ta kuptojë se t’i japësh diçka Serbisë nuk e bën atë më të mirë. Në të kundërtën. Mendoj se kjo lidhet me faktin se Beogradi nuk është distancuar nga e kaluara e tij kriminale dhe nga regjimi i Millosheviçit. Nga ana tjetër, nuk u distancua nga e kaluara kriminale e Kremlinit dhe presidentit Putin. Mendoj se ky mos distancim i dyfishtë i Beogradit është problem, sepse Serbia nuk mund të bëhet kurrë demokratike dhe të jetë në paqe me fqinjët e saj”.

Sa për qëllimet e Serbisë, Kurti deklaron se ato janë të qarta dhe se po dëshirojnë sërish të kthehen në atë që njihet si shkëmbimi i territoreve.

“Mendoj se në të njëjtën kohë presin, jo vetëm rezultatin e luftës në Ukrainë, por edhe ndryshimin e administratës në Uashington. Ata do të donin t’i rikthenin disa nga projektet që kishin para se të bëhesha kryeministër, që është shkëmbimi i territoreve. Ishte koha e Grenelit ku Beogradi donte të përdorte rrethana në të cilat nuk kishte vëmendje të mjaftueshme për historinë dhe vullnetin e popullit, por kush është më i fortë merr më shumë. Dhe unë mendoj se në këtë kuptim ata tani duan të rrisin edhe më shumë këtë tension që ekziston sot në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që Uashingtoni dhe Brukseli t’i dëgjojnë”.

Kurti në pjesën më të madhe të intervistës ka folur për situatën në Veri. Kryeministri i Kosovës tha se barrikadat atje janë nën direktivat e Vucic-it, derisa deklaroi se nuk e kupton KFOR-in përse po ngurron t’i largojë barrikadat.

“Këto barrikada ishin pjesa e dytë e episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”.

Kurti pohoi se “nuk dua t’i zëvendësoj serbët që ishin në sistemin e institucioneve tona me shqiptarë. Por gjithashtu mendoj se gjithnjë e më shumë serb, madje edhe ata që nuk kanë qenë në punë më parë, duhet të aplikojnë për t’u punësuar në sistemin tonë, që është sistemi i Republikës së Kosovës, shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve dhe çdo komuniteti, përfshirë këtu. komunitetit serb”.

“Ky ishte episodi i parë që u larguan nga institucionet. Është shumë e qartë për mua pse e bënë këtë. Sepse Beogradi e refuzoi propozimin e Gjermanisë dhe Francës, propozimin e BE-së. Për të paketuar refuzimin e atij propozimi, u larguan nga institucionet dhe më pas e shfajësuan”.

Për shtyrjen e zgjedhjeve në Veri, Kurti tha se u vendos ashtu, sepse “nëse do të bënim zgjedhje tani, ndoshta do të kishte incidente”.

“Por problemi më i madh do të ishte që njerëzit të mos dilnin në zgjedhje, sepse serbët kishin shumë frikë nga strukturat ilegale në Beograd, të cilat tani me këto barrikada janë bërë banda kriminale”.

“Nga ana tjetër, nuk kanë më justifikim për tabelat KM-së, sepse ne thamë se nuk do të ndëshkojmë askënd, por le t’i japim një shans bisedimeve, negociatave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Dhe tani që nuk kanë asnjë justifikim, po bëhen edhe më agresivë. Mendoj se agresiviteti i tyre është në fakt dobësia e tyre. Ata u përpoqën me disa demonstrata, por u duhet shumë mund dhe shumë para, shumë transport me autobusë për të mbajtur një tubim. Historikisht, ne shqiptarët kemi një traditë të thellë të organizimit të demonstratave. Gjatë shekullit të njëzetë, Serbia ka shumë më tepër traditë për luftë sesa për demonstrata”, deklaroi Kurti.

Por, traditë kanë edhe për barrikada, për të cilat Kurti ka pasur një përgjigje të gjatë.

“Kanë edhe për barrikada traditë, por kanë për barrikada që tani janë në sanduiç. Nga njëra anë, ka barrikada që janë shprehje e pamundësisë për të krijuar një lëvizje civile. Nga ana tjetër, ata janë gjithashtu të pafuqishëm në kuptimin që nuk dinë asgjë tjetër. Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci”.

“Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Por nëse e përsëritni veten, atëherë po e vendosni veten për dështim. Unë mendoj se ata do të dështojnë. Këto barrikada nuk janë barrikadat e protestave studentore të 68-ës në Paris. Këto janë barrikadat e njerëzve që, në bazë të uniformave të tyre të errëta, të qenurit tullacë dhe me mjekër, imitojnë Drazha Mihailovicin”.

“Ata kanë armë dhe vendosin barrikada jo për të penguar kalimin e automjeteve, por për t’u mbrojtur kundër atij njeriu të uniformuar dhe të armatosur që do të qëllonte mbi automjetet që do t’i afroheshin. Pra, këto janë barrikada luftarake. Dhe mendoj se shumë është e lidhur me serbët që vijnë nga Serbia. E në fotot në rrjetet sociale shihet se si mburren dhe adhurojnë si Kremlinin ashtu edhe Ëagnerin”.

Kurti ka përsëritur se barrikadat, përkundër se Vuçiç mundohet ta mohojë, janë prodhim i financuar në Beograd.

{Edhe direktivat politike edhe financat u vijnë nga Serbia. E dini, është njësoj si kur thoshin se Serbia nuk luftoi në Slloveni, nuk luftoi në Kroaci, nuk luftoi në Bosnje-Hercegovinë. Vetëm në Kosovë nuk mund të thoshin se nuk luftuan. Natyrisht, ishte ushtria serbe gjatë gjithë kohës dhe jam i bindur se ky lloj narrative nuk do të zgjasë{.

Duke dhënë këtë përgjigje, Kurti është prehur i habitur me KFOR-in, që po vonon t’i largojë barrikadat.

“Ne i japim edhe pak kohë KFOR-it. Kështu na kërkuan. Ne kemi forcën. Ne kemi fuqinë për të hequr ato njëmbëdhjetë barrikada që u vendosën dy javë më parë. Por KFOR-i insiston që t’u japim edhe pak kohë”.

“Kemi kërkuar nga KFOR-i para Krishtlindjeve. Dhe na vjen shumë keq që KFOR-i po e vonon këtë. Nuk e di pse po ngec dhe pse po e bën. As vetë nuk e di se çfarë bisedash kanë bërë atje. Por e di që kjo nuk mund të zgjasë shumë. Së shpejti do të kemi një takim me KFOR-in për të sqaruar gjithçka. Dhe nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat ose, për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë vetë”.

“Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por në radhë të parë është kundër lirisë së lëvizjes. Për 23 vitet e fundit, KFOR-i është mburrur se qëndron për paqen, për sigurinë dhe fillimisht për lirinë e lëvizjes. Epo, tani ai duhet të provojë veten në veprim. Mendoj se ka ardhur koha që ata të dëshmojnë veten. Nëse ata nuk do ta provojnë veten, atëherë, për fat të keq, ne do ta provojmë”.

Por, a mund të hiqen nga Policia e Kosovës dhe pa incidente?

“Nga ana jonë është e mundur” përgjigjet Kurti, “por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë”.

“Nuk e dini se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi. Dhe ndërsa njerëzit ndryshojnë atje, është e qartë se ajo që është autonome dhe autentike nuk vjen nga vetë qytetarët. Këto janë formacione paraushtarake që kanë strukturën dhe urdhrat e tyre. Epo, tani do të thotë nëse do të ketë incidente apo jo, varet nga urdhrat e Beogradit. Kjo vjen nga qeveria serbe dhe presidenti serb. Vjen nga këta katër – Vuçiç, Brnabiç, Vulin dhe Daçiç. Kjo është katërshja nga Beogradi që janë autoriteti kryesor dhe komandues për atë që po ndodh pas barrikadave”.

I pyetur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti pohoi se “nuk është e mundur të ndërtohet një shoqëri demokratike nëse dikush është ekskluzivisht i privilegjuar gjatë gjithë kohës”.

