Politike
“Shqipëria e Madhe” tremb serbët, akuza Ramës: ‘Vëllai i Vuçiçit’ kërkon bashkimin
Deklarata e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë se pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duhet të nisë bashkimi i shqiptarëve, ka ngjallur reagime në Beograd.
Kryeministri njihet për “krehjen e bishtit” ndaj Vuçiçit, por me deklaratën e djeshme në një emision ka irrituar serbët, të cilët tremben nga Shqipëria e Madhe. “Danas” ka bërë një artikull, ku disa analistë dhe figura publike e cilësojnë të papranueshme deklaratën e kryeministrit Edi Rama dje në “Opinion”.
“Serbia do të duhej të reagonte urgjentisht ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që mbron krijimin e Shqipërisë së Madhe. Është gjithashtu e qartë se autoritetet në Tiranë dhe në Prishtinë po punojnë aktivisht për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Prandaj, vëllazëria politike e Vuçiçit dhe Ramës do t’i shpërblejë shqiptarët, por jo për serbët”, thonë bashkëbiseduesit e “Danas”.
Sipas gazetës opozitare serbe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai kanë “qasje të ndryshme ndaj Serbisë”, por që të dy kanë të njëjtin synim: Bashkimin e shqiptarëve.
“Ne vërtet kemi një marrëdhënie shumë të mirë, takimet tona janë frymëzuese, humor i shkëlqyer, qeshim shumë. Ne kemi qasje të ndryshme ndaj Serbisë, por të njëjtin qëllim”, tha Rama dje.
Kjo deklaratë e tij ka sjellë shqetësim dhe te partitë politike. Kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac, ka deklaruar se kryeministri shqiptar nuk ka thënë asgjë të re.
“Ai thjesht përsëriti atë që thonë publikisht politikanët e tjerë shqiptarë dhe ato që kanë thënë paraardhësit e tij. Është një projekt “Shqipëria Natyrale” që përveç Kosovës dhe Metohisë përfshin edhe territore të tjera ku jetojnë shqiptarët: Serbinë jugore (Lugina e Preshevës), pjesë të Malit të Zi rreth Ulqinit, Plavës, Gucisë dhe Tuzit, Maqedonisë Perëndimore dhe pjesëve të Greqisë. Kjo u diskutua në tubimet publike në Tiranë, si dhe në Shkup dhe Mal të Zi. Prandaj Rama tha diçka që të gjithë ata që janë edhe më të informuar e dinë prej kohësh”, thotë Lutovac.
Ndërsa Dragomir Angjelkoviç, analist politik, kujton se që nga Lidhja e Parë e Prizrenit në vitin 1878, shqiptarët kanë pasur një synim kombëtar të përcaktuar qartë, që është krijimi i Shqipërisë së Madhe. Po ndryshojnë modalitetet e realizimit të atij plani, si dhe stilizimi ideologjik i politikës kombëtare, por jo thelbi i tij.
“Pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e Metohi dhe viset e tjera ku jetojnë shqiptarët ishin dhe i mbeten besnikë asaj ideje. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Aleksandar Vuçiç, i cili po e merr lehtë dhe në mënyrë të paarsyeshme nga pikëpamja kombëtare (por jo personale), duke u betuar për miqësi me një politikan shqiptar, ndërsa debaton me të tjerët. Nuk bëhet fjalë për çështje personale, por për një politikë kombëtare homogjene, për të cilën tashmë ka folur qartë i ashtuquajturi vëllai i Vuçiçit, Rama”, ka shtuar ai.
Pra duket se bashkimi i shqiptarëve është ajo që lë pa gjumë ditë e natë serbët.