Connect with us

Aktualitet

Shpejt do kemi Ferrarin shqiptar/ Sipërmarrësja rrëfehet për Ramën

Sipërmarrësja Arjeta Puca ka rrëfyer për kryeministrin Edi Rama të gjithë rrugëtimin e saj nga fëmijëria, emigrimi në Turqi dhe më pas kthimi në Shqipëri ku edhe zotëron një biznes të suksesshëm. Arjeta ishte 30 vjeç kur vendosi të kthehej në Shqipëri dhe prej disa vitesh merret me prodhimin e ambulancave.

“Thashë unë do kthehem dhe njëherë mendova që mund t’i shes mjetet qe i kemi tek kompania turke, por pas dy vitesh më doli një projekt ambulancash dhe punuam me një kompani dhe ajo kompani e la në mes projektin po fatkeqësia u bë fat për mua dhe mësova si bëhet ambulanca se edhe vetë jam inxhiniere.

Edhe fillova të bëja ambulancat se klientët vinin me kërkesa prapë me ambulanca, pas ambulancës erdhën më kërkesa makina të tipit policie, berberhane, më projekte të çuditshme dhe me të gjitha thoja po, i studioja. Bashkëpunoj me specialistët, kështu që fillova të prodhoj. Është edhe punë iniciative”, thotë ajo.

Arjeta tregon se ka jetuar edhe në Gjermani dhe Japoni por lumturinë e ka gjetur në vendin në Shqipëri. E pyetur nga kryeministri Rama se çfarë iu thotë njerëzve që mendojnë se në këtë vend nuk mund të jetohet, Arjeta u shpreh se përgjigjen ua jep duke treguar historinë e jetës së saj.

“Unë i them, i tregoj këtë pjesën time sepse unë sa herë përcjell njerëzit nga Shqipëria jam shumë e lumtur që nuk jam ajo që ik më se kam 5 vjet që jetoj këtu, jam tepër e lumtur dhe i tregoj që me të vërtetë nuk është fushë me lule se unë kam jetuar dhe në Japoni, edhe në Gjermani që janë vende të zhvilluara. Gjithashtu, kam parë dhe shumë shtete të tjera, secili ka problemet e veta, nuk ka ndonjë shtet pa probleme. Unë për vete, personalisht, lumturinë që kam gjetur në Shqipëri nuk e kam gjetur në asnjë shtet, se nuk është thjeshtë një gjë, janë shumë gjera që ty të bëjnë të lumtur”, tha ajo.

Biseda e plotë:

Kryeministri Edi Rama: Sot kam një të ftuar, të cilën për turpin tim e kam njohur vetëm pak ditë apo pak më shumë se një javë më parë dhe e cila është një shembull frymëzues nga ata, që realisht në momentin e parë, të lënë pa frymë dhe pastaj të ndihmojnë të shohësh të vërtetën e thjeshtë se cilido që sheh një ëndërr me sy hapur dhe që ka kurajën, vullnetin, durimin, e mbi të gjitha shpirtin e sakrificës për ta realizuar, nuk ndalet.

Personazhi i sotëm është Arjeta Puca. Një personash me një kompleksitet të jashtëzakonshëm, por që ta them qysh në fillim para se të hyjmë në botën e personazhit, është vajza shqiptare që bashkë me vajzat e tjera edhe më të vogla se sa ajo, prodhon makina.

Prodhon makina diku afër këtu, në të dalë të Tiranës dhe makinat e saj shkojnë për urgjencën, për të plagosurit e luftës në Ukrainë, shkojnë për urgjencën spitalore apo Urgjencën Kombëtare Shqiptare, shkojnë për Forcat e Armatosura, shkojnë për zjarrfikëse. Mund ta them lajmin e fundit apo është sekret akoma?

-Arjeta Puca: Si të doni.

Kryeministri Edi Rama: Që së fundmi edhe një garë të Kombeve të Bashkuara në Serbi për 8 zjarrfikëse, e ka fituar vajza shqiptare që prodhon makina, e cila jetën nuk e ka filluar me timon, por me doreza boksi.

Arjeta Puca: Po. Dorezat e boksit kanë qenë para 10 vitesh që fillova me boksin. Kam pak a shumë 6 vjet që ushtroj pjesën e boksit.

Kryeministri Edi Rama: Ah, ke 6 vjet që ushtron pjesën e boksit?

Arjeta Puca: Po.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e ke filluar boksin që 6 vjeç?

Arjeta Puca: Jo, jo.

Kryeministri Edi Rama: Atëherë shkojmë më tutje para se të vijmë të boksi. Me 15 fjalë, kush është Arjeta?