“Sepse privilegj për dikë do të thotë diskriminim për dikë tjetër. Epo, në këtë kuptim, ajo që kërkon Beogradi është kundër barazisë. Dhe ata do të donin ta kishin këtë bashkësi komunash si armë kundër pavarësisë së Kosovës, e jo si diçka nga e cila përfitojnë serbët në Kosovë”.

“E kam thënë disa herë në Bruksel se kam përshtypjen se Serbia nuk dëshiron bashkim komunash. Sepse po të donte vërtet një bashkësi komunash, nuk do të thoshte çdo javë – nuk do ta njohim kurrë Kosovën. Të kërkosh një bashkësi komunash pa e njohur Republikën e Kosovës është sikur të kërkosh diçka me përmbajtje, por pa formë. E pamundur. Nuk mund të kesh byrek pa tigan. Beogradi po përpiqet vazhdimisht të shpikë një makinë kohe. Nuk ka makineri kohe. Ai tren është larguar. Nuk mund të kthehemi as në ’99. as në vitin 2007. Këtë këmbëngulje për ngjarjet politike përmes makinës së kohës, po e mbajnë peng Serbinë, por edhe gjithë rajonin tonë”, deklaroi Kurti.

Shkrime

Lindi një yll i botës së lire, Aleksandër Vuçiç 

Nga Nenad Milosavljeviç 

Ndeshja u mbyll me rezultat 4:1 për kundërshtarin, por ne fituam. Çfarëdo që fituam, i thyem! Kështu mund të përmblidhej aventura në Nju Jork e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, si dhe gjithçka që pasoi.

Ndoshta pas këtyre përfundimeve njerëzit janë pak konfuz, por matematika e avancuar nuk është e lehtë, është pak më ndryshe nga kjo e zakonshme, gjithsesi zyrtarët dhe tabloidët tashmë na e kanë shpjeguar.

Për rezolutën e Srebrenicës e miratuar në OKB, votuan 84 vende, kundër 19, abstenuan 68. Por sipas Vuçiçit, nëse shtojmë abstenimet dhe ato kundër, rezultati ndel ndryshe, prandaj mbylleni gojën. Nuk ka rëndësi që koncepti i abstenimit do të thotë që dikush nuk do të bëjë deklaratë për diçka dhe se shanset janë pesëdhjetë e pesëdhjetë pro ose kundër. Gjithsesi e sigurt është që nuk janë kundër rezolutës. Çështja është mjaft e qartë dhe e pastër si një pikë loti. Por në Serbi nuk e mendojnë kështu. Kushdo që nuk është për presidentin Vuçiç është automatikisht kundër tij dhe në përputhje me rrethanat do të marrë atë që meriton. Dhe kështu funksionon për 12 vjet. Dhe është krejtësisht normale.

Dhe pasi e shkatërruan kundërshtarin në OKB në mënyrë epike, si çdo sukses sportiv, edhe ky duhej të festohej ashtu siç duhej. Qeveria serbe e interpretoi votën në OKB në stilin e saj: nëse dikush nuk është pro, atëherë është kundër. E teksa Serbia fitoi ndërsa humbi me 84:19, qytetarët në mënyrë krejt spontane dolën në rrugë me makinat e tyre të zbukuruara me flamuj. Festës iu bashkua edhe Kulla e Beogradit mbi Ujë, e cila gjithashtu ishte e veshur me ngjyra kombëtare dhe në ekranin e saj gjigant u shfaqën emrat e vendeve që nuk votuan për rezolutën.

Duke thurrur ditirambe për Vuçiçin, pati edhe disa deklarata interesante, le të themi se pikërisht tani ka filluar formimi i një bote të re, liridashëse, flamurtarët e së cilës ndoshta jemi ne, domethën presidenti serb. Dhe kur ajo botë e re liritare të formohet realisht zyrtarisht, ai do të jetë edhe presidenti i botës. Tingëllon kaq mirë e bukur. Tani, nëse i besoni presidentit Vuçiç, dhe në fakt ska pse mos ta besoni, pasi është president për hir të Zotit, logjikisht do duhet të bëni disa pyetje.

Le të themi, nëse fituam, siç tha Vuçiç, dhe OKB-ja miratoi një rezolutë që, përsëri siç thotë presidenti, e shpall popullin serb gjenocid, si duhet të sillemi ne si popull tani? A duhet ta festojë populli gjithë këtë dhe si është më e përshtatshme të festohet një gjë e tillë?

