Connect with us

Shkrime

Ku mund të qahesh kur të shkep Kadiu?

Nga Lorenc Vangjeli

“Ku mund të qahesh kur të shkep Kadiu?”. Sali Berisha e la pezull në ajër këtë pyetje dhe u përgjigj vetëm me një të qeshur shpërthyese. Ky dialog pyetje pa përgjigje – e qeshur pas pyetjeje, u konsumua në lulishten përpara Galerisë së Artit në Tiranë, në festimet për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Dymbëdhjetë vjet më parë, një trup gjykatësish të Kolegjit Zgjedhor i kishin grabitur në tavolinë bashkinë Edi Ramës dhe Berisha nuk e fshihte ngazëllimin përballë një turme servilësh që rrekeshin të dukeshin më të gëzuar se ai vetë, kundërshtarësh që megjithatë i buzëqeshnin, neutralësh që rrekeshin t’i dilnin në rrezen e vështrimit dhe gjithë trupit diplomatik që së paku sipërfaqësisht, e shihnin si yllin e mbrëmjes. Pak metra larg tij, Lulzim Basha rrinte si dhëndër i ngrirë. Si ata djemtë e katalogut që i buzëqeshnin grave të fisit që kërcenin me çarçafin e përgjakur të natës së parë.

Çarçafin që e kishte klasifikuar në burrë. Edhe nëse për pak nuk kishte arritur ta bënte djali, babai i kishte dhënë të shtyrën e fundit votës brenda. Por fati flet një gjuhë që pak kush e kupton. Fati, njëlloj si Dante Aligeri, ka dëshmuar se nuk ka vuajtje më të madhe se “…kur kujton kohët e lumtura në mjerim!”. E premtja në mbrëmje, 3 marsi i 2023-shit kur Apeli rrëzoi vendimin Zhukri dhe riktheu çështjen e Vulës për rigjykim, është momenti i përkryer që Sali Berisha të kujtojë pikërisht atë mbasdite të largët korriku dhe rrugëtimin e tij të gjatë në majat plot thepa e rripa të Shqipërisë.

E megjithatë, kjo është vetëm dukja. Në thelb, vendimi i Gjykatës së Apelit i ka lënë të gjithë të kënaqur. Edhe ata që e mallkojnë, edhe ata që festojnë.

Krejtësisht ndryshe nga sa tha dhe pritej të thoshte, që vendimi ishte shkruar në zyrën e Edi Ramës, se ai minon pluralizmin, se është fundi i drejtësisë, etj, etj, Sali Berisha ishte fitimtari klasik i kësaj humbjeje as mish, as peshk. Me kuota të rëna përtokë, me një parti të përçarë dhe me një rresht kandidatësh për zgjedhjet vendore përballë kandidatëve unikë të PS-së për çdo bashki, Berisha e di që rezultati i zgjedhjeve është i përcaktuar që përpara se të shkojnë shqiptarët në votime. Shto këtu edhe makinerinë elektorale të kundërshtarit, tashmë të sofistikuar edhe në marifete zgjedhore që janë shpesh në kufijtë e ligjit, më shumë se vulës së partisë, Berisha i lutej vulës së alibisë. Në të gdhirë të 15 majit, ai tashmë ka në xhep shpjegimin për humbjen e zgjedhjeve. Votëbesimi i detyruar në Këshillin Kombëtar, siç kërkon statuti i partisë së tij, nuk do të jetë më aq poshtërues sepse të gjithë do të thonë se vula e munguar ishte shkaku i humbjes dhe jo dështimi i Sali Berishës për të shndërruar formacionin e tij politik nga një opozitë reale siç arriti ta bëjë, në një alternativë për të ardhur në pushtet.

Edhe pse do të përdorë të njëjtën frazeologji dhe të njëjtën tipologji mallkimesh për Edi Ramën si varrmihës i demokracisë dhe pluralizmit, Ilir Meta ka çdo arsye që të jetë i lumtur për vendimin e Apelit. Tanimë, edhe më shumë se më parë, ish-armikmiku i tij i tre dekadave, ka nevojë edhe më të dëshpëruar për të. Meta do ta afrojë me dëshirë siglën e partisë së tij, qoftë dhe pa ndryshuar qeranë e saj, për të regjistruar kandidatët e Doktorit në zgjedhje. Rëndësia e tij dhe pesha specifike e Partisë së Lirisë në koalicion merr një dimension tjetër dhe shumë nga demokratët e selisë, që e shohin atë shpesh me dyshim, kuptojnë se shpatullat e Metës janë për momentin të vetmet mbas të cilave duhet të fshihen që të ngrihen.