Arjeta Puca: Arjeta është një vajzë shqiptare, që e do vendin. Arjeta është një vajzë feministe, Arjeta është një vajzë rebele, është një vajzë punëtore, është një vajzë që e do familjen..

Kryeministri Edi Rama: E cila ka lindur në..

Arjeta Puca: në Bulqizë.

Kryeministri Edi Rama: Bulqizë. Pastaj?

Arjeta Puca: Pastaj kam ikur në Turqi me familjen time dhe kemi emigruar në ‘91. Kam qenë 4 vjeç dhe kemi ndenjur pak a shumë njëherë 5 vjet pa u kthyer fare në Shqipëri dhe ka qenë e vështirë në fakt sepse në 5 vjet nuk kemi parë asnjë kushëri, asnjë njeri tonin, nuk dëgjonim gjuhën tonë dhe ishim një familje e izoluar në Turqi vetë, 4 veta dhe vazhdimisht duke punuar.

Kryeministri Edi Rama: Sa vjeç ishe?

Arjeta Puca: Unë kam qenë 4 vjeç. Edhe deri në 9 vjeç s’e kam parë Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama: Pastaj?

Arjeta Puca: Pastaj jemi kthyer për pushime në ‘96-ën dhe ishte një ndjesi shumë e bukur dhe kur erdha në Shqipëri, thosha: kur do vijë ajo ditë që do kthehem në Shqipëri dhe do jetoj vazhdimisht aty. Po kjo zgjati pastaj.

Kryeministri Edi Rama: Pastaj në Bundesligë?

Arjeta Puca: Po, unë kam punuar në Gjermani dhe kur punoja në Gjermani desha të merrem me një sport ndryshe edhe aty regjistrova në futboll amerikan dhe aty po luaja “quarterback” në Bundesligë, në Stuttgart, një vit e ca.

Kryeministri Edi Rama: Pastaj rrugës kur po ktheheshe për në shtëpi gjete një motor..

Arjeta Puca: Kohë Covidi kur isha këtu në Shqipëri po shkoja me biçikletë tek puna dhe vazhdimisht kur kaloja me biçikletë pashë një dyqan motorësh dhe e kam pasur ëndërr përherë motorin dhe thashë: “Tani është koha për të marrë motorin”, kështu që u futa në dyqan motorësh dhe thashë dua të blej motor. Dhe pronari aty tha “Di të përdorësh motor?’

I thashë jo. Më tha “Shko mëso një herë motorin, merr patentën dhe pastaj hajde”.

Shkova mësova e mora patentën edhe e nisa me motorin dhe aq shumë e pëlqeva dhe kam udhëtuar në shumë vende. Kam ikur në Afrikë, në Amerikën e Jugut, së fundi kam qenë në Marok, duke bërë solo trip me motor. Gjithashtu më pëlqen dhe motori në mal kështu që jam regjistruar edhe në garën Rally Albania sivjet.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë ku ka përplasje…

Arjeta Puca: Është e vërtetë, po.

Kryeministri Edi Rama: Futboll amerikan, motor, përplasje me erën, deri në pikën ku gjërat shkojnë në fije..

Arjeta Puca: Shumë e vërtetë.

Kryeministri Edi Rama: Pastaj boksi.

Arjeta Puca: Po. Dhe boksi. Po më shumë nga këto më pëlqen motori.

Kryeministri Edi Rama: Po boksi pse, çne?

Arjeta Puca: Thjesht më pëlqente domethënë.

Kryeministri Edi Rama: Kam një ndjesi, ta them?

Arjeta Puca: Po.

Kryeministri Edi Rama: Që boksin e ke filluar për kur ke marrë inat shumë një djalë, që o nuk të ndahej dhe ti nuk doje të të afrohej o e afrove shumë dhe pastaj rezultoi që ai s’duhet të rrinte me ty. Nuk e di, ka ndonjë lidhje me ndonjë djalë, boksi?

Arjeta Puca: Jo, nuk ka lidhje me një djalë.

Kryeministri Edi Rama: E sigurtë?

Arjeta Puca: Shumë e sigurtë.

Kryeministri Edi Rama: Po pse atëherë?

Arjeta Puca: Thjesht më pëlqeu si sport. E provova dhe kur e provova, më shijoi kështu që thjesht më pëlqente dhe kam bërë më shumë si kickbox, më pëlqente kickbox-i, më pëlqente mundja.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë me grushte, me shqelma, me të gjitha ë?

Arjeta Puca: Po

Kryeministri Edi Rama: Ok, tani të vijmë tek pjesa që lidhet me atë që ti bën sot, si filloi pasioni për makinat dhe për zhvillimin e sistemeve për të ndërtuar makina?