Lind edhe pyetja, çfarë do të kishte ndodhur nëse presidenti nuk do të kishte fituar atje? Më mirë as të mos e mendojmë këtë gjë. Le të qëndrojmë në versionin zyrtar të kësaj historie dhe të valëvisim flamujt. Ti tundim me sa fuqi të kemi. Serbia humbi në Amerikë, por fitoi Aleksandër Vuçiç. Kjo është matematika moderne e Beogradit…

 

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Disa gjëra që duhet të dini për Palestinën, para se të sulmoni Izraelin “kriminel”

Nga Endri Tafani

Janë mbi 2 milionë arabe që jetojnë në shtetin e Izraelit si shtetas me pasaportë izraelite, mbi 20% e popullsisë.

Gjuha arabe ka status special, përdoret në dokumenta zyrtare, arabet kanë xhamitë e tyre, të drejtat dhe liritë e tyre si çdo qytetar Izraelit. Kanë partitë e tyre politike, kanë përfaqësues në parlamentin izraelit, kanë patur ministra në qeverinë izraelite, kanë dhe anëtar në Gjykatën Supreme të Izraelit.

Ata janë 20% e studentëve në universitetet izraelite (aq sa janë dhe si numër popullsie). Ata janë pjesë e ushtrisë dhe policisë izraelite nga ushtarë e policë të thjeshtë e deri në rang gjeneralësh.

Duhet ditur që arabet që jetonin në ish- mandatin britanik të Palestinës, njëlloj si izraelitët në një pjesë të mire të tyre janë të ardhur nga të gjitha anët e Perandorisë Otomane e sidomos nga vendet fqinje arabe si Egjipti, Jordania, Siria, Iraku, Libani, Arabia Saudite etj.

Vetë Jaser Arafati, themeluesi i OÇP (Organizata për Çlirimin e Palestinës) ka lindur në Kajro në 1929 dhe babai i tij kishte prona në Egjipt që nuk i mori dot në gjykatë.

Deri në 1967 Rripi i Gazes ishte pjesë e Egjiptit dhe Bregu Perëndimor pjesë e Jordanisë që hoqën dorë nga pretendimet mbi ato territore në vitet 70-80 kur arritën marrëveshje paqe me Izraelin.

Deri në vitet 60′ as nuk flitej fare politikisht për Palestinë dhe palestinez, por për arabë dhe izraelitë, popullsia arabe që jetonte në ato territore vetidentifikohej e tillë.

Ishte Jaser Arafati që u mundua të krijonte një identitet palestinez, në vitet 60′ e sidomos pas luftës së 1973 kur u pa që vendet fqinje arabe nuk kishin më ndërmend të sulmonin Izraelin.

Vetë ai shall i famshëm bardhezi që Arafati e përdori si simbol është një krijim i një gjenerali britanik Glubb Pasha në vitet 1950 për të bërë një dallim midis arabeve te rekrutuar në ish- mandatin britanik dhe arabëve të rekrutuar në Jordani. Origjinali është kufiah jordanez kuq i bardhë ashtu si dhe flamuri jordanez është përdorur si bazë për të bërë flamurin palestinez.

Vetëm 7% e rreth 2 milionë arabëve që jetojnë në Izrael e identifikojnë veten si palestineze. Shumica e identifikojnë veten si arabë apo arabo-izraelite.

Nga përplasjet 50 vjeçare midis vetë palestinezëve me Izraelin, deri para sulmit në tetor 2023, kishte rreth 2 mijë viktima nga ana e Izraelit dhe 12 mijë viktima nga ana e palestinezëve. Shumica dërrmuese kanë ndodhur gjatë konfliktit në Libanin e Jugut me OÇP dhe në dy Intifadat. Nëse dikush do ta marrë mesatarisht i bie rreth 40 izraelite dhe 240 palestineze të vrarë në vit. Për krahasim në Shqipëri që është sa gjysma e popullsisë se Palestinës ndodhin mesatarisht rreth 50 vrasje në vit.