Me të gjitha gjasat nuk është kursyer shampanja edhe në kampin e përçarë Basha-Alibeaj. Ish-kryetari dhe zëvendësuesi i tij që tashmë prej kohësh kanë me njëri-tjetrin marrëdhënien e teshtimës me shaminë, janë të lumtur për çfarë ndodhi në Gjykatën e Apelit. Edhe pse nuk kanë asnjë shans praktik të rikthehen në selinë e partisë nga ku kanë ikur në drejtim të paditur si muhaxhirë, me vulën në xhep, këta vanitozë politikë mund të legalizojnë dy-tre dyzina me kandidatë për bashkitë e vendit. Edhe pse nuk do të fitojnë askund, Rama nuk do të jepte pazar as për Roskovecin, fjala vjen, ata do të mbajnë shënim me ngazëllim, sesi edhe Berisha do të dërmohet në zgjedhje. Humbja e tij është e vetmja fitore që ata presin nga 14 maji.

Në sezonin e tij më të vështirë parlamentar, Edi Rama, edhe nëse është brenda vendimit të Apelit siç shpresojnë mbështetësit e tij dhe besojnë se është kritikët e tij, edhe nëse është jashtë tij, siç ndoshta mendojnë të tjerët, nuk mund të merrte dhuratë më të madhe. Ai ka nevojë jo për Berishën dhe “AliBashën” veç e veç, por për të dy ata të ndarë nga armiqësia. I treti i lumtur mes dy palëve që rruajnë me vulë mustaqet e Çelos, ai e sheh gjithmonë e më larg briskun nga mjekra e tij. Pushteti i tij ka nevojë të ushqehet edhe me më shumë pushtet dhe 14 maji është mundësia e artë që ai të shpallet triumfues përballë atyre që dinë të krijojnë ekzaktësisht të gjithë elementët e humbjes.

Thuhet shpesh që diçka që nuk blihet me para, mund të blihet me më shumë para. Të vetmet gjëra që nuk mund të blihen edhe me më shumë para, mund t’i marrin amerikanët. Në kohët moderne, kjo është një aksiomë që bën mirë të kuptohet përfundimisht në Tiranë. Dhe sa më herët aq më mirë! Me shumë gjasa, ata që ishin të aftë që të çojnë për herë të parë njeriun në Hënë, mund të kenë parashikuar se nuk ka asnjë derë ku të shkosh të qash e të ankohesh kur të shkep Kadiu!.

Ka vetëm një ngushëllim për gjithë spektatorët e “BBP”, Big Brother-it Politik shqiptar. Herët a vonë të gjithë do të kalojnë në shtratin e Kadiut. Të gjithë së bashku janë të paaftë ta ndalojnë këtë short. Dhe siç këshillonte dikur Konfuci, e vetmja gjë që mund të bëhet kur kundërshtari merr frymë thellë mbas shpinës së “viktimës”, është të mos bëhet asgjë. “Thjesht rri e prit deri sa ai të ikë vetë. Çdo lëvizje, vetëm sa i bën qejfin …Kadiut!”, këshillonte dikur Konfuci. Me shumë gjasa i konfirmuar edhe nga Tirana e sotme politike.

Shkrime

Arsyet pse Spanja njohu Palestinën janë standarde edhe për njohjen e Kosovës!

Nga Enver Bytyçi

Spanja e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Dekada me radhë ajo kishte refuzuar njohjen e saj, edhe pse shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, e kishin njohur atë. Palestina ishte shtet sovran dhe i pavarur, por pas vitit 1948 ngjarjet rrodhën ndryshe e shteti palestinez u shkërmoq. Kjo ishte kostoja e asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani, pas shumë dekadash edhe Spanja e disa vende të tjera arritën në përfundimin se shteti i Palestinës duhet njohur. Dhe qeveria spanjolle dje shpalli vendimin e saj për njohje. Pse pikërisht tani? Pse në këtë moment kur në Gaza ushtria zraelite dhe kryeministri Netanjahu po kryejnë genocid kundër popullsisë së pambrojtur të Palestinës? Pra njohja lidhet drejtpërdrejt me krimet kundër njerëzimit dhe asgjësimin e kombit palestinez nga ana e ushtrisë dhe politikës izraelite. Nuk ka asnjë argument tjetër që e interpreton ndryshe këtë njohje. Qeveria spanjolle tha edhe se kjo njohje forcon paqen e stabilitetin në rajon.

Por krimet në Gaza janë argumenti kryesor pse Spanja njohu Palestinën dhe po ky argument shërben gjithashtu edhe për njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Qeveria konservatore e Madridit ishte aktive në pranverën e vitit 1999 për të ndërhyrë më trupa ushtarake në Kosovë dhe për çlirimin e saj prej sundimit, dhunës dhe terrorit të shtetit, ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Spanja nuk pati asnjë dilemë për këtë, edhe pse pati vende ose politikanë nga vende të tilla si Italia, Greqia e Franca, të cilët punuan për të stopuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Të qenit aktiv i Spanjës asokohe lidhet pikërisht me gonocidin serb kundër shqiptarëve.

