Shkrime
Kosovë – Serbi/ Dështim i garantuar
Sipas Timothy Less, marrëveshja e panënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u quajt historike, nuk ekziston. Serbia nuk i pranon pikat kyçe të planit të BE-së dhe ish-diplomati britanik vëren se presidenti serb, Aleksandar Vuçic ka bashkëpunuar “vetëm sipërfaqësisht” në dialogu me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa për të përfituar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, plani i BE-së ka gjasa të dështojë dhe ai ka një parashikim se si do të përfundojë Kosova në gjithë këtë proces.
Serbia të hënën votoi kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe në Prishtinë e denoncuan këtë veprim si shkelje të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të arritur në shkurt dhe mars në Bruksel dhe Ohër.
Ish-diplomatin britanik, Timothy Less nuk eshte befasur nga e gjitha kjo. Sipas tij, s’ka marrëveshje pasi Serbia nuk ka nënshkruar asgjë. Less thotë se presidenti serb, në dy takimet e fundit me kryeministrin e Kosovës, “ka bashkëpunuar sipërfaqësisht” për të përfituar nga ky proces krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Është e vërtetë se qëndrimi i Serbisë në Këshillin e Europës shkel kërkesën që ajo te pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen, sepse nuk ekziston asnjë marrëveshje për t’u shkelur. Presidenti Vuçiq dhe të tjerët në Beograd kanë thënë vazhdimisht se nuk i pranojnë elementet kyçe të planit të BE-së, përfshirë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe ai qartazi nuk ka nënshkruar asgjë”, tha Less.
Sipas tij, “Gjithçka që mund të thuhet është se Vuçiq ka bashkëpunuar sipërfaqësisht me procesin e negociatave, me sa duket për te shmangur kostot e paraqitjes jobashkëpunuese dhe me shpresën se BE-ja dhe SHBA-ja do t’i bëjnë presion Kosovës për te krijuar një Bashkësi të Komunave Serbe”, theksoi Less. Por kjo sipas tij “nuk do të thotë se Serbia e ka pranuar planin dhe sugjerimet për të kundërtën janë kryesisht të spikatura nga BE-ja, e cila dëshiron ta përfundojë dramën e Kosovës dhe ta neutralizojë ndikimin rus në Ballkan”.
Studiuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it thotë se “plani i BE-së ka gjasa të dështojë, si dhe përpjekjet e mëparshme për ta zgjidhur çështjen e Kosovës me negociata”.
“…Dhe ngjarjet në Këshillin e Europës duket se vetëm e konfirmojnë këtë”, tha Less.
Nga këndvështrimi i Kosovës, Less thotë se “Serbia ka vepruar me keqbesim duke refuzuar ta respektojë të drejtën e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe do te shtrojë pyetjen se pse Kosova duhet t’i bëjë lëshim Serbisë për çështjen e autonomisë së serbëve”
Nga këndvështrimi i Serbisë, ai thotë se “vendimi është një akt i keqbesimit nga europianët, të cilët kanë dështuar ta respektojnë qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe në vend të kësaj e kanë çuar atë një hap më afër pavarësisë së plotë, pavarësisht refuzimit të Prishtinës për ta respektuar detyrimin e saj për ta krijuar Bashkësinë e Komunave Serbe”. Në këtë aspekt, Less thotë se “ngjarjet në Këshillin e Europës i kanë armiqësuar të dyja palët dhe kanë penguar çdo perspektivë për një rezultat të negociuar”.
Këtu, ish diplomati thotë se përfshihen edhe një varg zhvillimesh në politikën globale. Në fund të gjithë kësaj, Less beson se “Kosova do të jetë e pavarur nga Serbia ose e bashkuar me Shqipërinë”.