Popullsia arabe që jeton në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor ka qenë rreth 900 mijë banorë në 1950 dhe sot është 5 milionë banorë, me një nga rritjet demografike me të larta në botë, më shumë se 5 fishuar.

Në 2023, GDP per capita në Rripin e Gazes dhe Bregun Perëndimor ishte 3800 USD për banor, në nivele të ngjashme me fqinjët arabe në rajon, Siria para luftës civile 3000 USD, Libani 4100 USD, Jordania 4300 USD, Egjipti 4300 USD per banor. Për krahasim, një tjetër vend arab aty afër si Jemeni që lëshon raketa ndaj anijeve që i kalojnë pranë, ka një GDP për capita, 650 USD për banor dhe tashmë Siria pas luftës civile 420 USD për banor.

Deri në 2005 Izraeli kishte prezencë ushtarake në Rripin e Gazës të kapur nga Egjipti në luftën e 1967. Pas një marrëveshje me Autoritetin Palestinez (ish – OÇP) tërhoqi ushtrinë dhe 8000 civile izraelite që jetonin akoma aty duke ua dorëzuar territorin Autoritetit Palestinez. Në 2006 në Bregun Perëndimor dhe në Gaza u bënë zgjedhje ku në Bregun Perëndimor fitoi Autoriteti Palestinez dhe në Gaza fitoi Hamasi. Sapo fitoi zgjedhjet Hamasi filloi të ekzekutonte publikisht gjithë figurat politike të Autoritetit Palestinez. Nga 2006 e deri më sot nuk janë kryer më zgjedhje politike në Gaza.

Këto janë fakte të thjeshta që mund të lexohen e verifikohen lehtësisht në internet nga çdokush që merr mundimin të informohet e të flasë mbi temën mbi fakte të vërteta dhe jo duke u bazuar në video TikTokut, plot gënjeshtra, propagandë bajate, me slogane politike të ngjashme me para 90 dhe me fjalë të mëdha sensacionale të cilave as nuk ua dinë kuptimin.

Continue Reading

Shkrime

Opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë

Nga Andi Bushati

Duke hedhur ku të mundet gurë mbi veten, për aktet radikale që ndërmori gjatë vitit 2019, opozita ende drithërohet kur përmenden fjalët bojkot, tërheqje, mospjesmarrje. Vuajtja prej kësaj sindrome po shfaqet edhe tani kur i duhet të diskutojë ftesën e Edi Ramës, për të marrë pjesë në komisionin absurd, “anti korrupsion”. Ka në gjirin e saj deputetë dhe figura nga ato që politikën e dinë si artin e të qenit i pëlqyer nga ambasadat, të cilët predikojnë se është më mirë të jenë prezent, të thonë fjalën e tyre dhe ti vërsulen si demi cohës së kuqe që u tund para brirëve kryemninistri.

Por, kush e ndjen vetën kundërshtar të vërtetë të këtij regjimi, nuk ka pse i dëgjon këmbanat e këtyre idiotëve të dobishëm të pushtetit. Ka më shumë se një arsye se përse PD dhe aleatët e saj duhet ti thonë “JO” farsës së Ramës që u kujtua pas 11 vitesh, se korrupsioni u dashka luftuar.

Së pari, kundërshtarëve të qeverisë nuk i intereson legjitimimi i këtij komisioni që e fillon punën në prag të zgjedhjeve dhe i mbivendoset komisioneve të tjera parlamentare apo institucioneve të pavaruara. Duke e pranuar atë opozitarët, në fakt, i hapin dritën jeshile panimit të produkteve për të cilat kërkohet ngritja e tij. Nëse ata pretendojnë se qëllimi është prekja e reformës në drejtësi dhe kontrollimi i mëtejshëm i SPAK, ata nuk kanë pse bëhen, qoftë edhe përmes kundërshtimesh, pis me këto qëllime të mbrapshta.

