Politike
Bamir Topi: Basha të reagojë sot, ose do jetë vonë
Partia Demokratike sot është e përçarë, por ish-presidenti Bamir Topi sheh një panoramë edhe më të zymtë pas zgjedhjeve të 14 majit, ku sipas tij atëherë do të tregohet gjendja e vërtetë. Në një rrëfim në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Topi është shprehur se aleanca mes Sali Berishës dhe Ilir Metës është për interesa personale që vetëm principe nuk ka.
“Koalicioni vetëm principe nuk ka, është koalicion puro politik për interesa specifike të këtyre dy personazheve të rëndësishme”, tha ai.
“Kisha pritur që Basha të ishte bërë i gjallë. Ku është? Ai mund të shfaqet nesër, çfarë vlerë ka. (…) Ajo situatë kaotike te PD zyrtare vjen edhe për shkak të mungesës së Bashës”, shtoi ish presidenti.
Nga ana tjetër, sulmet e Sali Berishës ndaj Yuri Kim, diplomates amerikane, për Topin janë të pritshme, pasi thekson se në memorien e tij politike, mban mend që ish kryeministri ka pasur marrëdhënie të dyfishtë me ta.
Fajtor, e bën edhe për faktin se përse në PD nuk ka emra të rinj që synojnë që të marrin drejtimin e partisë. Ai bën një krahasim, duke e quajtur Berishën “si agronomi që pret filizat e rinj të një peme”.
“Unë kam memorie të gjithë sjelljen e Berishës me ambasadorët amerikanë, ka qenë një sjellje e dyfishtë. Një sjellje atipike e një politikani të lartë që ndryshe të pret dhe ndryshe të përcjellë. Një sjellje që akumulon urrejtje”, tha Topi.
“Kemi një agronom që pret vetëm filizat e reja dhe lë të vjetrat dhe kështu pema tenton të thahet”, shtoi ai.
Për kryeministrin Edi Rama, Topi thotë se është i shqetësuar e për këtë jep argumentet e tij.
“Njeriu duhet të shqetësohet kur i merr të gjitha, kur s’ka opozitë, kur rruga i duket pa asnjë lloj pengese dhe ka shumë njerëz që e duartrokasin se ajo rrugë kur vendi ka mijëra probleme pa fund, tregon që ajo rrugë është qorrsokak dhe nuk të çon në asnjë vend. Pas zgjedhjeve do ketë probleme të forta, që kanë të bëjnë me funksionimin e shteti dhe demokracisë”, tha Topi.
Në fund, tha se një gjë e tillë do të ndryshonte me krijimin e një sistemi të ri të zgjedhjes, ku mund t’i jepet mundësia të rinjve për të konkurruar të lirë.