Rajon
6 vjet nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ja çfarë ndodhi
Sot mbushen gjashtë vjet nga shpërthimi i dhunës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet mend si “e enjtja e përgjakshme”.
Opinioni ende nuk e ka të qartë skemën e organizimit të dhunës ditën e 27 prillit të 2017, kur turmat e protestuesve ishin tubuar para dyerve të Kuvendit, dhe që gjatë orëve të mbrëmjes kishte shpërthyer dhuna, duke hapur dyert e këtij institucioni dhe duke depërtuar përbrenda ambienteve të institucionit legjislativ, përcjell INA.
Gjithë kjo bëhej nën ombrellën e të ashtuquajturës iniciativë qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, ndërsa në krye të protestave ishin edhe eksponentë të pushtetit të asaj kohe nga radhët e VMRO-DPMNE, një pjesë e të cilëve u akuzuan si organizatorë të skenarit. Lidhur me dhunën që ishte fatale ndaj deputetëve brenda ambienteve të Kuvendit, sidomos ndaj ish-kreut dhe deputetit të ASH-së, Ziadin Sela u dënuan mbi 30 veta, një pjesë e të cilëve për veprën terrorizëm dhe kërcënim dhe dhunim të rendit kushtetues. Ndërkohë, sot opozita aktuale e udhëhequr nga VMRO-DPMNE insiston për një amnisti për të gjithë të burgosurit për këtë ngjarje.
Çfarë ndodhi më 27 prill 2017?
Atë ditë gjithçka kishte nisur pasi që ishte caktuar dhe po mbahej seanca e Kuvendit të përbërjes së re të dalur nga zgjedhjet parlamentare, ku ishte arritur një marrëveshje koalicionimi midis LSDM, BDI, ASH dhe që duhej që deputeti Talat Xhaferi të zgjidhej kryetar i Kuvendit.
Para godinës së Parlamentit ishin tubuar mijëra protestues të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, e që ishte dita e 60-të e këtyre protestave me thirrjet kundër të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”, që sipas tyre ishte arritur në Tiranë nga partitë shqiptare me kryeministrin Edi Rama. Protestuesit po ashtu kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kryetari i asaj kohe i LSDM-së Zoran Zaev në orën 14:00 kërkon respektim të Rregullores dhe të kalohet në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se ka shumicë të re parlamentare me 69 deputetë.
Në orën 18:00 kryesuesi Trajko Veljanovski e ndërpret vazhdimin e 20-të të seancës konstitutive të Kuvendit, por deputetët mbeten në sallën plenare dhe shumica e re parlamentare zgjodhi deputetin e BDI-së Talat Xhaferi kryetar të ri të Kuvendit.
Në orën 18:30 në sallën për media deputetët përgatiten për konferencën për media të Zoran Zaevit dhe Talat Xhaferit, meqë katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe pas një dekade shteti u bë me shumicë të re në pushtet.
Përderisa zgjatë konferenca për media e Talat Xhaferit në monitorët deputetët dhe gazetarët shikojnë se si një turmë qytetarësh depërton rrethojën mbrojtëse të kordonit policor dhe vjen deri te dyert e Kuvendit. Derisa flet Zaevi, turma tashmë hyn në Kuvend dhe sigurimi i mbyll dyert e sallës për media, përcjell INA.
Por më pas turma arrin që të shpërthejë derën e sallës së mediave dhe të sulmojë për dy orë deputetët e partive të koalicionit mes të cilëve ishin kryeministri i asaj kohe Zoran Zaev, kryeparlamentari i sapozgjedhur Talat Xhaferi, kryetari dhe deputeti i ASH-së, Ziadin Sela dhe deputet të tjerë, të cilët ishin në qendër të sulmeve. Por më fatale ishte kapja e Selës nga persona të caktuar nga turma, të cilët e rrahën barbarisht duke konsideruar më pas se është i vdekur.
Por nga ana tjetër, mbi 100 persona, përfshirë Zaevin, Xhaferin dhe deputetë përfundojnë në spital, ndërsa më kritike ishte gjendja e deputetit Ziadin Sela.
Dënimi i përgjithshëm me burg prej 211 viteve për 16 të akuzuarit për “Të enjten e përgjakshme”
Procesi gjyqësor për 27 prillin e përgjakshëm filloi më 22 gusht të vitit 2018 dhe është njëri prej më të mëdhave në historinë më të re të Maqedonisë së Veriut.
Fillimisht procesi nisi kundër gjithsej 33 personave, prej të cilëve 31 persona për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy persona për nxitje. Por, pas miratimit të Ligjit për amnisti u amnistuan 15 persona. Në përputhje me Ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, amnistia nuk ka të bëjë me organizatorët, personat që kanë ushtruar dhunë fizike, të cilët kanë mbajtur armë, si dhe personat zyrtarë që i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.