Së dyti edhe nga ana formale, ky komision po ngrihet si një kostum i prerë me porosi për Edi Ramën. Ai e paralajmëroi atë me një fjalim të gjatë, denjoi vetë të shkelë në parlament për të mbështetur rezolutën dhe as nuk u konsultua apo dialogoi me opozitën. Edhe një ditë më parë ngritjes së komisionin, deputetët e saj nuk dinin as qëllimin dhe as objektin e tij, që edhe tani pas votimit me 74 vota mbetet ende flu. Pra përfaqësuesit e votuar të mbi 600 mijë kundërshtarëve të rilindjes janë të dënuar të mos e shndërrojnë ekzistencën e tyre në një fasadë të pushtetit. Ata nuk e kanë mandat për të lujatur rolin e kukullave të autokratit.

Së treti dhe nga pikpamja politike opozitës nuk i leverdis të bëhet në prag të zgjedhjeve pjesë e bashkëfajësisë. Nëse qëllimi i shpallur i komisionit “anti korrupsion” është të riparojë efektet e një sistemi grabitës 10 vjeçar, opozita nuk ka pse merr përgjegjësi për të. Detyra e saj është të denoncojë abuzimet e kundështarit dhe jo ta ndihmojë atë të korrigjohet. Ftesa: “ne vjedhim e ju hajde na pastroni”, është absurde edhe të shqiptohet e jo më të pranohet.

Por, përpos tre arsyeve të mësipërme ka edhe një tjetër shumë më themelore dhe më të rëndësishme. Ajo ka mbi të gjitha lidhje me numrat. Ata që predikojnë pjesmarrjen e opozitës në këtë komision parlamentar e argumentojnë qëndrimin e tyre me faktin se Edi Rama do të prekë reformën në drejtësi, do të heqë nene të kodit penal që frikësojnë zyratrët e tij, do të rrisë trysninë ndaj SPAK. Prandaj- thonë ata- ne duhet të jemi prezentë për të rrezistuar dhe denoncuar. Por, ata harrojnë një gjë.

Forca për të penguar kryeministrin në këto qëllime hipotetike djallëzore, nuk varet nga prezenca në komision, por nga aftësia për të shtrënguar radhët për të mos i lejuar atij të votojë në parlament ligje apo ndryshime kushtetuese që kërkojnë shumica të cilësuara. Pra çfarëdo që të vendosë komision parlamentar ku rilindja ka shumicën dhe prodhon propozimet që do, nëse opozita ruan më tepër 1/3 apo 2/5 e deputetëve (sipas llojit të ndryshimit që propozohet) ajo e kthen në nul çdo nismë të shumicës. Në të kundërtën, nëse ajo nuk arrin të garantojë kompaktësinë e deputetëve të saj, pjesmarrja në komision është e kotë pasi Rama do votojë, në fund, çfarë të dojë.

Pra, prezenca në komisionin e “anti korrupsionit” është një sifilatë e panevojshme. Opozita është e dënuar ta bojkotojë atë. Madje pa pasur pikë kompleksi nga kjo fjalë. Pa dëgjuar për më tepër ata që i bien fyellit të ambasadorëve, se PD është dëmtuar më shumë se gjithçka nga bojkoti.

Të gjithë atyre që mbrojnë këtë tezë u duhet bërë një pyetje. Po mirë, po nga rruga konsensuale dhe nga marrëveshjet me Ramën, a ka fituar gjë PD-ja? A doli ajo me kokën lart, kur braktisi çadrën për të dëgjuar këshillat e emisarit amerikan Brian Hoyt Yee? A mori garanci kur u fut në qeveri me Ramën pas marëveshjes së majit 2017, gjoja për të garantuar zgjedhjet që ishin mbyllur që pa nisur?

Po katë vjet më pas ç’e mirë i ndodhi, kur vendosi të lërë bojkotin për të hyrë në “tryezën politike”. Nga se e mbrojti marrveshja me garant SHBA dhe BE e 5 qershorit. A nuk i përmbysi Rama të gjitha, pa pyetur për arbitrat dhe duke bërë prapë atë që deshi?

Pra, jo vetëm rruga radikale, por as ajo e të moderuarve që predikojnë kompromis, nuk japin garanci përballë rregjimeve anti demokratike që kanë në dorë dhe gurin dhe arrën. Në të tilla kushte të vështira opozitës i mbetet vetëm një gjë në dorë: të ruajaë parimin dhe të respektojë mandatin që i ka deleguar ajo pjesë e shqiptarëve që janë kundërshtarë të Edi Ramës. Ata janë kundër lojrave të të shërbyerit si fasadë, apo pjesmarrjes në farsat që organizon ai. Për çdo opozitar, frika se mund të tradhëtojë këtë thirrje duhet të jetë shumë më e madhe sesa kompleksi nga bojkoti.

