Connect with us

Shkrime

Ikja e një “heroine të heshtur”

Për psikiatren e talentuar, Dr Iris Çarçani Rathwell, së ciles j’u ndërpre rrugëtimi para kohe.

Nga Prof. Arjan Gjonça

Është shumë e vështirë të shkruash pak radhë për një person që e ke njohur prej katër dekadash ndërkohe që ke një pafundësi gjërash që dëshëron të shkruash, aq më tepër, për një individ që ka arritur aq shumë në jetë në një përiudhë kaq të shkurtër. Bëhet fjalë për doktoreshë Iris Çarçani Rathwell, psikiatren e talentuar shqiptare që punonte në Institutin më të mirë të psikiatrisë në botë, në Spitalin Maudsley (King’s College) të Londrës. Irisi u nda nga jeta në një moshë të re, por arriti aq shumë sa do duheshin dy jetë të një profesionisti të arrinte ato që ajo kompletoi në tre dekada si psikiatre e specializuar në fushën e autizmit tek fëmijët.

E mbaj mënd si sot në 1981 kur filluam shkollën e mesme “Qemal Stafa”, së bashku me disa studentë të tjerë, të veçuar si grup, për arritjet në matematikë dhe shkencat egzakte. Të gjithë ne patëm rrugëtimet tona modeste, nderkohe qe Irisi kapi majat në çdo hap të jetës së saj.  Irisi përfundoi me medalje te artë shkollën e mesme; ishte një nga studentët më të mirë të gjeneratës sonë, dhe një nga shqiptarët e parë të integruar në sistemin shëndetësor të Britanisë së Madhe si  mjeke, e specializuar në psikiatrinë për fëmijë; bëhet fjalë për fillimet e viteve 90-të, kur jeta më dha fatin ta takoja përsëri në Londër. Posti i saj i fundit, si mjeku konsulent drejtues i gjithë Shërbimeve Kombëtare të Specializuara (CAMH) brënda Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) në Juglindje the Britanise se Madhe dhe në spitalin e Maudsley (SLAM), flet më shumë se gjithçka mund të shkruaj unë për të në këto rrjeshta.

Irisin e kam njohur në jetën e saj si profesioniste e talentuar, por edhe si shoqe e jashtëzakonshme. Mbas specializimit në psikiatri, Irisi arriti të bëhet konsulente primare në Institutin e Psikiatrisë në Maudsley, një ëndërr e shumë mjekëve të specializuar në këtë fushë në mbarë botën. Një njeri i talentuar që siç do ta përsdhkruanin kolegët e saj, por mbi të gjitha drejtuesja e departamentit të psikiatrisë së adoleshentëve dhe fëmijëve, në King’s College, Profesoresha Emily Simonoff, një nga psikiatrit më të njohur në fushën e autizmit në botë dhe kolege e Irisit, si një talent i jashtëzakonshëm, që arriti kaq shumë në një periudhë kohe të shkurtër, dhe që do i mungojë prikiatrisë për fëmijë në të ardhmen.

Të trajtosh fëmijët autistë nuk është gjë e lehtë, siç do të pohojnë të gjithë specialistët e fushës, por ajo që e bënte Irisin të veçantë është besimi që krijonte tek këta fëmijë, që ata mund ta ndryshonin jetën e tyre vetë. Një nga fëmijët që ajo ka trajtuar dhe që është në moshën e adoleshences, e shpjegoi më bukur se sa unë me këto rrjeshta: “Dr Irisi është një dhuratë e shenjtë për fëmijët si unë, e cila ndryshoi jetën time në shumë aspekte, por mbi të gjitha duke më dhënë mundesi të reja që nuk do ti kisha pasur kurrë”. Kjo ishte Irisi, një njeri shumë i dashur e profesionist që ‘dhuronte jetë të reja’ për një nga grupet më të marxhinalizuara të shoqërisë.

Irisi ishte një profesioniste e jashtëzakonshme, deri në perfeksionizëm. Kur punonim bashkë për një raport për shëndetin mendor, mbaj mënd që raporti ndërroi duar pesë herë, se ajo do të bënte vazhdimisht korrigjime edhe mbi atë që kishte shkruar vetë, dhe nuk do ishte asnjëherë e kënaqur me punën e saj; ‘mund ta bënim më mirë’, thoshte. Irisi kishte një kreativitet që pak njerëz e kanë apo e arrinë në jetë. Në dhjetë vitet e fundit arriti që me një grup të vogël kolegësh të ngrinte fonde dhe te krijojë një qëndër të ekselencës për fëmijët autistë me strukturë origjinale dhe protokolle të reja, të cilën fatkeqesisht nuk arriti ta inaguroje. Për këtë arritje, kolegët dhe vetë qëndra, do ti vendosin një memorial përkujtimor.

Irisi ishte, jo vetem një profesioniste e jashtëzakonshme, por edhe një njeri me kulturë shumë të gjërë, me të cilën mund të bisedoje për çdo gjë dhe në çdo fushë; me një shpirt krijues artistik që luante pianon në nivel profesional, siç do të thoshte edhe ajo vetë – një dashuri profesionalisht e humbur.

Midis shumë cilësive të saj, Irisi ishtë njeri me shpirt shumë të madh. Ajo ndihmonte këdo që kishte nevojë. Reflektonte mirësi dhe ishte bërë si një magnet i fuqishëm, ku shumë shqiptarë të fushës së saj mblidheshin, nga mirësia dhe dashuria që reflektonte ky njeri kaq human. Gjithmonë na kujtonte, me punën dhe fjalët e saj, që nuk duhet të jetonim vetëm për veten tonë, dhe se njerëzimi është më i madh se familjet tona. Vetëm fakti që në memorialin në kujtim të saj, midis profesorësh të mëdhenj dhe mjekësh të rinj nga Maudsley, ishin edhe tre psikologe shqiptare, me të cilat Irisi kishte bashkëpunuar, ndihmuar dhe inkurajuar në faza të ndryshme të karrierës së tyre.

Ky shpirt i madh human, nuk mund të mos kontribuonte në vendin saj, Shqipërinë, që e kishte edukuar dhe rritur, dhe që e donte pa kushte. Për vite me rradhë ndihmoi në krijimin e Qëndrës Shqiptare për Fëmijët (Autistë), me ekspertizën e saj, por edhe me logjistikën e siguruar nga vetë ajo. Punuam bashkë rreth një vit, për të krijuar një diplomë të përbashkët masteri shkencor në psikiatri, si bashkëpunim midis Universitetit të Mjeksisë së Tiranës dhe Institutit të Psikiatrisë në Londër. Megjithë përpjekjet tona (por më shumë të sajat), ky projekt nuk u realizua si rezultat i burokracisë shtetërore. Por ajo nuk u mërzit, dhe më thoshte, ‘jepu kohë të ndryshojnë dhe do e kërkojnë vetë këtë gjë’.

Kur mendoja të shkruaja këto rrjeshta, mëndja gjithmonë më shkonte tek fjalët ‘hero i heshtur’, që kanë të njëjtin kuptin si në shqip edhe në anglisht. Në një periudhë kohe, ku jo vetëm në Shqiperi, por kudo në botë mungojnë modelet për te ndjekur në jetë, Iris Çarçani Rathwell është një heroinë e heshtur, që ka frymëzuar shpesh herë autorin e këtyre rreshtave, por jo vetëm atë.

Advertisement