Connect with us

Politike

‘Merr një krevat dhe fli në bashki’, Rama-Sakos: Me mua nuk i thoni gjërat siç i mendoni

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit e po ashtu kandidate për një mandat të dytë, Emirjana Sako ka qenë e ftuara e radhës e kryeministrit, Edi Rama në Podcastin e tij. Ajo ka treguar detaje nga fëmijëria e saj, jeta private, jeta si nënë dhe futja në politikë.

Sako, të cilës Rama i referohet si ‘kryebashkiakja e tërmetit’ ka zbuluar bisedën e parë me kreun e qeverisë kur mori postin në kohë pandemie dhe nuk mund të bënin aktivitete në terren por komunikonin përmes aplikacionit ‘Zoom’.

“Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”

INTERVISTA e plotë:

Edi Rama: Emirjana Sako,Kryetarja e Bashkisë së Durrësit me të cilën jemi takuar në rrethana të jashtëzakonshme, në kuadrin e një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në një komunikim të pazakonshëm. Të kujtohet?

Emiriana Sako: Po. S’besoj se do e harroj ndonjëherë. Fjalia me të cilën ne jemi takuar, kemi qenë në një mbledhje zoom sepse në kohën kur unë mora detyrën e këshillit bashkiak nuk ishte e mundur që të bënim aktivitete në terren prej pandemisë, pra dy sfida të mbivendosura tërmeti dhe pandemia dhe fjalia që ju më keni thënë është: “merr një krevat dhe fli në bashki tani”, që ishte për një person që sapo kishte marrë një detyrë, çfarë detyre në një moment shumë të vështirë të qytetit të Durrësit, ku përveç tërmetit ishte dhe pandemia. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Unë nuk kisha patur mundësi që të takohesha me ju më herët. Ndodhi në këtë mënyrë.

Edi Rama: Ti ke dalë në jetë, pra ke ardhur në jetë në momentin që unë isha duke dalë në jetë se kam qenë në studimet e larta kur ti ke lindur dhe ke lindur në Durrës. Çfarë mendove në sekondën e parë që linde?

Emiriana Sako: Kam lindur në Durrës në 1983 në nëntor edhe jam vajza e madhe e familjes. Kam dhe dy vëllezër të tjerë. Prindërit e mi janë njerëz të thjeshtë, pra bënin një punë, im atë në UMB pra në Uzinën Mekanike Bujqësore të Shkozetit, ndërsa nëna ime punonte në Telekom prej 32 vitesh, doli pastaj në asistencë në vitin 2007. Unë isha vajza e madhe e familjes si të thuash isha gëzimi i parë. Pas një viti lindi vëllai im dhe pas 10 vitesh me dëshirën për të pasur një vajzë tjetër lindi vëllai im tjetër. Kështu që kjo është familja ime. Ne jetonim në një apartament të vogël ku jetojnë dhe prindërit e mi sot bashkë me gjyshërit sepse ishim një familje nga ato klasiket ku jetonin tre brezat bashkë, siç ka qenë shumica e shqiptarëve. Ajo që mendoj shpeshherë kur shkoj atje, them si ka mundësi që kemi ndenjur 7 veta në 68 metër katror dhe kishim dhe hapësirë për të rezervuar një nga ambientet e quanim dhomë pritjeje ku nuk ulej asnjeri asnjëherë se gjoja priteshin njerëz që uleshin gjithmonë atje ku qëndronim ne më së shumti, por kjo mund të jetë një plagë social e mirëfilltë domethënë për t’u studiuar.

Edi Rama: Po, dhe dhomat e pritjes ishin dhe pjesa më e ftohtë e shtëpisë sepse qëndronte aty për të pritur njerëz, por njerëzit hynin në kuzhinë që të gjithë.

Emiriana Sako: Ekzakt!

Edi Rama: Çfarë kujton nga fëmijëria në Durrës dhe si të kujtohet sot fëmijëria me sytë e kryetares së bashkisë së Durrësit?