Continue Reading

Shkrime

Moralistë dhe fatalistë

Nga Artur Ajazi

Sipas përkufizimit shkencor “morali është rregull, dhe normë e sjelljes e paravendosur nga një shoqëri, bashkësi, dhe e pranuar nga një njeri për mënyrën e tij të sjelljes dhe e zbatueshme nga të gjithë njerzit e arsyeshëm”. Por morali është edhe një mësim i vlefshëm, etikë praktike e shprehur apo e nënkuptuar në një histori apo ngjarje. Moral ka individi i zakonshëm, ka politikani, ministri, kryeministri, presidenti, shoqeria dhe anekset e saj. Me moral mbahet  dhe funksionon ushtria, policia, strukturat e shtetit.

Rënia në fatalizëm (mungesa e arsyes dhe optimizmit)  mbetet shkatërruese për çdo fenomen jetësor.Në jetën e një individi apo shoqerie, moralizmi dhe fatalizimi, janë dy anët e kundërta të një fenomeni që ndikon dukshëm në përditshmëri. Në politikë, morali është dhe duhet të jetë fondamenti i saj, sepse në logjikën e shumicës së njerëzve ekziston mendimi se “morali dhe politika” janë në kahe të kundërt. Kjo në fakt ka ndodhur dhe ndodh vetëm tek ne. Morali është marrëdhënie korrekte me tjetrin, respekt për të drejtat, nevojat e tij , dhe besim reciprok. Klasa politike në Shqipëri, ka 34 vjet që e ka “përdhosur” moralin, duke e keqpërdorur. Kjo i ka lënë shteg të hapur  fatalistëve. Parashtrimi, diskutimi, pozicionimi dhe zgjidhja e problemeve, nuk mund të kuptohen pa bashkekzistencën e politikës me moralin.

Por çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh në të vërtetë me politikanët tanë ? Ata në shumicën e tyre, në kohën e qeverisjes së tyre, kanë treguar se janë veçse moralistë kur kanë pushtetin, dhe fatalistë (e shohin gjithçka të zezë tek tjetri) kur e humbasin atë. Lufta politike në Shqipëri, i ngjet një beteje në xhungël. Pa rregulla, pa reciprocitet, pa kufinj logjik të paracaktuar mes palëve, duke përshfaqur papërgjegjshmëri dhe brutalitet. Gjithçka nis nga “ZERO”, duke fshirë atë që është ndertuar, ngritur dhe investuar. Për moralistët dhe fatalistët, “shteti nis të funksionojë kur ata marrin pushtetin”, reformat funksionojnë kur ata vijnë në pushtet. Rritja e pagave, pensioneve, rritja ekonomike, investimet në arsim, shendetsi, bujqesi, kulturë e turizëm, nisin atëhere kur ata marrin pushtetin. Partia Demokratike e gjendur në ndarje dhe grupazhe, funksionon sot si një celulë e çoroditur moralistësh dhe fatalistësh.

Ata nuk bëjnë, dhe nuk prodhojnë politikë, ata nuk bëjnë dhe nuk merren fare me opozitarizëm, ata nuk gjenden dhe nuk zgjidhin sot asnjë problem të votuesve të tyre, por thjesht ata bëjnë dhe “shesin” moral, dhe kultivojnë fatalitet. Për PD-në zyrtare dhe Rithemelimin, “asgjë nuk është bërë nga 2013 deri sot, asgjë nuk është arritur nga 2013 deri sot”, madje as “ajri, uji, deti, lumi, toka, nuk kanë lëvizur fare prej 2013 deri sot”.

As Shqipëria nuk ka pësuar “ndryshime tektonike, biologjike, njerëzore dhe integruese nga 2013 deri sot”. Të mbjellësh fatalitet përmes moralit bosh, është dështim, dhe jo arritje. Kjo nuk të shpie drejt pushtetit dhe fitores në zgjedhje. Politikanët e zgjuar, e zgjedhin me kujdes rrugëtimin e tyre drejt pushtetit, gjithmonë kur moralin dhe fatalitetin, e lënë mënjanë.