Mendim pozitiv lidhur me kërkesat për amnisti, morën pesë deputetët – Mukoski, Arnaudov, Vasilevski, Tarçullovski dhe Dimovski, organizatorët e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski, të punësuarit në Kabinetin e kryeparlamentarit të atëhershëm, Ivan Cvetanovski dhe Elena Docevska-Bozhinovska, vëllezërit Mlladenovski, të cilët të parët shpalosën detaje për organizimin e së enjtes së përgjakshme dhe Zaharij Simovski, Ilija Sllavevski dhe Mitre Pitropovski nga shoqatat patriotike.
Këshilli gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, i kryesuar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska më 15 mars u shqiptoi dënim të përgjithshëm me burg prej 211 vjet 16 të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, ndërsa Igor Durllovskin e liroi nga aktakuza.
Mitko Çavkov mori dënimin më të lartë prej 18 vjet, Mitko Peshov 15, Dushko Llazarov 15, Goran Gjoshevski – Levi – 15, Oliver Popovski– 13, Oliver Radullov 10, Munir Pepiq– 15, Abdulfeta Alimi– 7, Mlladen Dodevski– 12, Jane Çento 15, Goran Angellovski– 12, Igor Jug – 12, Vllatko Trajkovski– 15, Vilijam Mihajllovski– 14, Nikollo Mitrovski – Koljo-15 dhe Aleksandar Vasilevski– 8 vjet.
Dhunuesit në burg, organizatorët në liri
Derisa dhunuesit janë në burg, megithatë organizatorët e akuzuar për skenarin e dhunshëm ende nuk janë dënuar për shkak të zvarritjes së proceseve gjyqësore.
Gjykata e Apelit në fillim të këtij muaji riktheu për rigjykim dosjen e personave të akuzuar dhe të shpallur fajtor si organizatorë, të cilët janë: ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski dhe ish-shefi i shërbimit sekret DSK, Vlladimir Atanasov.
Gjykata e Apelit pretendon se Gjykata Penale është dashur ta shqyrtojë në masë më të madhe çështjen e dispozitave që kanë të bëjnë me amnistinë e ndjekjes penale.
Ndryshe, më 26 korrik të vitit 2021, Gjykata Penale e Shkupit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe i ka dënuar me gjithsej 25 vjet burg, edhe atë:
Trajko Veljanovski (ish kryetar i Kuvendit) – 6 vjet e 6 muaj
Mile Janakieski (ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve) – 6 vjet e 3 muaj
Spiro Ristoski (ish ministri i Arsimit dhe Shkencës) – 6 vjet e 3 muaj
Vlladimir Atanasov (ish drejtor i Policisë Sekrete) – 6 vjet burg
Në hetim fillimisht u përfshi edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari i inteligjencës Nikolla Boshkovski por procedura për ta u ndal derisa të viheshin në dispozicion të organeve. Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Çka i parapriu 27 prillit, gjitha skenaret ?
Ngjarjes së 27 prillit të 2017 i paraprinë shumë skenare dhe zhvillime politike. VMRO-DPMNE atëkohë që kishte kapur gjitha institucione kishte fituar zgjedhjet e 2016 me 51 deputetë, 2 deputetë më shumë se koalicioni i LSDM i prirë nga Zoran Zaev.
Në fillim të janarit të 2017, ish-kryeministri Nikolla Gruevski sërish mori mandantin nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov për formimin e Qeverisë. Por, pas më shumë se tre javë negociata, VMRO-DPMNE-ja me BDI-në që ishte fituese në kampin shqiptar, nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë. Në këtë rast, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepet mundësi LSDM-së që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet.
Gjithçka nisi nga kjo lëvizje politike, e cila çoi tek e enjtja e përgjakshme. Fillimisht presidenti Ivanov po zvarriste procedurën për ti dhënë mandatin Zaevit për formimin e Qeverisë, por pas presionit ndërkombëtar dhe kushtetutës së vendit, gjërat po shkon në disfavor të tij dhe partisë VMRO-DPMNE. Ivanov bazohej në pretendimet e tij se Zaevit nuk mundet t’i jepej mandati pasi që i njëjti e ka pranuar “Platformën e Tiranës” (Deklaratën e përbashkët e partive politike shqiptare) dhe me këtë do të vendoset dygjuhësi në Maqedoni.
Derisa opinioni i gjerë merrej me çështjen e mandatit, në Shkup dhe mbarë Maqedoninë nën organizimin dhe udhëheqjen eksponentëve të VMRO-DPMNE-së mbaheshin protesta me përmbajtje nacionaliste, albanofobe dhe anti-evropiane.
Në këtë periudhë është paraqitur dhe organizata e ashtuquajtur qytetare “Tvrdokorni” e cila më vonë u shndërrua në iniciativë “Për Maqedoni të përbashkët”, pjesëtarët e së cilës nëpër rrugët e Shkupit dhe Maqedonisë kërkonin “Maqedoni të pastër etnike”.
Në ndërkohë, edhe pse mandatin nuk e kishte në duar Zaevi, ai filloi bisedimet me partitë shqiptare, ndërkaq më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar, por që faktor kyç dhe vendimtar sa i përket numrave ishte Aleanca për Shqiptarët e prirë nga Ziadin Sela, që vendosi ti bashkohej koalicionit qeverisës./ INA