DOSSIER
Dëshmia TRONDITËSE e ish-të internuarit
Nga Najada Pendavinji
Unë jam Gani Sulka dhe kam lindur në vitin 1942 në fshatin Bozhigrad të Devollit, në një familje të madhe prej 10 anëtarësh, katër motra e katër vëllezër dhe dy prindërit, Riza e Demirhan Sulka. Historia e familjes sime e cila përjetoi një kalvar të pafundëm vuajtjesh dhe mundimesh, si pasojë e luftës së klasave të atij regjimi, fillon në vitin 1950.
Luftës së klasave nuk i shpëtoi as familja ime e cila futej te shtresa e pasur e shoqërisë. Gjenocidi ndaj kësaj shtrese ishte aq i madh, sa përndjekja do kalonte çdo lloj caku.
Kur filloi përndjekja e regjimit komunist ndaj familjes suaj?
Përpara se të ndodhte shtegtimi i gjithë fisit Sulka, në vitin 1949, arrestohet xhaxhai im, Sefedin Sulka, ia u akuzua për agjitacion-propagandë kundër pushtetit popullor, sepse gjatë asaj kohe, ai kishte pasion një vegël muzikore, “tambura”, së cilës i binte kur mblidhej me shokët.
Vetëm kaq i mjaftonte regjimit për ta cilësuar “armik të popullit”. Ai la pas gjashtë vajza të vogla të cilat, i rriti babai im, Riza Sulka, nën përgjegjësinë e të cilit tashmë do të ishin 14 fëmijë dhe më i vogli isha unë, vetëm 9 vjeç. Një vit më pas, hakmarrja komuniste do zgjerohej në të gjithë familjen.
Me etiketimin “kulak” familja ime u kthye në “armikun e betuar” të regjimit komunist. Kështu filloi përndjekja e familjes në disa breza. Ishte 20 qershor i vitit 1950, një verë e ngrohtë, por te ne do vinte shpejt “dimri”. Akrepat e orës shënonin 12:00, mesnatë, kur në derën e shtëpisë troket kryetari i Këshillit Popullor, bashkë me të plotfuqishmin e fshatit, Qemal Hameti. Hyjnë brenda.
Ne fëmijët ishim strukur të gjithë mbas nënës. Me atë vrazhdësinë dhe mendjemadhësinë e tyre, ata i drejtohen babait dhe pa asnjë lloj shpjegimi, në mungesë të hekurave, ia lidhin duart me tela me gjemba. Për një moment kthehen nga ne dhe shikojnë se, vetëm vëllai im i madh, Myfiti, ishte në këmbë.
Me një sjellje të frikshme, i’a lidhin duart me tela me gjemba një fëmije 13-vjeçar, siç ishte Myfiti. Na morën të gjithëve vetëm me leckat e trupit, duke i lënë të gjitha sendet dhe kujtimet atje, në atë shtëpi e cila, tashmë do ishte në duart e komunistëve, për të mos i marrë më kurrë.
Atje mbeti edhe paja e vajzave të cilat, kishin punuar me aq dashuri. Nga shtëpia jonë e ngrohtë na sjellin në oborrin e burgut të Korçës. Këtu ishim gati 50 familje të cilat i priste grushti i rëndë i diktaturës. Na mbajtën vetëm një natë. Të gjithë burrat e familjeve ishin të lidhur me pranga dhe zinxhir njëri mbas tjetrit, të ngjeshur në mur.
Ne fëmijët ishim të ngecur mbas tyre. Ndërsa gratë ushqenin burrat të cilët ishin të lidhur me zinxhir. Natën vonë sjellin një pompë me ilaç dhe na spërkasin një pas një për shkak të ndonjë sëmundjeje.
Në mëngjes na fluturuan si ndonjë thes me miell në kamion dhe na nisën drejt një rruge të gjatë. Në orë 7.00 na kanë ndaluar në Fier. Edhe këtu kemi ndenjur vetëm një natë dhe më pas, e gjithë familja ime internohet në Aranitas të Mallakastrës. Prindërit, gjyshja dhe motrat e Ganiut
Çfarë ndodhi në internim me ju?
Unë isha vetëm 9 vjeç, nuk e kuptoja pse po largoheshim nga streha jonë. Nuk dija as se çfarë ishte internimi, por kur arritëm në Aranitas, u përballëm me një realitet tjetër që, nuk e kishim hasur deri atëherë.
Në atë moment vjen kryetari i Këshillit dhe na prezanton me vendin ku do qëndronim. Ajo ishte një kasolle dhish, e cila nuk kishte as çati, as dyer dhe as dritare, e mbuluar me plehun e bagëtisë. Na thotë që ne duhet ta heqim plehun, për t’u futur brenda.