Emiriana Sako: Ok, e vështirë. Si fëmijë ajo që kujtoj gjithmonë që e krahasoj dhe me fëmijët e mi është që iknim në shkollë vetëm, pra pa na shoqëruar njeri. Në klasën e parë mbase më kanë shoqëruar prindërit pastaj në klasën e dytë që i bie 8 vjeçe, çantën në kurriz e kalo tre katër rrugë deri sa të arrish në shkollë. Kujtoj praktikisht rrugën e shkollës, nga Biblioteka deri te ish dentistët, shkolla “Dalip Tabaku” quhej atëherë, sot është “Jusuf Kuka”. Kujtoj, duke qenë se ime më punonte në Telekom shpeshherë shkoja dhe te puna e saj që bëja detyrat dhe lagjen e Kuminit, e cila nuk ka pasur një metamorfozë të madhe në krahasim me çfarë ka ndodhur në pjesën tjetër të qytetit të Durrësit. Dhe patjetër kujtoj rrugën e plazhit, të Currilave, pra nga shtëpia shkonim në këmbë nëpërmjet kodrës së Vilës, zbrisnim atje maloren për të arritur në plazh dhe kjo ishte një nder pjesët më të lumtura të fëmijërisë apo të një kujtese të një fëmije le të themi.

Edi Rama: Ti duhet të kesh qenë sidoqoftë e rritur mjaftueshëm edhe pse ende e vogël për të filmuar me sytë e kuriozitetit fëminor momentet e mëdha dramatike të ikjeve nga Durrësi. Kujton gjë?

Emiriana Sako: Po, patjetër. Mendoj që këto kujtime kanë mbetur aty për më shumë sesa 30 vite deri kur në 8 gusht të vitit 2021 ne patëm një aktivitet me qytetin e Barit, pra bashkia Durrës dhe bashkia e Barit, pati një aktivitet, i cili u bë dhe në Durrës dhe në Bari në kujtim të nisjes së anijes “Vlora”. Patëm ekspozita, takime dhe në ekspozita duke parë foto të ekspozitave mua më erdhi në kujtesë një pamje nga shtëpia ime dhe kujtoj që anijet që qëndronin në port nxinin nga njerëzit, por këtë gjë nuk kisha si ta kuptoja, nëse nuk po ndodhte diçka brenda shtëpisë time. Pra, kjo mund të ishte thjeshtë një pamje që humbte në sytë e një fëmije, por brenda shtëpisë time im atë bëhet gati që të niset për në Itali. Vishet, merr bukë me vete dhe priste një shokun e vet që të niseshin të dy. Në atë kohë gjyshja ime u alarmua sepse ne sigurisht ne e dinim që duhet të iknim, por jo pse duhet të iknim atje dhe nuk mund të iknim ne komplet si familje sepse ne ishim shumë të vegjël, unë dhe vëllai im, kështu që do nisej vetëm babai im. Ndërkohë gjyshja i lutej që “mos u nis, ke fëmije të vegjël, kush do kujdeset, babai jot është i paralizuar”, etj me radhë dhe këto e bënë atë që mos të nisej. Por ky diskutim brenda familjes shënoi, la një shenjë si të thuash në kujtesën time që në atë kohë isha 8 vjeçe. Nëse im atë do ishte nisur, besoj që nuk do ishim duke folur në këtë Podcast.

Edi Rama: Ndërkohë jeta të çoi në rrugën e arkitekturës. Pse?

Emiriana Sako: Unë kam pak dhunti për vizatim nga im atë sepse ai përveçse mekanik në UMB ka qenë dhe në institutin e projektimit nr. 6 që ka qenë në Durrës, pra ka qenë një nga institutet e projektimit të ushtrisë mesa kujtoj dhe ai kishte një prirje për vizatim, vizatim teknik etj dhe kishte një prirje inxhinierike. Kjo është trashëguar dhe tek unë dhe që në vitin e parë të gjimnazit, unë fillova të krijoja idenë e arkitekturës si formim. Duke qenë se në njëfarë mënyre e mora këtë vendim herët, u dedikova që të studioja dhe të fokusohesha më tepër në vizatim teknik, në vizatim të lirë, të gjitha llojet e grafikës le të themi plus në këto shkencat ekzakte, matematikë, fizik kam qenë mirë me mësime dhe këto bënë që të fokusohesha këtë 4 vjeçar të gjimnazit për të shkuar drejt konkursit vetëm në degën e Arkitekturës. Pra, nëqoftëse në kohën që unë konkurroja futeshin në konkurs në disa degë, pra këta që ishin mirë me mësime të paktën provonin mjekësi, inxhinieri, provonin disa degë, të cilat ishin të rëndësishme. Unë në fakt konkurrova vetëm në degën e arkitekturës dhe përfundova më tej studimet për të vazhduar të ushtroj profesionin tim

