Connect with us

Lifestyle

A duhet të ushtrohemi kur nuk kemi fjetur gjumë mjaftueshëm?

Miliona njerëz në mbarë botën vuajnë nga cilësia e dobët e gjumit dhe shumë pyesin veten për marrëdhënien dhe kufijtë e lodhjes me stërvitjen. A duhet të ushtroheni, kur vuan nga mungesa e gjumit?

“Është padyshim një marrëdhënie e dyanshme”, shpjegon Dr. Phyllis Zee, drejtoreshë e Qendrës së Ritmit Circadian dhe Gjumit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Northwestern Feinberg në Çikago. “Ka prova të qarta që ushtrimet e rregullta përmirësojnë cilësinë e gjumit, ushtrimet e lehta në mëngjes, pasdite ose shumë herët në mbrëmje mund të përmirësojnë gjumin e thellë”, thotë Zee.

“Kërkimet kanë treguar se nëse flini më mirë, ka më shumë gjasa të jeni në gjendje të ushtroheni dhe nivelet e aktivitetit tuaj fizik do të jenë më të larta. Kështu që do të thoja që edhe nëse keni fjetur keq, duhet të vazhdoni aktivitetin tuaj fizik”- shton Zee.

Nevoja për gjumë të mirë

Për të qëndruar i shëndetshëm, trupi ka nevojë për katër fazat e gjumit, të cilat duhet t’i kalojë disa herë çdo natë. Gjatë fazës së parë dhe të dytë, trupi fillon të ngadalësohet. Në këtë mënyrë ai përgatitet për fazën e tretë – një gjumë të thellë me valë të ngadaltë, ku trupi fjalë për fjalë riparohet në nivelin qelizor, nga dëmtimi dhe konsumimi i ditës, dhe truri ruan kujtimet.

Gjumi REM, i karakterizuar nga lëvizja e shpejtë e syve, është faza e fundit, e katërt në të cilën ëndërrojmë. Studimet kanë treguar se mungesa e gjumit REM mund të çojë në probleme me kujtesën dhe performancë të dobët mendore, si dhe sëmundje të zemrës dhe të tjera kronike, madje edhe vdekje të parakohshme.

Përkundrazi, vite të tëra kërkimesh kanë zbuluar se gjumi, veçanërisht gjumi më i thellë, më rigjenerues, rrit funksionin e sistemit imunitar.

Meqenëse çdo cikël gjumi zgjat deri në 90 minuta, shumica e të rriturve kanë nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë të pandërprerë (sa më shumë të jetë e mundur), sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve . Mungesa e gjumit, së bashku me kohëzgjatjen e tij të parregullt, është lidhur me një rrezik në rritje të obezitetit, sëmundjeve të zemrës, demencës dhe çrregullimeve të humorit si ankthi dhe depresioni.

Advertisement