Politike
Erion Veliaj kallezohet ne SPAK nga PD
Partia Demokratike, ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme kallëzimin penal për kryebashkiakun, Erion Veliaj, për shkeljet e rënda ligjore në lidhje me tenderin fiktiv të Rr. ‘Xhon Belushi’ në Njësinë Administrative Nr. 4 në Tiranë. Pasi dorëzoj kallëzimin, deputetja demokrate Albana Vokshi u shpreh se SPAK duhet që të hetojë Veliajn për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv në zgjedhje, falsifikim dokumentash si dhe mashtrim.
“Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit. Kjo është arsyeja që ne jemi sot këtu, duke i kërkuar SPAk-ut që të regjistroj këtë kallëzim penal dhe të hetojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion veliaj. Ne i kërkojmë SPAK-ut që të qëndrojë në lartësinë e detyrës,” tha Vokshi.
Një megaskandal është denoncuar nga Partia Demokratike tre ditë më parë. Kandidati i PD për Tiranën, Belind Këlliçi denoncoi aferën e asfaltit elektoral, ku tregoi se një tender fiktiv u shpall nga bashkia më 19 dhjetor 2022. Bëhej fjalë për ndërtimin e rrugës John Belushi, për të cilën nisën procedurat e tenderit, do të kushtonte 471 milionë lekë, pa pasur një fitues tenderi. Një ditë pasi PD denoncoi aferën, bashkia vendosi të anulojë tenderin. Por kryebashkiaku deklaron se anulimi është bërë më herët dhe nuk lidhet me PD. Ai shton se rruga do ndërtohet me paratë e ndërmarrjes. Vijimin e punimeve pa pasur një fitues për tenderin, Veliaj e justifikon me faktin se duke qenë se Ujësjellësi i kishte mbaruar të gjitha procedurat, duhej ndërhyrë dhe nuk mund të lihej në atë mënyrë.