Edhe pas çlirimit të Kosovës, Spanja mbështeti të gjitha iniciativat që çuan në pavarësinë e Kosovës. Por papritmas, me shpalljen e pavarësisë, ajo u distancua nga qëndrimet e mëparshme dhe madje i forcoi lidhjet me Beogradin. Ka pak vite që qeveria e Madridit e ka zbutur qëndrimin e mëparshëm refraktar ndaj shtetësisë së Kosovës. Ka njohur pasaportat dhe dokumentet e tjera. Toleroi disa vendime në favor të Kosovës nga ana e BE-së. Po ashtu në KiE është treguar e matur e gati neutrale.

Qëndrimet e Spanjës ndaj Palestinës janë momenti kyç i rivlerësimit dhe rigjykimit të saj edhe për Kosovën. Spanja thotë se njohja e shtetit palestinez i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kosovës. Shteti i Kosovës është garanci e shtuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Këto 25 vite, pas ndërhyrjes ushtarake të Aleancës dhe çlirimit të saj nga Serbia, e kanë dëshmuar plotësisht këtë të vërtetë. Dhe është logjike të thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkan e forcimi i tij përmes njohjes së shtetit e pavarësisë së Kosoës është më jetik, sesa paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, veçmas për Europën.

Por kryesorja lidhet me atë që thashë në fillim. Kosova, ashtu si edhe Gaza sot, iu nënshtrua, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, një dhune e terrori të egër shtetëror, të cilin e ushtroi Serbia përmes një platforme dhe komande ushtarake e policore, me qëllim spastrimin etnik të Kosovës prej shqiptarëve dhe kolonizimit të saj me serbë. Masakrat, veprat kriminale të vrasjes së 1432 fëmijëve, vrasja e pleqve, grave, djemve dhe burrave të paarmatosur të Kosovës në turmë, përdhunimi i mbi 20 mijë vajzave dhe grave, djegja dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, biznesit dhe të trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë, të gjitha këto ishin akte genocidiale dhe krime kundër njerëzimit të parashikuara në ligjet ndërkombëtare. Mbi këtë bazë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli më 22 korrik 2010 pavarësinë e Kosovës si akt të pajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999.

Atëherë pse nuk u dashka që ky precedent genocidi i Serbisë në Kosovë të shërbejë për të drejtën e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës?! Pse për Palestinën vlen një kriter si ky, ndërsa për Kosovën nuk vleka?! Standardi i dyfishtë nuk e justifikon qëndrimin e qeverisë së Spanjës kundër njohjes së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në rastin e njohjes së Palestinës si shtet ka rënë gjithashtu alibia e krahasueshmërisë me problemin katalonjas dhe atë bask. Shtetet serioze i bazojnë politikat e tyre në parime e standarde të caktuara, ndaj dhe marrin vendime të thelluara e të studiuara me kujdes. Vendimi për njohjen e Palestinës është natyrisht i thelluar. Një vendim tjetër për njohjen e Kosovës është e do të ishte i tillë, si në rastin e Palestinës!

Të shpresojmë se qëndrimet spanjolle për shtetësinë e Kosovës do të përputhen me realitetin, me nevojën për paqe e stabilitet në Europë, me të drejtën e banorëve të Kosovës që të jenë të lirë nga dhuna e terrori serb, me nevojën e integrimeve rajonale dhe evropiane jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor!

 

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Turi patriotik i Ramës dhe urgjenca e afrimit të shqiptarëve drejt vendit të tyre

Nga Skënder Minxhozi

Pas Athinës, Milano. Siç e kishte njoftuar prej javësh Edi Rama vijon turin e tij të mirëstudiuar nëpër vendet ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptarësh. Pas bashkësisë së rëndësishme të shqiptarëve të Greqisë, kjo e Italisë ofroi për kryeministrin shqiptar një angazhim më të relaksuar. Qeveria italiane nuk hodhi shigjeta kundër tij, shtypi italian ka më shumë hallin e Gjadrit sesa të statusit të emigrantëve shqiptarë në Itali, kurse vetë ata, shqiptarët e Italisë, janë më të qetë dhe “flegmatikë” sesa sivëllezërit e tyre të Greqisë.

Megjithatë etapa e dytë e turit të kryeministrit nëpër diasporë na jep tashmë një kontur të qartë të idesë fillestare, qëllimeve dhe synimit të Ramës për një nisëm të tillë e cila fillimisht tingëlloi si një provokacion ndaj qeverisë greke, por që sot duke shumë tepër sesa një acarim nervash për Micotaqisin, apo një akt patriotizmi propogandistik.