Arjeta Puca: Në fakt, kjo ka shumë kohë se unë jam nga një familje me dy vajza dhe unë jam vajza e vogël, kështu që babai im mua më ka rritur për çun, le të themi, edhe babai im ka qenë usta hidrauliku kur ishim në Turqi dhe çdo fundjavë më merrte mua te puna dhe unë kur shkoja të dyqani ku punonte ai, shikoja mjetet, pjesët hidraulike dhe madje po bënte dhe shaka, se më pëlqente shumë vaji hidraulik, si erë domethënë, dhe kështu mu fut pasioni i mjeteve. Pastaj edhe vetë babai hapi një dyqan me gjithë mamin. Nga mësues muzike, usta hidraulik dhe pastaj hapi dyqanin, më lanë të dy punën pas 15 vjetësh emigrim dhe pas universitetit, unë punoja aty. Kështu që vazhdimisht isha me makina dhe më pëlqente pjesa e makinave, tej mase shumë.

Kryeministri Edi Rama: Dhe pastaj?

Arjeta Puca: Dhe pastaj çdo vit ne thonim që do ktheheshim një ditë në Shqipëri dhe kështu për gati 25 vjet. Dhe pashë që mami e babi nuk merrnin dot vendimin. Unë thashë, u bë si rreth vicioz dhe fiks kur bëra 30 vjeç, bëra ditëlindjen dhe u ktheva në Shqipëri.

Thashë unë do kthehem dhe njëherë mendova që mund t’i shes mjetet qe i kemi tek kompania turke, por pas dy vitesh më doli një projekt ambulancash dhe punuam me një kompani dhe ajo kompani e la në mes projektin po fatkeqësia u bë fat për mua dhe mësova si bëhet ambulanca se edhe vetë jam inxhiniere. Edhe fillova të bëja ambulancat se klientët vinin me kërkesa prapë me ambulanca, pas ambulancës erdhën më kërkesa makina të tipit policie, berberhane, më projekte të çuditshme dhe me të gjitha thoja po, i studioja. Bashkëpunoj me specialistët, kështu që fillova të prodhoj. Është edhe punë iniciative.

Kryeministri Edi Rama: Po përpara kësaj, studiove për inxhinieri dhe ke punuar

Arjeta Puca: Kam punuar në Bosch në Gjermani dhe Bosch në Japoni dhe aty kam punuar prapë me mjetet. Në Gjermani kam bërë pjesën e display-t të makinave. Kam bërë disa softëare për ndjekjen e makinave. Në Japoni kam punuar për Electric Control Unit të mjeteve.

Kryeministri Edi Rama: Kur erdhe në Shqipëri dhe vendose të hapësh derën e një fabrike, çfarë mendimesh kundër kësaj kishe në kokën tënde ose rreth e rrotull që të thoshin mendimin ose mendimet rreth e rrotull që si do shkojë kjo punë?

Arjeta Puca: Mua shumë herë kur kam ardhur në fillim në Shqipëri ma kanë thënë: të gjithë njerëzit do të thonë që nuk bëhet. Dhe unë e mora si me shaka dhe po që ditën e parë që ika te noterja, hapa kompaninë, më tha “Bravo, por nuk do të ecë puna” dhe u çudita, mu duk me të vërtetë si shaka.

Këtu më shumë ishte kjo pjesa, vazhdimisht më pyesnin pse u ktheve, nuk ka për ecur. Dhe kur dëgjonin që kam qenë dhe në Gjermani “Pse nuk i bëre letrat në Gjermani, por erdhe në Shqipëri? Unë thoja “Unë kam kompani këtu, ju thoni të shkoj në Gjermani dhe të punoj punonjëse, nuk e kuptoj logjikën”. Vazhdimisht këto pyetje dhe isha vërtet e befasuar. Kishte disa pyetje që preferonin që të kesh kompaninë tënde, të jesh te shteti jot, por të ikësh të punosh në Gjermani për shembull. Më dukeshin shumë të çuditshme, por që po e ndryshoj mendimin e atyre se e shikojnë që është më mirë të rrish këtu dhe të bësh një gjë.

Kryeministri Edi Rama: Po pastaj për të gjetur të tjerët rreth teje që krijove stafin, more punonjësit sepse pjesa tjetër që mua më la pa fjalë ishte që në fabrikën tënde nuk shikoje punonjës me barrën e jetës mbi supe, burra me duart me kallo, por shikoje ca vajza që dukeshin si flutura.