Edi Rama: Dhe vazhdove edhe me një shkollë apo specializim në Itali?

Emiriana Sako: Po, kam bërë 2002-2008 ka qenë formimi në fakultetin e Inxhinierisë së ndërtimit, dega e arkitekturës dhe më tej në 2011 pata mundësinë që të bëj një specializim në Romë po për këtë për housing një tematikë nga këto të energjetikës, në degën e arkitekturës ku fillova dhe njëfarë eksperience në një studio projektimi atje dhe me thënë të drejtën isha e dyzuar të qëndroja apo të kthehesha.

Edi Rama: Këtë doja të të pyes. Pse u ktheve?

Emiriana Sako: Atje duhet të merrja tre mjete që të shkoja në punë duhet të mbaja një laptop nja një orë në kurriz, domethënë do ndërroja dy autobusë dhe një metro që të arrija në këtë studio. Punoja gjithë ditën pa asnjë ditë pushimi për të bërë të njëjtën rrugë në kthim dhe sigurisht në Romë konkurrenca është shumë e madhe, është një qytet, i cili dhe studentët i vendos përpara një blloku sepse ka bukuri të rëndësishmë e të tjera me radhë. Ka shumë studio arkitekture. Ka një konkurencë të madhe. Kishte shumë arkitektë, të cilët punonin kamariera në qendër historike dhe ku fitonin shumë herë më tepër sesa të ushtronin profesionin dhe kjo më bëri që të mendoj që në Shqipëri kisha më shumë hapësira për të ushtruar profesionin tim dhe patjetër kisha më shumë hapësira për të punuar.

Edi Rama: Nuk më duket mua, por tani më përforcon këtë ide tregimi me sforcën fizike, që ti je një njeri që ke marrëdhënie të mira me sforcot fizike dhe fiskulturën në përgjithësi. Kështu më është dukur gjithmonë, por tani mu përforcua.

Emiriana Sako: Në fakt, pesha ime nuk e sfidon shumë gravitetin, le të themi, por unë nuk e duroj dot fiskulturën me thënë të drejtën, pra edhe në shkollë kam qenë e mirë te vizatimi gjithmonë, kam pasur qejf biologjinë, më pëlqente. Mbase ka qenë meritë edhe e mësueses. Kam pasur një mësuese shumë të mirë, të respektuar dhe ende i mbaj mend ato proceset e mejozës, mitozës dhe kromozomet e çuditshme, por lënda që nuk duroja dot dhe që çfarë nuk sajoja për ta shmangur ishte fiskultura. Në qoftë se zysha do na vinte të vraponim 50 metërshin, unë do kisha një argument që kam ndrydhur këmbën apo kam tërheqje muskulare, që nuk vrapoj dot e të tjera me radhë. Nuk isha shumë tip i shkathët nga ana fizike.

Edi Rama: Tani, vlera e këtij bashkëbisedimi duhet të jetë sipas meje, po nuk e di sa do ta realizoj në këtë eksperiencë të re që të thuhen gjërat pa e pasur mendjen tek ata që mund të dëgjojnë, pra si ballë për ballë, po këtu vështirësia prap mbetet sepse përgjithësisht ndjesia ime është që ju dhe ballë për ballë kur jeni me mua nuk i thoni gjërat siç i mendoni të gjitha dhe unë po provoj.Cili ka qenë momenti i parë i kontaktit tënd serioz ose më saktë kur ti ke menduar pa e menduar që do ishe vetë ndonjëherë pjesë e saj, por kur  ke menduar për politikën dhe çfarë ke menduar momentin e parë kur ke filluar të mendosh për politikën si një spektatore, qytetare, kalimtare?