Tre dekada pas rënies së komunizmit Shqipëri ka pothuajse po aq banorë të saj që jetojnë brenda vendit, sa edhe ata që jetojnë kudo nëpër Evropë, SHBA e pjesë të tjera të globit. Është një komunitet me një peshë të madhe e përcaktuese në fatet e shtetit amë, në ekonominë e tij, në turizëm, kulturë, sport, arte, por edhe në sferën e afeksionit njerëzor dhe lidhjeve të ngushta shpirtërore që ka ruajtur me atdheun. Miliona shqiptarë kudo në botë janë sot një urë e rëndësishme ndërlidhëse në vende të tilla si Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, SHBA e Kanadaja.

Me turin e tij shëtitës, Edi Rama po shkon të japë mesazhin se shteti shqiptar i sheh dhe i ndjen si të vetët shqiptarët kudo në botë. Njeh dhe ndjen sakrificat e tyre shpesh të skajshme për jetë më të mirë, integrim dhe afirmim në vendet ku jetojnë.

Ka qenë ky një gjest kaq i nevojshëm, aq sa edhe i munguar nga ata që kanë drejtuar Shqipërinë në 30 vitet e fundit. Dhe arsyeja madhore pas këtij pasiviteti të heshtur ka qenë dhe është shumë cinike: shtetarët tanë i kanë parë si shqiptarët jashtë vendit si një entitet misterioz nga pikëpamja e rreshtimit partiak e elektoral. I kanë konsideruar si një komunitet votuesish që ju dilte nga kalkulimet që bënin gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë dashur t’ju japin të drejtën për hedhur votën, por ama kanë pritur me shumë interes remitancat që ata sillnin çdo vit.

Edhe Edi Rama nuk bën përjashtim nga kjo logjikë përjashtuese e elitës politike në vitet e shkuara. Mesa duket pasi kemi kaluar një dy dyzina procesesh elektorale, po afrohet momenti e po piqen kushtet që të konsiderojmë jo vetëm dhënien e të drejtës së votës për emigrantët, por edhe që t’u japim atyre vendin që meritojnë në atdheun e përbashkët.

Diaspora shqiptare është tashmë një fuqi e madhe në rrafshin e kapaciteteve njerëzore, forcës ekonomike dhe vullnetit për të ndryshuar rrugën plot zigzage të Shqipërisë gjatë tranzicionit. Çeshtja ka qenë dhe mbetet sesi fuqitë dhe kontributet e kësaj mase të stërmadhe shqiptarësh të përthithen sa më shumë që të jetë e mundur për t’i bërë edhe ata pjesë të projektit të Shqipërisë moderne.

Nuk mund të gjykojmë sot se çfarë vendi ze në turin e Ramës ky vizion madhor. Mujnd të supozojmë pa u gabuar që ai ka dashur të tërheqë vëmendje nga ngjarjet e brendshme në vend të dominuara nga hetimet e SPAK, që ka dashur gjithashtu të krijojë një paradigmë patriotike përballë krizës Beleri me Greqinë, që ka dashur të gjenerojë vëmeëndjen e diasporës drejt PS, një vit para zgjedhjeve parlamentare, duke futur edhe më shumë në krizë kundërshtarin politik të mbyllur në klaustrofobinë e rrugicës së Doktorit. Më në fund nuk është aspak e pavend të thuhet se Edi Rama po tenton të japë një provë force të fuqisë së tij politike edhe në qendrat e mëdha evropiane, në sytë e aleatëve dhe miqve të tij jo të paktë ndërkombëtarë.

E gjitha kjo lojë taktike me qitje të shkurtër duket se është pjesë e planit të tij politik dhe këtu s’ka ndonjë surprizë. Puna është të kuptojmë nëse piskama mbarëshqiptare e Edi Ramës ka brenda vetëm të tashmen, apo e hedh vështrimin e nga e ardhmja. Nëse është e para, xhiroja e tij evropiane për të takuar shqiptarët do të jetë një flakë që do të fiket brenda verës së ardhshme. Do të jetë një gjest i gjetur politik si shumë të tjerë në ditarin e tij politik, por jo diçka më tepër se kaq.

Por nëse Rama e shfrytëzon turin e tij në diasporë për të afishuar nevojën urgjente që Shqipëria ka për gjysmën e bijëve e bijave të tij nëpër botë, atëhere ai do ta ketë hapur më në fund vizionin e mbyllur 30 vjeçar të politikës shqiptare, i cili rëndom e hidhte vështrimin vetëm tek ata që kishin mbetur brenda vendit, pa marrë ende rrugët e kurbetit, pasi ata i duheshin ditën e zgjedhjeve.

Kjo që bën sot Edi Rama është një premisë për një erë të re në raportin deri më sot spontan dhe kaotik të Shqipërisë me gjysmën e banorëve të saj. Një raport që duhet ndërtuar si një listë politikash, aktesh konkrete ligjore, komunikimi e integrimi, që deri tani ka pasur si pikëmbështetje të vetme vullnetet personale, pa shtetin amë në mes. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëhet atdheu i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm toka ku zakonisht vihet për të kaluar pushimet e takuar gjyshërit.