Babai im nuk e pranoi një gjë të tillë, nuk mund të pranonte të flinin fëmijët e tij atje. Me shumë kundërshtime na hapën derën e shkollës dhe na thanë që derisa të mbarojnë pushimet, të hiqnim plehun. Dhe kështu bëmë. Me pak fjalë ata nuk lëshonin pe dhe donin medoemos që ne, të jetonim në kushtet më çnjerëzore.
Te dera e shtëpisë sonë rrinte një rojë i cili ishte Hekuran Xhaferi, për të na ndjekur në çdo çast. Me javë pa ngrënë, pa pirë, pa u larë. Nëna e shkretë, ziente hithra dhe ne fëmijët pinim lëngun e tyre, për të shuar urinë. Uri e cila do i merrte jetën Lules, vajzës së xhaxhait. Lule Sefedin Sulka, ishte vetëm 11 vjeçe kur u shua në lulen e jetës së saj.
Babi u mbyll në vetvete, e ngërtheu dhimbja pasi, një nga amanetet që i kishte lënë xhaxhai, nuk mundi t’a mbronte. Krahët e tij ishin të vegjël përballë kthetrave komuniste. Mizoria më e madhe ishte kur nuk na lejuan që Lulen ta varrosnim në varret e fshatit. Edhe vetë fshatarët nuk pranonin që në varrezat e fshatit të tyre, të prehej një fëmijë i internuar.
Komunizmi të mohonte jo vetëm jetën, por edhe vdekjen. Të shkatërronte dhe banesën e fundit. Nuk kishim çfarë bënim. U mblodhëm të gjithë si familje dhe e trupin e saj e kemi mbuluar me dhe, në një përrua që kishim aty pranë banesës ku jetonim. Disa herë e zbulonte uji trupin, por kohë më pas nuk po e shikonim më. E hëngri uji kufomën e saj. Eshtrat e saj u shuan duke mos u gjendur kurrë.
Si ishte jeta në kampin e Shtyllasit?
Deri në vitin 1955, kemi qëndruar në Aranitas. Në janar të 1960-ës, na çuan në fshatin Shtyllas të Fierit, ku u bë zhvendosja e kampit të të burgosurve, me kampin e të internuarve që ishim ne.
Në këtë kamp kishte familje nga rrethe të ndryshme si për shembull: nga Treni, nga Ponçara, nga Shkodra, Tropoja, Malësia e Madhe, Labëria, etj. Këtu filluan të na furnizonin me triska buke. Vitet kaluan, ne fëmijët po rriteshim. Mua më lejuan të vazhdoja shkollën, kam bërë vetëm gjashtë klasë.
Ishte tepër i madh diferencimi që do përjetoja nga bashkëmoshatarët e mi atje në shkollë. Janë çaste që për një fëmijë, ngelen gjithmonë në kujtesën e tij. Ai sistem ishte brumosur edhe në mendjen e fëmijëve. Bashkëmoshatarët më pranonin në lojën e tyre me dëshirën për të më goditur me fjalë dhe me shqelma.
T’ju tregoj një rast ndoshta tepër fëminor, por që mua më bënte të ndihesha keq. Luanim me top dhe unë si trup i bëshëm që isha, bëja gola. Kur bëja gola më binin me shqelma ata që e hanin golin. Kur gjuaja jashtë porte, më binin me shqelma ata me të cilët isha në skuadër. Më thërrisnin gjithmonë “grek”, isha një fëmijë i internuar, që nga shoqëria ndihesha i humbur.
Kjo ishte padrejtësia më e madhe që mund t’i bëhej një fëmije, përjashtimi dhe diferencimi nga shoqëria. Kalvari i vuajtjeve do vazhdonte, por ne nuk do thyheshim. Disa prej motrave ishin martuar, ato u bënë vajza punëtore, të ndershme, të edukuara me frymën e familjes. Babai dhe nëna ishin prindër që sakrifikuan për ne, fëmijët e tyre.
Gjatë viteve të internimit, jeni ndier të survejuar dhe të vëzhguar?
Sigurisht që po. Ne ishim të izoluar nga vendet e tjera, na bënin apel çdo mëngjes dhe darkë, për të parë nëse ndonjëri nga ne, nuk po zbatonte urdhrin e izolimit. Instrumenti më i rëndësishëm i atij regjimi, ishte survejimi, vëzhgimi, spiunllëku, të cilat shërbenin për të na mbajtur nën kontroll të gjithëve ne që, na shikonin sikur ishim agresorët më të mëdhenj të këtij regjimi.
Ishte viti 1958, kur vëllai im Ylberi u largua nga shtëpia për gati një javë. Asokohe ai ishte 20 vjeç, nuk arritëm ta merrnim vesh arsyen e largimit të tij dhe nuk dinim asgjë se çfarë kishte ndodhur me të. Sigurimi i Shtetit, e quajti këtë veprim si arratisje jashtë vendit. Si pasojë e gjithë familja jonë ishte e rrethuar me oficerë e ushtarë të cilët, kërkonin nga ne informacione se për ku ishte nisur vëllai. Nuk na mjaftonte frika që kishim për vëllain, por na duhej të përballonim edhe dyshimet e Sigurimit të Shtetit.
