Kronike
Plumbat nuk kursejnë as gratë e vajzat: Nga janari deri në korrik, katër gra e vajza të ekzekutuara
Krimi i rëndë i regjistruar në Roskovec, ku ish-dhëndri ekzekutoi ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, e çon në katër numrin e grave e vajzave të ekzekutuara me armë zjarri nga janari deri në fund të korrikut.
Të dhënat e grumbulluara flasin se ngjarjet që kanë të bëjnë me krime brenda familjes, apo për hakmarrje, kanë ndodhur në disa qytete, ku plumbat nuk kanë kursyer as gratë e vajzat.
Vrasjet janë regjistruar në Orikum të Vlorës, Lezhë, Shkodër e Roskovec.
Konkretisht, më 2 janar, në Orikum, burri mbyti gruan dhe më pas vrau veten. Viktima mbetën: Llogora Xhebroj, i cili dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj.
Më 26 Prill, në Lezhë, u ekzekutuan burrë e grua, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në fshatin Balldren.
Më 9 Korrik, në Shkodër, goditi sërish krim në familje, ku burri vrau gruan. Autori ishte Shefqet Ziçi 62-vjeç dhe viktimë Bardhe Ziçi 55-vjeçare.
Ndërsa më 24 korrik, në Roskovec, u regjistrua krim i tre-fishtë. Dhëndri Refit Buzi vrau ish-vjehrrin Kosta Plakun dhe plagos ish-vjehrrën Bejlere Plakun, e cila humbi jetën disa orë pas ngjarjes.
Ai mori peng ish-gruan, Rozalinda Plakun 24-vjeçare, e liroi disa orë më vonë dhe i dha fund jetës duke u vetëvrarë me çifte.
Rastet e femicidit në Shqipëri kanë ardhur në rritje viteve të fundit, ku nga 1 janari i vitit 2022 deri në fund të dhjetorit të vitit 2025, në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 24 raste.
Ngjarjet janë shënuar kryesisht në mjedise familjare, duke dëshmuar se gratë e vajzat janë të rrezikuara kudo.
Në këtë periudhë janë dhënë dy vendime të dënimit me burgim të përjetshëm për këtë tipologji vrasjeje, por ka pasur edhe dënime të tjera.
Femicidi është vrasja e qëllimshme e grave ose vajzave për shkak të gjinisë së tyre, duke përfaqësuar formën më ekstreme të dhunës me bazë gjinore.