Continue Reading

Shkrime

Përse i duhen Edi Ramës mitingje me shqiptarët nëpër disa qytete evropiane tani

Nga Artan Fuga

Për ç’arsye nuk po e kuptojnë në Shqipëri se përse kryeministri Edi Rama ka nevojë për mitingje nëpër qytete të ndryshme evropiane?

Duket vërtet si një mister. Në mos mister, duket si një gjë e pakuptueshme. Përse i duhen Edi Ramës mitingje me shqiptarë nëpër disa qytete evropiane tani?

Opozita e fut brenda përqasjes së vet prioritare. Por, nuk ka një shpjegim të qartë. Përpiqet t’a ulë rëndësinë e këtyre takimeve dhe kuptohet se nuk ka si bën ndryshe. Por, shpjegim se përse bëhen këto mitingje nuk ka.

Thuhet dhe jo pa bazë se janë qindra që udhëtojnë nga Shqipëria, militantë, të punësuar, patronazhistë, etj., që marrin pjesë në ato mitingje. Dakord. Por, nuk ka shpjegim se përse i duhet Edi Ramës të ngrejë njërëzit nga Shqipëria për të bërë takime nëpër Evropë kur mund t’i mbledhë ata ku të dojë, te Xhamlliku, te Oxhaku, te Vorri i Bomit, ku t’ja ketë qejfi! Shkojnë ata! Madje e njoftojnë edhe në rrjete sociale se po nisen me bukë me vete në miting!

Lidhet që me votën e emigrantëve? Hiç fare, hane 2025, hane qershori i 2024, aq më tepër se sikur edhe vetëm kohën të masësh, me kaq përgatitje sa janë bërë, as bëhet fjalë që emigrantët të votojnë! Por, kushedi!

Atëhere si shpjegohet që edhe analistët nuk e gjejnë dot arësyen por debatojnë për gjëra krejt sekondare, si p.sh, a ka njerëz nga Shqipëria apo jo nëpër ato mitingje!

Ky moskuptim ka një arësye se përse ndodh, dhe kjo arësye është se arësyeja e vërtetë nuk shihet dot nga Shqipëria, në fakt, nuk është një arsye por disa, flas për ato kryesore, që shpjegojnë se përse nxitohet tani për t’i nisur këto mitingje.

E para, nuk duhet harruar se në 9 qershor zhvillohen zgjedhjet për në parlamentin e Evropës. Klasa politike zjen nga tensionet, Evropa është në ethet e garës, më tepër sesa kaq segmentet e ndryshme të politikës evropiane madje po thonë se ka një ethe nëse në parlament do të shkojnë më tepër deputetë evropianistë apo deputetë të forcave nacionaliste që janë shprehur se duan ta shkërmoqin Evropën.

Edi Rama, me ambiciet e tij e kupton se pushteti në Shqipëri nuk luhet dhe ruhet me lojën politike nga Restorant Era afër RTSh te Kali i Skënderbeut; e kupton më mirë se kushdo nga klasa politike e sotme se pushteti në Shqipëri është një instrument që influencon dhe ndikohet përtej shteteve kombëtare sot. Koncepti i shtetit sovran në kuptimin absolut të fjalës ka përfunduar që me rënien e komunizmit.

Edhe në Athinë dhe në Milano ai luajti kartën e Bashkimit Evropian edhe duke ekzagjeruar rolin e Shqipërisë periferike që është si ai që edhe nuk e pranojnë në fshat, edhe dëshiron të marrë për grua vajzën e priftit. Por, ç’rëndësi ka realiteti, rëndësi ka propaganda.

Klasa politike në Evropë sot po mundohet të mbledhë çdo votë, sigurisht ka nevojë edhe për votën e çdo shqiptari që voton atje. Edi Rama kur u bën thirrje shqiptarëve për Evropën e Bashkuar, ndonëse nuk është se e ha shumë meraku nëse Shqipëria është apo jo brenda saj, sigurisht mbështet segmentet politike proevropiane në Evropë.

Me këtë ai tregon dy gjëra. E para, që ndikimi i tij mbi klasën politike evropiane i kalon kufijtë e ngushtë të Shqipërisë. E dyta që ai e zotëron këtë influencë. E ka apo nuk e ka në të vërtetë, kjo pak rëndësi ka. Kjo ka nevojë të matet. Rëndësi për të ka të tregojë se ai mbledh në mitingje, me flamuj shqiptarë, emigrantë nga vendi i tij, dhe u bën thirrje direkte ose me nënkuptim se atyre dhe Shqipërisë, si edhe qeverive aktuale evropiane, u intereson ruajtja e Bashkimit të Evropës.

Integrimi evropian i Shqipërisë, për çdo njeri që e njeh çështjet nga brenda, e di se është një tren i humbur dhe që nuk do të rikthehet në stacion veçse ndoshta pas shumë dekadash. Për të mos thënë se në botën e sotme është i pamundur.