Emiriana Sako: Dua ta filloj duke qenë e sinqertë që nuk kam pasur ambicie për të qenë kryetare bashkie.

Edi Rama:Jo, kjo dihet se nuk kishe ambicie që të çoi, të çoi tërmeti. Po këtu po pyes për diçka tjetër, përpara sesa të vijmë te drejtimi i bashkisë. Çfarë ke menduar për politikën? Domethënë ke menduar që është një punë e poshtër dhe?

Emiriana Sako: Më tepër indiferente sesa punë e poshtër. Pra, kam pasur një paragjykim, mendoj që është momenti tani edhe për të dhënë një model. Kur je i ri dhe të jepet një mundësi për të dhënë një model sa i takon politikës.

Edi Rama: Modeli është tjetër. Ti, për hir të së vërtetës po e bën atë pjesën tënde me modesti, me vullnet, me shumë ambicie që e menaxhon mirë që nuk e tregon haptas që e ke dhe me shumë përkushtim, por pa shkuar te modeli sepse është shumë interesant një fakt që unë kam parë shumë njerëz që nuk e kanë dashur fare politikën dhe e kur unë u jam afruar në përpjekjen që t’i afrohem në gjithë atë proces tanimë të gjatë të futjes së gjakut të ri në organizmin e Partisë Socialiste, e kam ndeshur në mënyrë të vazhdueshme refuzimin, por pastaj kam parë edhe sesi një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kthyer në pasionantë të asaj pune.

Prandaj të pyeta për raportin me politikën sepse fatkeqësisht shumëkush e mendon politikën si një punë të poshtër siç thashë dhe si një pisllëk, si një gjë, të cilës as nuk duhet t’i afrohesh, s’duhet t’i dëgjosh erën, s’duhet t’ia dëgjosh zërin, por ata që e mendojnë kështu, dhe janë shumica, e harrojnë që pa politikën s’do bëheshin kurrë gjërat që i kanë ndodhur njerëzimit dhe politika mund të jetë shumë e mirë, mund të jetë dhe shumë e keqe në varësi nga duart në të cilat bie dhe nga mënyra si përdoret, por mbi të gjitha sa më shumë njerëz të merren me të, aq më pak politika mund të merret me njerëzit në mënyrë të gabuar. Gjithësesi kthehemi te rrugëtimi yt dhe te pse-ja e përpjekjes tënde, por dhe dëshirës tënde për të vazhduar megjithëse në përgjithësi kam parë shumë njerëz që nuk duan të hyjnë në këtë valle, por ende nuk shkoj dot te gishti i dytë për të numëruar ata që duan të dalin nga kjo valle. Çfarë ke ndjerë dhe çfarë ndjen si kryetare e bashkisë së Durrësit në këtë proces? Pra, si ka evoluar ndjesia ndaj kësaj detyre dhe këtij roli në këtë periudhë?

Emiriana Sako: Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetje, doja të bëja një refleksion të asaj që kam ndier unë të paktën në këtë tre vjeçar për të qenurit pjesë ne politikë. Në përgjithësi, edhe nga të rinjtë që janë pritet mbase një lloj agresiviteti për t’u bërë i barabartë me atë medium që është në Shqipëri që të jesh politikan duhet të bësh debat, duhet të jesh i sherrosur gjithë kohës e të tjera me radhë dhe unë kam qenë e kundërta e kësaj sepse këtë formim kam edhe këtë natyrë kam. Në përgjithësi jam e fokusuar te puna dhe te raporti me njerëzit. Ajo është më e rëndësishmja për mua, por kur kam qenë në Komision Hetimor patëm një farë përplasje me grupin e komisionit dhe në fakt, unë isha… po të më shpoje nuk me dilte një pikë gjak në atë debat që patëm aty sepse më dukej i padrejtë. Më dukej i kërkuar sepse unë isha në një fushatë zgjedhore. Pra, më dukej si një mizanskenëtamam kështu më dukej. Ndërkohë, njerëzit më falenderonin, më thonin bravo për sjelljen, për qëndrimin, për përballjen që kisha bërë dhe nuk arrija t’i besoja syve se mua më dukej një gjë negative ajo që kishte ndodhur atje, ndërsa njerëzit e kërkonin këtë gjë mesa duket dhe kjo unë mendoj se duhet të ndryshojë sepse politika nuk bëhet vetëm nëpërmjet këtij debati kaq të fortë dhe shpesh herë shterpë, por bëhet nëpërmjet fakteve, qëndrimeve, nëpërmjet punës, e të tjera me rradhë siç bëhet në çdo profesion tjetër.