Babain e kanë torturuar për t’i nxjerrë ndonjë fjalë, ndërsa nëna qante me britma, për të birin. Vetëm mbas një jave trupin e tij e gjetën fshatarët, anës lumit, ku uji e kishte nxjerrë jashtë. Ishte humbja e një jete tjetër, të cilin gjithashtu nuk do e përcillnim dot, ashtu siç duhet. E kemi varrosur lakuriq në varrezat e fshatit, pasi nuk na lejuan t’i kryenim ritet. Nëna e shkretë, e la me gojë se: “Kur të vdes të më varrosni lakuriq si djalin tim”. Ishte një dhimbje e madhe për të gjithë.
Koha kalonte, por dhimbjet shtoheshin. Ishte viti 1962, kur humbëm nga një sëmundje e rëndë edhe babain. U mundova shumë për ta shpëtuar, por ndihma nuk na u dha. Atë natë kam shkuar me biçikletë në Levan të Fierit, për të kërkuar doktorin, Astrit Delvina e quanin, i cili nuk erdhi. Kur jam kthyer në fshat në gjysmë të rrugës, më lajmërojnë fshatarët se babai vdiq. Jemi përballur me vuajtje të shumta.
Po këtë vit shleva detyrimin ushtarak në Spitallë të Durrësit, në repartin e punës inxhinierike. Jam kthyer në vitin 1964, duke e gjetur përsëri familjen në internim, atje në Shtyllas, pasi dënimi i Internim-Dëbimit, shtohej me nga 5 vjet.
Keni ndonjë ngjarje të veçantë, që ju ka mbetur në mendje?
Do kthehemi vite më pas në kohë, në vitin 1954, kur isha vetëm 13 vjeç. Është një ngjarje që tregon se komunizmi kishte natyrë paranojake. Kishte frikë edhe nga mendja e një fëmije. Si fëmijë që isha, nuk doja të isha i izoluar, doja të isha i lirë, të shkoja të takoja sa herë që më merrte malli, motrën time të madhe e cila ishte martuar në Vishocicë.
Dhe ashtu bëra. U nisa pa lejën e babait dhe mora rrugën për te fshati i motrës. Kur shkova nuk hasa problem, por kur u ktheva, policëve të Sigurimit, u ra në sy një fëmijë që udhëtonte vetëm dhe më kapën në Bilisht. Vepruan sikur kapën një kriminel dhe jo një fëmijë. Më morën dhe më çuan në burgun e Korçës, ku më mbajtën vetëm një natë. Më bënin pyetje të pakuptimta si: “Ku do arratisesha? Sa veta ishim? Me çfarë do iknim?”, etj.
Më frikësonin duke më kërcënuar se, do e pësoja keq nëse nuk tregoja. Unë nuk kisha çfarë t’ju thosha përveçse së vërtetës. Nuk e di si u bindën dhe më lanë të lirë, më hipën në autobus së bashku me një civil, i cili më shoqëroi deri në Elbasan. Dhe që andej më hipi në autobusin e Fierit, duke i thënë shoferit të më vëzhgonte me kujdes, se mos i zbrisja rrugës. E gjitha kjo ishte një skenë e pakuptimtë që ata i jepnin aq shumë rëndësi, sikur po ndodhte ndonjë rrezik i madh. Kështu ishte të jetoje në komunizëm…!
Keni kaluar një periudhë të gjatë në internim, plot 40 vite, si e përjetuat ardhjen e demokracisë?
Është një jetë e tërë e përjetuar me varfëri, padrejtësi, vuajtje, terror, humbje dhe një persekutim të pafundëm ndër breza. Ishin plot 40 vite, që kalova në internim. Atje unë u martova me të bijën e një të dënuari politik, Ali Meçolli. Po në internim, lindën dhe tre fëmijët e mi, të cilët përjetuan edhe ata një diferencim shoqëror.
Vajzën, Edlirën, e nxirrnin përpara shkollës dhe e quanin fëmijë kulaku. Ishte e tmerrshme ta përjetonte fëmija atë që unë kisha hequr nën lëkurën time. Kalvari i mundimeve për ne, përfundon më 1990-ën.
E donim lirinë që aq shumë na kishte munguar, por kur u kthyem nga internimi strehën e gjyshërve tanë nuk e gjetëm më. E kishin rrafshuar duke mos lënë asnjë gjurmë apo kujtim të saj. Të gjitha tokat që ne kishim për të cilat vuajtëm dhe internimin i kishin zënë të tjerët. Sot, ne kemi një demokraci të munguar që dashtë Zoti, ndryshon për të mirën e fëmijëve tanë!/ Memorie.al