Por edhe kjo pak rëndësi ka për folësin kryesor në këto mitingje. Ai po e luan kartën e tij për t’u perceptuar se është i vetmi politikan që mbledh dhe u flet për Evropën shqiptarëve në Evropë. Këtë ai ka nevojë ta perceptojë klasa politike në qeverisje në vende të ndryshme të Evropës!

Shqiptarët të votojnë si proevropianistë!

Edi Rama ka kuptuar gjithashtu edhe diçka tjetër, e cila nga Shqipëria, sidomos për politikën mbyllur brenda ose përreth bulevardit Dëshmorët e Kombit – Zogu i Parë, është vështirë të perceptohet. Ai e di se vota e emigrantëve shqiptarë është ndoshta e rëndësishme, por është e rëndësishme në vendet ku emigrantët jetojnë nëpër Evropë dhe jo edhe aq në Shqipëri. Në Shqipëri ai nuk do që t’i ngatërrohen nëpër këmbë, sikurse nuk besoj se i duan edhe shumë parti politike opozitare. Përse t’i shkartisin kot kartat!!!

Por vota e shqiptarit paska rëndësi në vendet evropiane ku ata jetojnë për zgjedhjet e brendshme atje, por edhe për politikat evropiane. Madje edhe po votuan për zgjedhjet në Shqipëri, emigrantët nuk do të votojnë nëse u bë ose jo ndonjë urë fshati. Aq u bën për këto vogëlima. Ata do të votojnë në funksion të marrëdhënieve të bashkëpunimit që forcat politike shqiptare realizojnë me qeveritë perëndimore. Aty luhen interesat e tyre për pensione, punësime, arsim në shqip, etj. Dhe Rama e ka kuptuar këtë duke u paraqitur si garanti i këtij bashkëpunimi, ndërkohë që segmentet e tjera të politikës shqiptare janë disa kilometra larg së kuptuari statusin dhe interesat e mirëfillta, disi të çuditshme të emigrantëve shqiptarë në Evropë.

Më tepër akoma, Edi Rama e ka kuptuar se ka mundësi që markës së tij t’i shtojë vlera përtej kufijve shumë të ngushtë të Shqipërisë. Ai dëshëron të bëjë atë që në marketing quhet “brand expand”. Pra, të perceptohet nga Amerika dhe Evropa se ai i konsideron shqiptarët si instrumente politike për të ndikuar forcat, pushtetet dhe qeverisjet jo vetëm në Ballkan, në Kosovë, (ku Kurti nuk i le asnjë hapësirë dhe merr mbi vete inate dhe presione), por edhe në Maqedoni (ku realisht nuk duket se pyesin për propagandën që vjen nga Shqipëria), por edhe më tej, pra që ka flukse votash që mund të orientojë edhe në Gjermani, Angli, (ku ka edhe zgjedhje), në Greqi, Itali, nesër pasnesër edhe në Boston a gjetiu.

A i ka vërtet këto influenca apo jo? Kjo është çështje krejt tjetër. Rëndësi ka që ai kërkon t’i ketë dhe edhe ato që ka kërkon t’i paraqesë se janë shumë më të fuqishme sesa janë realisht.

Por, ai e luan lojën, luan me “mass – gjeopolitikën” fuqishëm, kupton se gjeopolitika është më e rëndësishme shpesh sesa loja e brendshme politike, kupton se transferimi i influencave është për votat shqiptare në Evropë dhe jo për votat e emigrantëve shqiptarë – qytetarë evropianë – në Shqipëri, kupton se vullnetet elektorale luhen përtej, brenda dhe jashtë territorit të shtetit, e di se ato janë aksione që investohen sot, për të marrë interesat nesër.

Nuk ka rëndësi fare a është mirë a është keq. Gjykimi moral le të jepet nga moralistët. Por, nga pikëpamja e racionalitetit politik këto mitingje nuk janë thjesht propagandë boshe. Kush nuk e kupton e ka lënë jeta pas. Ato janë njëherësh edhe realitete të reja politike, edhe një lojë e re për të mbajtur pushtetin mbi shqiptarët në Shqipëri duke luajtur me vullnetin elektoral të shqiptarëve në Evropë.

Nuk përjashtoj që një ditë do të kemi të tilla mitingje edhe në kantone zviceriane, edhe në Bruksel, edhe në Boston, edhe gjetiu.

Continue Reading

OPINION

Vendimet e gjykatës si letra që s’thuhet

Nga Lutfi Dervishi

Dy raste flagrante!

Parlamenti shperfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni Pavarur i Kualifikimit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Apelit administrativ për të bërë transparent emrin e një sponsori të një aktiviteti!

E pamendueshme!

Njerëzit që vetojne faturat e prokurorëve dhe gjyqtarëve edhe të vitit 1991 jo vetëm nuk zbatojnë ligjin 119/2014 per te drejtën e informimit, por kanë guximin të mos zbatojnë vendimin e gjykatës!? Dhe gjykatës se reformuar prej tyre!

Çfarë ndodh kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave?

Themelet e sistemit juridik hidhen në erë dhe besimi publikut te gjykata kthehet në shaka.

1. Minohet sundimi ligjit

Moszbatimi i vendimeve gjyqësore dobëson sundimin e ligjit, pasi u lejon individëve, subjekteve, apo institucioneve të shpërfillin vendimet pa e vrarë mendjen. Për pasojë rritet paligjshmëria dhe mosndëshkimi. Kushdo bëhet “trim” duke shpërfillur ligjin. Dhe vjen dita dhe hapim gojën me guximin që kanë për të grabitur prona dhe fonde publike.

2. Humbja e besimit tek gjyqësori: Kur vendimet e gjykatës nuk respektohen, besimi publikut te gjykata shkon në zero.

3. Rritja e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve:

Vendimet e gjykatës që mbesin në letër shtojnë mosmarrëveshjet mes palëve në konflikt. Kjo situatë sjell konflikte të mëtejshme, juridike dhe sociale, pasi palët e dëmtuara i drejtohen mjeteve alternative për të zgjidhur hallin. Dhe pyesim pse janë rritur aktet e vetëgjyqësisë dhe referencat në Kanun.

4. Demokracia si farsë

Respektimi i vendimeve gjyqësore është thelbësor për ruajtjen e ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e kontrolleve dhe ekuilibrave brenda një sistemi demokratik. Kur vendimet e gjykatave shpërfillen, minohet parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe demokracia kthehet në parodi.

5. Ndikimet në investime dhe stabilitet ekonomik:

Zbatimi sipas dëshirës i vendimeve gjyqësore shkurajon investimet vendase dhe të huaja. Kush do të punojë dhe jetojë në një vend ku nuk sundon ligji?

Kur nuk zbatohen vendimet e gjykatës nuk ka më kuptim të flitet per shtet të se drejtes, por për xhungel.
Qershia mbi torte një ngjarje në polici:

Nje oficer policie fiton gjyqin në të dy shkallët e gjyqësorit për njohje e grades në bazë të karrieres. Me vendimin e gjykatës në dorë shkon te (ish) drejtori i përgjithshëm i policisë i cili pasi lexon vendimin në konfidencë i thotë:

“ke të drejtë, por kam vendosur të mos zbatoj asnjë vendim gjykatash për gradat”
Çfarë të thuash?

Mbetet të pyesim nëse ligjet janë për t’u zbatuar apo janë thjesht çështje interpretimi?

Continue Reading

OPINION

ANALIZË nga Preç Zogaj: Të zotët e punës kanë ardhur

Raportimi i fundit i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin Parlamentar të ligjeve është një fotografi kuptimplotë e arkitekturës së Republikës parlamentare. Ku pushteti legjislativ qëndron në majë. Aty japin llogari pushtetet e tjera. Kjo është hierarkia. Tjetër gjë pastaj se deputetët e listave të mbyllura nuk janë në lartësinë e templarëve të demokracisë.

Raportimi në fjalë ishte sakaq fotografia e stadit të ri të konsolidimit të SPAK; e sigurisë së moskthimit prapa. Ajo që mund të thuhet me plot gojën për hetimet e përfunduara apo në proces nga ky institucion është se të zotët e punës kanë ardhur, po punojnë, po shkojnë përpara pa ju rritur veshët prej lëvdatave të shumta, të shurdhër ndaj sirenave të politikës së vjetër, të vetëdijshëm për sfidat dhe misionin e çrrënjosjes së krimit dhe korrupsionit shumëvjeçar në sistem, të ndjeshëm e të përgjegjshëm përkundrejt pritshmërive dhe mbështetjes së madhe popullore e ndërkombëtare.

Kryetari Altin Domani i mishëron këto cilësi si i parë mes të barabartëve, por edhe si shembull për t’u ndjekur. Në paraqitjen e tij dinjitoze, korrekte dhe etike para deputetëve pamë të shkrirë në një integritetin e tij vetjak dhe fytyrën e gjithë ekipit të prokurorëve të SPAK; pamë reflektimin pa kapardisje të fuqisë madhore amerikane që qëndron fort në mbështetje të drejtësisë së re në përgjithësi dhe SPAK-ut e BKH-së në veçanti. Shqiptarët që presin si ujët e pakët fundin e xhunglës dhe pandëshkueshmërisë në vend këtë duan: një SPAK si një trup i vetëm; një BKH si një trup i vetëm. Një Amerikë që nuk i mungon asnjë çast premtimit.