Edi Rama: Ky është zgjatimi në këtë fazën e dytë të jetës i asaj gjësë apo problematikës që ke pasur që e vogël me fiskulturën. Sforcimet ekstra nuk i do, por ndërkohë do të ishte, jo vetëm e kotë, por edhe dështim nga ana jonë sot që ta anashkalonim faktin se  Durrësi nuk është një qytet i thjeshtë. Komuniteti është një komunitet kompleks. Përgjithësisht, durrsakët janë njerëz që të japin ujë në bisht të lugës dhe nuk hyjnë tek ata pasionantët për të treguar ndjenjat e tyre apo mendimet e tyre, por bëjnë vlerësimet e tyre dhe pastaj në fund të sjellin faturën, ashtu sikundër, nga ana tjetër, është dhe goxha kompleks.

Tani, një person që, siç e the dhe vetë, nuk e sfidon shumë tokën me peshën që ka dhe gravitetin qëe mban, duke qëndruar në ekuilibër mes erërave që mund ta rrëzojnë nga momenti në moment, për shkak të kilogramëve të pakët dhe të një personi që nuk i do sherret, që nuk i do përplasjet, nuk e do as fiskulturën si ushtrim fizik, as fiskulturën si ushtrim gjuhësor, si e bën në këtë kompleksitet?

Emiriana Sako: Ka pasur momente që kam qenë në vështirësi sepse situata kur unë fillova detyrën ishe më e vështirë sesa e kisha menduar, por ajo që i kam thënë vetës është “Ani bëj punën sepse çdogjë do gjejë vendin e vet”. Kështu që, për mua, veriu i drejtimit është vetëm puna. Kjo pastaj është, pra duke bërë punën, ke mbështetjen e njerëzve.

Edi Rama: Sa përshtypje të bën presioni, presioni i opinionit, presioni i grupit të interesit, presioni i vendimmarrjeve që shpeshherë bëhen të vështira për arsye nga më të ndryshmet. Të lënë pa gjumë, për shembull?

Emiriana Sako: Po varet. Në qoftë se ka një presion të pabazuar, zero, pra një media apo një..pra që thonë fakte, të cilat unë jam shumë e qetë që nuk qëndrojnë. Presione nga grupet e interesit përpiqen që t’i dëgjoj se mbase ka grupe interesi, të cilët kanë të drejtë në atë që kërkojnë dhe përpiqem që të kem aftësinë e adaptimit të mendjes me zgjidhjet, pra të mos qëndroj kokëfortë në momente të caktuara ku realisht duhet marrë një vendim, i cili është për të mirën e të gjithëve, por të përpiqem të kem një mendje që adaptohet me zgjidhjet e reja.

 

Politike

Haklaj: Meta ndihmoi Gruevskin të arratisej, e shoqëroi me makinë në Malin e Zi…

Azgan Haklaj anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, tha se Ilir Meta ka ndihmuar ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski që të arratisej nga vendi.

‘Meta shoqëroi me makinë Gruveskin në Malin e Zi. Ka takuar Gruveskin, s’ka siguruar dot azil politik.’- tha Haklaj.

Nikola Gruevski, është dënuar me burg në Maqedoninë e Veriut, por është strehuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, në Hungari.

Continue Reading

Politike

Duka kundër Berisha-Metës për sulmet ndaj drejtësisë: I thonë SPAK-ut, ‘skap’

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka dalë kundër sulmeve që Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë ndaj SPAK-ut.

Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, i pyetur se si e gjykon punën e bërë nga SPAK deri më tani, ai u shpreh se nga ana e SPAK është punuar. Duka theksoi se ka ikur koha e pandëshkueshmërisë.

“Në fakt ka një ndryshim të madh drejtësia tani, me çfarë ka qenë më parë. Mirë që arritëm këtu, që asnjë të mos jetë i paprekshëm. Duhet që të shpejtohen në kohë dhe të mos kenë ndikim politik. Se dalin këta të opozitës që i thonë SPAK-ut, skap. Unë kam përshtypje pozitive, por duhet që të kemi durim.

Ne kemi ngjarje të kaluara që politikanët nuk kanë lënë gjë pa bërë, sikur e kanë pasur Shqipërinë të tyren, por kjo kohë ka ikur. Edhe Rama nëse ka bërë gjë se ka të lehtë, edhe mund ti dal. Sepse po shohim që në SPAK po shkojnë njerëz shumë të rëndësishëm. Kanë shkuar ministra, kryetar bashkish”, tha ai.

Teksa foli për zgjedhjet e ardhshme, ai tha se partitë e vogla e kanë të vështirë mbijetesën nëse nuk ka koalicione.

“Partitë duhet që të hyjë me identitetin e tyre në zgjedhje. Nëse nuk ka koalicione, atëherë partitë e vogla, do hyjnë me lista të hapura dhe mbijetesa është shumë e vështirë. Duhet që të kenë identitet partitë.

Ndër të tjera, Duka ka mbështetur propozimet e Lulzim Bashës për zgjedhoren.

“Basha ato tezat që ka nuk është se i ka gabim. Ne në tryeza kur jemi ulur kemi ngulur këmbë tek listat e hapura dhe vota e  emigrantëve”, tha ai.

I pyetur se nëse vulën e Partisë Demokratike e merr Lulzim Basha nga gjykata, ai do të shkoj nga grupimi i Bashën, Duka tha se nuk do të shkon nga shkon vula. Duka ka bërë thirrje për bashkim të opozitës në një grupim të madh.

“Unë nuk shkoj nga vula atje, ta ketë kush të dojë. Ne duhet që të bashkohemi në grupimin më të madh opozitar. Nuk shoh ndonjë frymë të re unë, nuk kam punë as me Bashën dhe as me Berishën”, tha ai.

A i takon një opsioni për të kandiduar i vetëm në zgjedhje, ai u shpreh se dëshira është, por sipas tij është e pamundur me këtë kod zgjedhor.

“Është kjo dëshira që ne të kandidojmë vetëm, por nuk dalim dot. Me këtë kod është e pamundur”

Continue Reading

Politike

‘Arsyet pse mbështeta VMRO’/ Meta: E vërteta e raportit tim me Gruevskin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një intervistë për ‘TV Shenja’ në Maqedoni ku ka treguar pse mbështeti VMRO gjatë zgjedhjeve dhe të vërtetën e raportit të tij me Gruevskin.

Meta shprehet se nuk ka ndërhyrë në garën midis partive shqiptare në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se ajo që ka vlerësuar tek VMRO, ishte qëndrimi më i qartë i saj, përsa i takon Ballkanit të Hapur, dhe një mbështetje shumë e qartë, për Procesin e Berlinit.

Përsa i takon zotit Gruevski, Meta tha se nuk ka pasur ndonjë raport të veçantë me të.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ekziston një dilemë tek ne, se përse, duke pasur partitë shqiptare, ju e përkrahni atë partinë maqedonase?

Ilir Meta: Së pari, unë nuk kam ndërhyrë aspak për sa i takon garës midis partive shqiptare. Këtë gjë nuk e kam bërë asnjëherë, dhe as  nuk kisha ndërmend të shprehja, ndonjë simpati në atë preferencën time, në garën midis partive politike maqedonase, apo partive të tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Por, natyrisht nuk mund të rrimë indeferentë, kur nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje të brendshme të politikës suaj, por kemi të bëjmë dhe me një zgjedhje, përsa i takon politikës rajonale.