Në politikë, rëndësi ka stabiliteti logjik në fushatë, premtime të zbatueshme dhe reale, dhe kuptim të gjërë të atyre që predikon, pasi do të duhet ti zbatosh në praktikë.

Continue Reading

Shkrime

A ka Shqipëria më shumë kriminelë apo të çmendur?

Nga Kreshnik Spahiu

Atentati i realizuar dje ndaj avokatit Sokol Mëngjesi është pasqyra e një shoqërie në degradim.

Padyshim që disa mund të logjikojnë shkurt duke thënë fajin e ka shteteti por kjo do ishte e keqja më e vogël, por cila është zgjidhja kur përgjegjëse është shoqëria dhe qeveria?

– Atentati ndaj avokatit thjesht zbuloi sa mijëra të çmendur kemi në gjirin e shoqërisë sonë. Kjo është një lajthitje kolektive dhe jo individuale. Mblidhet fisi me krushqinë dhe vendosin me unanimitet ta masakrojnë avokatin. Fisi nuk kishte asnjë njeri me logjikë normale të “votonte” kundër dhe të ndalonte dorën krimale të kushërinjve.

– Atentati ndaj avokatit thjesht zbuloi një nga cilësitë më të errta të shqiptarve që është mosmirënjohja. Ngjarja ishte unike në botë që të vrasësh avokatin për të mos e paguar për punën e tij. Një shërbim i lirë nga një profesionist që me shpenzimet e tij i përfaqësoi të drejtat e tyre për 4 vjet duke ju rikthyer pronat që s’do i kishin marre dot as për 40 vjet apo 40 gjenarata.

– Atentati zbuloi se pabesia është dobësia e një pjese të shqiptarve duke trasformuar atë çka krenoheshin prindrit tanë që dikur quhej BESA. Disa horra me kapele si hijena e gjurmuan avokatin pasi ai shoqroi fëmijët në kopësht. Pabesia për të goditur mbrojtësin e tyre. Pabesia për ti ngulur thikë pas shpine njerout që i nxorri nga varfëria në pasuri. Pabesia po e “parakalon” besën në Shqipëri.

– Atentati zbuloi se Ne kemi shumë injorantë, të çmendur, monstra dhe barbar në mesin tonë në shekullin e civilizimit. Atentati tregoj se sa pak eurpian janë një pjesë e shqiptarve.

– Atentati tregoi që jo vetëm qeveria apo shoqëria ka degraduar por edhe opozita politike. Ata vrapuan të keq-përdorin atentatin duke krijuar alibi se gjoja krimi u krye nga Edi Rama. Vrapoi në spital vajza ish-kryeministrit për ta quajtur atentat politik. Zyrtarisht opozita vazhdon ta quaj Ramën atentator për këtë çështje duke lehtsuar atentatorët me hipotezat e tyre.

– Atentati manifestoi edhe brutalitetin e krimit me agresivitetin që godasin pa mëshirë ndaj një profesionisti, ndaj një babai, ndaj një njeriu që iu dha “dorën e ngrohtë” kur shteti ju rrëmbeu pronat.

Për këto arsye më shumë se kriminelët kanë filluar të shqetësojnë budallenjtë dhe të çmendurit me shumicë në Shqipëri.

Ata godasin në mënyrë çnjerzore mbi qënjet njerzore të dobëta dhe vunerabël. Ata vrasin dhe dhunojnë gratë e tyre, motrat, prindrit, avokatët, policët, mjekun, policin.
Koha po tregon se në rrugët e Shqipërisë ka më shumë të çmendur se kriminelë.

Mjafton të shikosh si ngasin makinat nëpër rrugë apo autosrada, pa iu dhimbsur as jeta e tyre dhe as e të tjerve.

Në këto raste nuk vlen as thënia popullore:
“Hapi rrugë badallait”, sepse këta janë aq shumë në Shqipëri, sa ta zënë rrugë kudo dhe kurdo.
Ruajna o Zot nga budallenjtë!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING