Kosova
Tensionet në veri/ NATO në Kosovë për të garantuar stabilitetin
Gjeneralmajori italian Angelo Michele Ristuccia, është që nga tetori i vitit të kaluar në krye të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë. Një vend që ndodhet në një zonë që preket nga tensione të vazhdueshme.
Çfarë ka ndodhur këto muaj që kur jeni në krye të misionit?
Kanë qenë muaj të ngarkuar. Sepse përcaktimi nga institucionet në Kosovë i masave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në vitet 2011, 2016 dhe 2017 për lirinë e lëvizjes, siolli një përshkallëzim të fortë të tensioneve, sidomos në lidhje me konvertimin e targave.
Çfarë ndodhi në ato ditë?
Brenda pak ditësh, kryetarët e komunave, anëtarët e këshillave të qytetit, policët, gjyqtarët, prokurorët dhe nëpunësit civilë dhanë dorëheqjen, duke shkaktuar një paralizë të vërtetë institucionale dhe një vakum të rrezikshëm në menaxhimin dhe sigurinë e katër komunave në veri të vendit me shumicë serbe.
Por presioni i fortë diplomatik nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, i kombinuar me praninë e KFOR-it, bëri të mundur që në nëntor 2022 të arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku Serbia nuk do të lëshojë më targa me emrat e qyteteve të Kosovës, dhe Kosova do të shmangë veprimet e mëtejshme shtrënguese (gjoba dhe sekuestrim të makinave) në rastet e mos ri-regjistrimit të automjeteve me targat e saj.
Çfarë domethënie kanë këto ngjarje?
Ato kanë nxjerrë në pah se si çdo ekuilibër i rivendosur në fund të një momenti tensioni, rezulton të jetë gjithnjë e më i pasigurt se ai i mëparshmi. Sepse me fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet në funksion të zëvendësimit të zyrtarëve të larguar, në nëntor pati sërish tensione, të cilat i detyruan autoritetet vendore të shtyjnë zgjedhjet lokale për këtë muaj.
Ndërkohë, arrestimet e njëpasnjëshme të pjesëmarrësve të dyshuar në ato përplasje, shkaktuan protesta të serbëve të Kosovës, të cilat kulmuan me ngritjen e barrikadave përgjatë arterieve kryesore të 4 komunave veriore.
Si mund të interpretohen këto tensione të vazhdueshme?
Ato nuk përfaqësojnë natyrën e vërtetë të problemit. Përkundrazi janë simptomat më të perceptueshme të tij. Në fakt, ka një mosbesim themelor ndërmjet palëve që i kushtëzon perceptimet dhe marrjen e përgjegjësisë për vendime të përshtatshme për të realizuar një ndryshim real. Ka ende çështje të pazgjidhura që rrezikojnë të minojnë ndërtimin e një marrëdhënieje të orientuar drejt së ardhmes.
Si ka ndryshuar misioni i KFOR ndër vite?
KFOR-i gjendet këtu prej më shumë se 23 vjetësh. Më 12 qershor bëhen 24 vjet. Në vitin 1999, misioni përfshinte rreth 50.000 burra dhe gra nga vendet anëtare të NATO-s, partnerë dhe jo partnerë, nën një komandë të unifikuar. Synimet fillestare të KFOR-it ishin të pengote armiqësitë e reja, të krijonte një mjedis të qëndrueshëm, të siguronte rendin dhe sigurinë publike, të çmilitarizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të mbështeste përpjekjet humanitare ndërkombëtare dhe të koordinohej me misionet ndërkombëtare civile. Sot misioni ka rreth 3800 trupa. Pavarësisht këtij zvogëlimi, thelbi i mandatit nuk ka ndryshuar, dhe mbetet ai i garantimit të lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Tensionet ndërmjet popullatës serbe dhe asaj shqiptare ringjallen periodikisht. A ka rreziqe të një përshkallëzimi real?
Po. Janë ngjarjet e muajve të fundit, veprimet e njëanshme të ndërmarra nga palët, retorika e ashpër me qëllimin e vetëm për të provokuar audiencën e brendshme dhe për të prishur dialogun, pamundësia për të gjetur zgjidhje të favorshme dhe rreziku i llogaritjeve të gabuara.
Si ushtarak, jam i shqetësuar me përgatitjen e njësive të mia për t’u përballur me skenarin më të keq të mundshëm.
Megjithatë, besoj se përplasja e armatosur nuk është realisht në vullnetin dhe interesin e asnjërës nga palët. Marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër, e tregojnë fare mirë këtë. Edhe ftesat e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar tregojnë vullnetin e qartë të negociatorëve për t’i dhënë dialogut një hap vendimtar përpara.
A po i ndryshon në ndonjë mënyrë lufta në Ukrainë ekuilibrat brenda Kosovës?
Lufta në Ukrainë ka ndryshuar ekuilibrat botërorë, dhe ka prekur të gjithë Evropën. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, rrugëtimit historik dhe rrjetit të dendur të marrëdhënieve ndërkombëtare që ekzistojnë në këtë zonë, Kosova i nënshtrohet ndikimit të gjithçkaje që ndodh në çdo skaj të kontinentit.
Balkani ka qenë gjithmonë subjekt i konkurrencës intensive gjeopolitike, përpjekjeve konvergjente dhe interesave divergjente. Por tensionet e kaluara dhe ato të fundit, duhet t’i atribuohen faktorëve të ndryshëm lokalë dhe jo të shihen si rezultat i luftës në Ukrainë.
Siç e ka thënë në disa raste nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, NATO ka kohë që i kërkon Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor; edhe pse nuk duket se po ndodh rregullisht e kundërta.
Nëntorin e vitit të kaluar disa raporte të inteligjencës folën për praninë e një brigade të grupit mercenar Wagner në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. A është e vërtetë?
Në realitet nuk kemi asnjë provë që të vërtetojë një prani të tillë, edhe pse mediat lokale dhe narrativat partiake e përmendin vazhdimisht këtë, duke e shpjeguar këtë me konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Ne po ndjekim me kujdes çdo zhvillim, duke u kujdesur mbi të gjitha që të mos përjashtojmë nga vëmendja asnjë sinjal sado të dobët në këtë aspekt.
Muajin e fundit është folur për një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës brenda këtij viti, që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. A e shihni realisht konkrete këtë mundësi?
Procesi i paqes po kalon aktualisht një fazë delikate. Përpjekja e BE-së dhe SHBA-së synon të identifikojë një marrëveshje që kënaq të dyja palët. Komuniteti ndërkombëtar po investon një sasi të madhe burimesh në këtë proces. Takimi i fundit i mbajtur në Ohër më 18 mars i angazhon palët që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre, duke iu përmbajtur marrëveshjeve tashmë të dakorduara në të kaluarën. Qytetarët kanë nevojë për normalitet.
Jam i bindur se është në interesin e Beogradit dhe Prishtinës që ta shndërrojnë sfidën e diversitetit në një mundësi që e krijon vetëm dialogu. Në këtë kontekst, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij si ofruesi i sigurisë brenda perimetrit të kompetencës dhe legjitimitetit të shënuar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999.