Dhe, ajo që kam vlerësuar tek VMRO., që në një qëndrim më të qartë, përsa i takon Ballkanit të Hapur, dhe një mbështetje shumë e qartë, për Procesin e Berlinit.

Ndërkohë, që dihet nga ana tjetër, që ka pasur një qëndrim shumë miqësues në favor të Ballkanit të Hapur, me përjashtim të zotit Pendarovksi, Presidentin Pendarovski, i cili mendoj, ka mbajtur qëndrim shumë të drejtë, shumë parimor.

Dhe, unë kam vlerësimet më të mira për të, dhe për të gjithë historinë e tij mjaft  positive, për shumë çështje delicate.

Pyetje: Ka qenë vetëm Ballkani i Hapur, një nga arsyet që ju keni përkrahur, VRMO-DMNE, apo dhe keni ndonjë afërsi mes partisë suaj?

Ilir Meta: Kjo është arsyeja kryesore, se nuk kam pasur asnjë arsye të karakterit personal. Sepse duhet të jem shumë i sinqertë me ju, në raportet e mia dhe me zotin Cervenkovski kur ka qenë lider, kanë qenë të shkëlqyera.

Me zonjën Shekerinska kanë qenë të shkëlqyera. Me Vlado Buçskovksin mos gaboj, dhe ai SDM kanë qenë të shkëlqyera. Me të gjithë politikanët, e sidomos përfshirë Zaev, kam pasur marrëdhënie shumë të mira, dhe jam shumë falenderues për respektin që ai ka treguar ndaj meje.

Apo dhe me zotin Kovaçeskvi kur e kam takur ditën e parë si kryeministër, kam një përshtypje shumë të mirë, por Ballkani I Hapur në dëm të gjithë rajonit mendoj unë, e në mënyrë të veçantë në dëm të shqiptarëve.

E sidomos, synonte asgjësimin e  Kosovës.

Pyetje: Zoti Meta, megjithatë koha e Nikolla Gruevskit, konsiderohet si nga më të errëtat në Maqedoninë e Veriut. Ju dhe atë herë keni pasur një lloj afërsie me të. Udhëheqësia aktuale e VMRO-DMNE, a dallon nga ajo e kaluara?

Ilir Meta: Nuk është detyra ime të flas, për çështje që I takojnë të kaluarës, ato I gjykojnë qytetarët e Maqedonisë, dhe mendoj se ata kanë dhënë verdiktin e tyre, në një mënyrë plebishitare.

Përsa i takon zotit Gruevski, nuk kam pasur ndonjë raport të veçantë me të. Raportet e mia kanë qenë të shkëlqyera. Kur kam qenë Kryeministër, me zotin Ljubco Georgevski kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Derisa ndodhi pastaj situata e krizës në Maqedoni, dhe ai humbi atë ekuilibrin mendoj unë, sepse dhe kriza ishte shumë e rëndë.

Por, përsa I takon zotit Gruevski, periudha e tij ka qenë një nga periudhat më të errëta. Në një aspekt po. Unë mendoj se këtu problem kryesor ka qenë nepotizmi, dhe besimi me sa duket i tepruar, I një kushëriri, që nuk ka nevojë që t’ia përmend emrin.

Por, mua më ka bërë shumë përshtypje, në të gjitha takimet që kam pasur me Nikolla Gruevskin, si me asnjë politikan tjetër.

60 minuta bisedë me të, 55 minuta ishin për ekonominë, ishin për investimet e huaja, dhe për tërheqjen e turistëve. Dhe, mendoj se ka qenë një periudhë e ndritur për Maqedoninë, përsa  i takon klimës së biznesit, dhe përsa I takon tërheqjes së investimeve të huaja.

Sepse, nga vendin 94 që ishte në botë, arriti të jetë vendi i 10 në botë, dhe vendi i 5-të në Europë, pas vendeve të Europës Veriore. Dhe unë kam qenë që në vitin 2013, momentin që kemi bërë koalicionin me zotin Rama, kam vizituar vetë Shkupi 1 dhe Shkupi 2, dhe jam mahnitur, bëhet fjalë për para 11 vitesh.