Për tu kthyer te raportimi, deputetët e opozitës morën përgjigje institucionale për pyetjet e tyre. Pavarësisht se mund të mos i kenë bindur. Deputetët e shumicës gjithashtu, ku spikati përgjigjia për pyetjen nëse kishte nevojë për ndërhyrje të reja ligjore sa i takon funksionimit të SPAK dhe pavarësisë së tij. Pyetje e cila sillte jehonën e zërave, sprovave apo “nismave” të diskutuara në mjedise të shumicës qeveritare për të ndërhyrë në reformën në drejtësi, gjoja për ta bërë me të mirë, në të vërtetë për t’i ndalur hovin SPAK-ut, “Republikës së Prokurorëve”, siç është shprehur në mënyrë pezhorative kryeministri Rama. E gjithë kjo duke llogaritur “frymën e konsensusit” me grupin e Rithemelimit.

“Prokurorët e SPAK janë të pavarur e ndihen të pavarur”, u përgjigj i zoti i punës. “Këtë pavarësi ua ka garantuar ky Kuvend me ndryshimet Kushtetuese e Kornizën ligjore. Korniza ligjore aktuale na e gartanton pavarësinë institucionale”!

Kuptimi dhe nënkuptimi: S’ka nevojë për të futur duar që s’dihet ku ndalen.

Por Dumani shtroi para deputetëve disa shqetësime të tjera me rendësi publike, ku kërkohet angazhimi i drejtpërdrejtë i Kuvendit të Shqipërisë.
Një i tillë, në përmasat e skandalit, është ai i mosbashkëpunimit të institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Tendenca në rënie e denoncimeve dhe padive nga institucionet dhe agjencitë e zbatimit të ligjit ka shkuar në 40 përqind në krahasim me një vit më parë, raportoi Dumani. E dhëna është alarmante. Sa më shumë forcohet SPAK, aq më shumë struken e tërhiqen institucionet ku një ushtri të emëruarish marrin rrogat pikërisht për të luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë në ministri, në agjenci, në bashki, e tjerë e tjerë.
Një “enigmë” e re kjo që i shtohet asaj tjetrës sipas së cilës korrupsioni në piramidën e ekzekutivit në nivel qëndror dhe vendor ka njohur një “bum” pas fillimit nga puna të SPAK!

Është e logjikshme të mendohet se rojtarët me pagesë të zbatimit të ligjit në këto institucione rëndom bëjnë para për vete nga korrupsioni i të tjerëve, duke marrë pjesën përkundrejt symbylljes, shantazhit, fshehjes. Atyre u shkon shprehja e famshme e Monteskiesë kur për korruptimin e intitucioneve thotë “është helmuar vetë medikamenti”.

Deputetët nuk mund të rrinë si guakë përballë një dukurie të tillë. Parlamenti ka detyrimin të reagojë. Deputetët e komisionit të ligjeve dhe parlamenti duket të reagojnë, shpresojmë pozitivisht, edhe ndaj kërkesave të kreut të SPAK, siç është për shembull ajo e shtimit të hetuesve të BKH-së, një kërkesë që bëhet gjithnjë e më emergjente me rritjen e volumit të punës nga kjo zyrë. Apo shqetësimi që lidhet me mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre. Duke përjashtuar me ironi veten e tij, Dumani argumentoi domosdoshmërinë e zgjatjes së mandatit të tyre.
Për të gjitha këto ka një paketë propozimesh konkrete të depozituara në Kuvend nga grupi parlamentar i PD-së. Kjo paketë mund të shërbejë si një bazë për Parlamentin për të shtuar në të kërkesa të tjera të arsyeshme nga ato që paraqiti Dumani. Heshtja dhe mosreagimi janë joetike, të palejueshme, të dëmshme. Heshtja i bën fresk e jehonë korrupsionit.

Në mungesë të një reagimi pozitiv nga Kuvendi dhe qeveria, çështjen e statusit të prokurorëve dhe fuqizimit të burimeve njerësore e teknike të SPAK do të duhet ta zgjidhë me votë publiku i gjerë. Është shumë pozitive që shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë mbështesin SPAK dhe kanë besim në punën e tij. Kjo mbështetje është inkurajuese. Por nuk mjafton vetëm fjala. Shqipëria po përjeton një ngjarje të madhe, që në finalen e saj do të shënojë një histori të re që nuk e ka njohur vendi dhe demokracia jonë: historinë e sundimin e ligjit, historinë e “askush mbi ligjin”, historinë e daljes nga xhungla në demokracinë normale. Sado të vendosur të jenë prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH-së, suksesi i tyre kërkon bashkautorësinë e qytetarëve, si në një bashkudhëtim, ku qytetarët perveçse fjalën, të përdorin me zgjuarsi edhe votën për të mbrojtur e fuqizuar drejtësinë e re, i vetmi bekim për ta në periudhën që jetojmë.
Të zotët e punës kanë ardhur. Ata duhen mbështetur fort, hap pas hapi, deri në fund.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING