Shkrime
Kosova në KiE/ Le të hapet shampanja
Në vitin 2010-n, kur Kosova po priste të niste dialogun për liberalizimin e vizave, ish-Kryeministri Thaçi deklaronte se kishte konfirmim nga Brukseli se procesi s’do të zgjaste më shumë se 15 muaj. Por, do të duheshin gati 15 vjet që të merrej vendimi final. Kjo ndodhi dje në Parlamentin Evropian. Mes këtyre 15 vjetëve është një histori e gjatë e premtimeve, gënjeshtrave dhe shpresës për lëvizje të lirë, pritjeve pambarim para ambasadave, urimeve të panumërta të liberalizmit që s’po ndodhte.
Kosova është kampione e pritjes në rajon për t’i hequr regjimin e vizave për udhëtim në Zonën Schengen. Me gjasë ka pritur më shumë se edhe secili vend jashtë Europës që ka marrëveshje për lehtësira udhëtimi me BE’në. Për rreth 13 vjet, kosovarëve shumë herë u është premtuar, janë kushtëzuar e shumë herë edhe kanë festuar, duke besuar se po i vinte fundi këtij procesi.
Parlamenti Evropian miratoi dje vendimin për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, vendimi qe hyn ne fuqi më së largu pas 9 muajsh
Me këtë rast, Kosova thyen rekordin e pritjes për lëvizje të lirë në Evropë. Nga lansimi i dialogut për liberalizim, deri në heqjen e vizave, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur dy vjet. Shqipëria dhe Bosnja tri vjet, Moldavia katër vjet Gjeorgjia pesë vjet, Ukraina nëntë vjet, ndërsa Kosova 12 vjet.
Kishin kaluar 7 vjet prej kur liberalizimi pritej plot optimizëm se do të ndodhte, por 2017-a po niste me më pak shpresë.
Demarkacioni tashmë ishte kushti i patejkalueshëm për liberalizimin e vizave, të cilin Qeveria e përbërë prej LDK-së dhe PDK-së s’po arrinte ta miratonte.
Pas rreth tri vjetëve prej nënshkrimit të marrëveshjen, në 2018-ën kur demarkacioni u ratifikua në Kuvend dhe, kur pritej se tani më s’do të mund të kishte asnjë pengesë dhe se vizat do të hiqeshin, kjo nuk ndodhi. Thuhej se ishte humbur momentumi. Ndërkaq, akoma përmendej luftimi i korrupsionit si një nga kushtet.
Zyrtarë të BE-së, si Raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon, deklaronin se kosovarët meritonin që më në fund t’i hiqeshin vizat, por kjo nuk ndodhi në vitin 2018.
Me vone, ne vitet që pasuan, Kosova s’po mund t’i hiqte vizat për shkak të zhvillimeve brenda strukturave të Bashkimit Evropian.
Gjatë viteve të fundit, Kosova kishte hasur në pengesa edhe te vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, por ishin skeptike në lirinë e lëvizjes së kosovarëve.
Gjatë vitit 2020, Kosova do të përballej me skeptikët e Bashkimit Evropian si Franca dhe Holanda e me vone Spanja, e cila s’njeh as pavarësinë, as dokumentet e Kosovës.
Skeptikët u angazhuan që kosovarëve të mos u lejohej lëvizja e lirë në zonën Schengen, së paku deri sa të hyjë në funksion sistemi ETIAS.
Në nëntor të vitit 2022, ambasadorët e Bashkimit Evropian votuan pro liberalizimit. Më vonë pro heqjes së vizave u votua edhe në instanca të tjera. Per te ardhur te dita e djeshme, më 18 prill, kur dhe u votua në Parlamentin Evropian vendimi final.
Në Kosovë, u urua edhe njëherë liberalizimi, I fundit me besimin ne zot. Kryeministri Albin Kurti e cilesoi kete arritje si meritë të të gjithëve.
Me ne fund u kry…Le te hapet shampanja