Kam insistuar fort që, këto gjëra ne mund t’i bëjmë shumë lehtë në Durrës, mund ti bëjmë shumë lehtë në Fier që është buzë detit, apo në Vlorë, apo në Lezhë, kudo.

Sepse, kur Maqedonia e Veriut përdor faktin që është 200 e ca km. larg Durrësit, për të tërhequr investitorët e huaj. Përse ne që jemi në Durrës mos e bëjmë këtë gjë?

Por, nuk ka pasur asnjë vullnet nga zoti Rama, dhe nga qeveria e tij, apo Rilindjes, siç e quaj unë, për një gjë të tillë.

Për të shndërruar Shqipërinë në një vend që prodhon, në një fuqi eksportuese, siç praktikisht u realizua të jetë projekti i tij  për Maqedoninë, nëpërmjet Invest Maqedonia mos gaboj, që ka qenë një eksperiencë shumë e mirë.

Apo, programet e tij në fushën e bujqësisë, ku mbështetja për të erdhi në mënyrë progresive, dhe të pandalshme.

Pra, mendoj për çdo politikan duhet të vlerësojmë, atë që është arritur, dhe duhet të mësojmë nga gabimet që ai ka bërë, sikurse ne të gjithë bëjmë gabimet tona.

Përsa i takon udhëheqjes së re të Maqedonisë VRMO., unë mendoj që është një udhëheqje fantastike, është mjaft serioze, nga përvoja që unë kam pasur në komunikim me ta.

Janë shumë të drejtpërdrejtë, dhe janë po po, jo jo. Dhe unë besoj se ata, do të përmirësojnë ndjeshëm pozitën e Maqedonisë përsëri, sidomos përsa i takon klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Pyetje: Përmendëm, që zgjedhjet tashmë kanë përfunduar, dhe kanë filluar dhe negociatat mes VRMO. dhe DPMNE, dhe vlejnë. Ndërkohë fituese, tek pjesa  shqiptare në këto zgjedhje,  ishte Fronti Europian. Si e konsideroni anashkalimin e ligjimitetit shqiptar?

Ilir Meta: Shiko, nuk dua të hyj në këto çështje të brendshme të Maqedonisë. Unë jam I bindur në çdo rast, se shqiptarët do të jenë garancia për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë, që tashmë është anëtare e NATO-s.

Dhe për rrugën europiane që ka nevojë të marri një ritëm të ri. Dhe unë besoj shumë, se lidershipi I ri, i ka të gjitha kapacitet për ta përshpejtuar këtë rrugë europiane.

Continue Reading

Politike

Operacioni i SPAK/ Balla: Janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Madridi ka komentuar operacionin e SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Balla vlerësoi operacionin dhe tha se ka ardhur koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.

Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan Balla.

Continue Reading

Politike

Berisha: Operacioni i fundit i ‘Skrapit’ të partisë u dekonspirua 100%

Përmes një postimi në facebook, Ish kryeministri, Sali Berisha është shprehur në lidhje me operacionin e sotëm të SPAK-ut se operacioni i fundit i ‘Skrapit’ të partisë u dekonspirua 100%.

Postimi i Berishës:

Dekospirohet 100% operacioni i fundit i Skrapit të Partisë!

Të dashur miq, nga 50 urdhër-arreste të lëshuara nga Skrapi i Partisë mbrëmë, në operacionin e ndërmarrë nga Lezha në Vlorë arrestohen pasi u dorëzuan vetë, kriminelët Taulant Palla, Met Katrori, Altin Zumani dhe Alfred Greca.

Ata sapo morën njoftimin u dorëzuan.

Kurse 46 kriminel të tjerë mbasi ishin njoftuar, nuk u gjetën sepse ja kishin mbathur me kohë!
Sukses spektakolar! #sb

operacioni i fundit i ‘Skrapit’ të partisë u dekonspirua 100%

Continue Reading
Advertisement

TRENDING