Aktualitet
Pashkët, besimtarët katolikë kremtojnë ngjalljen e Krishtit
Në mesnatë, besimtarët katolikë kremtuan ngjalljen e Krishtit.
Kjo është dita më e rëndësishme e kalendarit festiv për besimtarët katolikë, pasi simbolizon rilindjen e shpresës, forcon besimin te Zoti dhe njerëzit çlirohen nga mëkati.
Besimtarë të shumtë mbushën Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë, e cila drejtohet nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Arjan Dodaj.
Në fjalën e tij para besimtarëve Imzot Arjan Dodaj tha se mesazhi i Krishtit të ringjallur vjen në një moment kur bota ka më shumë nevojë.
‘Falë Krishtit jemi bërë më të fortë sesa nata. Sa shumë dëshirojmë ta ndezim këtë zjarr në natën e errët. Që nxiti korrupsionin, të largimit të të rinjve, dhunën ndaj grave. Sa dëshiroj të ndez një zjarr të ri që të mos kenë një utopi në familje, që të kenë sa më shumë fëmijë e të kenë një shtëpi. Gratë shikojnë tek varri te nxitura nga dashuria për zotin.
Zoti nuk është në varr, as në kujtesë, Zoti është para nesh e na prin me hirin e tij, të aftë që të rilindim. Edhe ne, duke rikujtuar pagëzimin tonë, ripërtërijmë reformat tona pagëzimore. Di, të rifilloj me gjeste shpresës sa themelore që sistemi i jetës politike, drejtësisë, shëndetit dhe arsimit të ketë vetëdijen që përgjegjësia s’është administrative dhe kushtetuese por ndërgjegje.
… Sa fisnike e delikate e kësaj përgjegjësie që ju ka besuar Zoti. Në këtë natë, dritës së vogël, por fitimtare i jemi bashkuar për të ndjekur Jezusin që na paraprin. Në vigjilent e pashkës përjetojmë shpërthimin e britmës plot gëzim se është mundur vdekja”, tha imzot Arjan Dodaj.
Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.
Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’! Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!
Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e pashkës ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I-rë e Petrit, Zbulesa 5:6). Atmosferën e Pashkës besimtarët e shprehin duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shpreh më shumë frymën e periudhës së Pashkës është përshëndetja “Krishti u ngjall” dhe si përgjigje ka “Vërtet u ngjall”.