Arjeta Puca: Ju kam thënë atë ditë në fakt, si kompani kam dy ide, dy filozofi. Njëra është të kontribuojmë për vendin, e dyta është mbështetja e gocave. Dhe këtë e mendova, mbështetja mund të bëhet më shumë, jo duke dhënë peshk, por duke mësuar sesi kapet peshku. Dhe kështu që, bashkëpunoj shumë me shkollat profesionale. Sidomos me shkollën “Gjergj Canco”. Dhe nga aty tek pjesa elektrike vazhdimisht punoj me gocat, këtë e kam parë në fakt dhe në shtete të tjera, në Amerikë apo në Japoni që te pjesa teknike i përdorin shumë fuqinë punëtore të vajzave. Janë dhe më detajiste, e bëjnë punën dhe më të pastër. Gjithashtu edhe bashkohet dhe me filozofinë time në punë. Kështu që bashkëpunojmë shumë me vajzat dhe duam ta bëjmë më shumë pjesën që të marrin pjesë tek saldimi, torno, t’i kemi të gjitha vajza aty.

Kryeministri Edi Rama: Diskriminim total për djemtë ë?

Arjeta Puca: Jo, nuk është diskriminim. Unë mendoj që vajzat tona do të shohin gjerat që disa punë që janë dominuar nga meshkujt nuk janë ndonjë shkencë e madhe që të dominohen nga ata, mund të dominohen dhe nga vajzat me shumë sukses.

Kryeministri Edi Rama: Në gjithë këtë që përshkrove rreziku është që të duket sikur jeta jote kaq qenë një fushë me lule. Ke bërë futboll amerikan, ke shëtitur me motor gjithë botën, ke bërë boks me grushte e me shkelma, je bërë pronare e një kompanie, prodhon, shet edhe gjithçka shkon në rregull. Por me siguri ka pasur momente kur grushtet nga jeta i ke ngrënë ti.

Arjeta Puca: Nuk ka qenë fare fushë me lule dhe akoma nuk mendoj që është. Por normalisht që po e bëjmë aq sa duhet. E para e punës të jesh në emigrim është hall më vete dhe kjo. Kur kam qenë në Turqi, duke punuar unë vazhdimisht nga shkolla kam ikur, duke punuar deri në 3 të natës. Kështu që, kam qenë vazhdimisht me sakrifica. Edhe verës kur kam bërë këto punët, të gjithë kur kanë qenë në plazhe, unë kam qenë duke bërë praktikë, gati asnjëherë s’kam bërë pushime. Gjithë jeta ime ka qenë punë, në fakt. Dhe në Shqipëri kur erdha, imagjinoni kam qenë 30 vjeçe. Nuk e dija shqipen gati fare dhe s’kisha asnjë shoqe. Isha komplet e izoluar, vetëm edhe po mundohem të bëj biznes, netëork, të krijoj gjëra të reja, të mësoj gjuhën. Të gjitha këto dy-tre vjet ka qenë shumë e vështirë vetëm. Gjithashtu edhe pjesa 2020 për mua ka qenë tmerrësisht e vështirë.

Kryeministri Edi Rama: Covidi?

Arjeta Puca- Po, Covidi. Se isha me kompani që kisha me qira dhe pastaj disa punë mu anuluan edhe kisha dhe specialiste që i kisha jashtë, që deshën të bëjnë dhe ato punën dhe ngeca jashtë mase shumë, por brenda disa muajsh, duke punuar fort arrita që brenda 1-2 vitesh atë kapanon që kisha me qira, ta blej. Kështu që, mendoj që kur punon shumë, me sakrificat e duhura, mund të arrish të bësh gjëra të bukura, të lejon kjo pjesa.

Kryeministri Edi Rama: Po nga të vjen kjo forca e karakterit nga babi apo nga nëna?

Arjeta Puca: Mendoj të dy. Kanë kaluar një jetë të vështirë kur e mendoj dhe Turqia ka qenë, imagjinoni 5 vjet pa familje, pa asgjë, vetëm pa asnjë njeri, pa asnjë mbështetje dhe nëqoftëse ngeleshe pa lekë, s’kishte kush të të ndihmonte, nuk ishte ajo teknologjia që kemi tani.

Mendoj nga ata më vjen dhe përherë i shoh si shembull. I kam parë dhe kur kanë hapur kompaninë ata, të dy i lanë punët, ne sapo kishim filluar universitetin, ishte një guxim i paparë. Për mua ishte një shembull dhe thashë: edhe unë do e marr këtë si guxim. Dhe e kam parë këtë, që në jetë nuk të mjafton thjeshtë të jesh i aftë apo të kesh gjëra të tjera, duhet të kesh guxim që të ndryshosh gjërat në jetën tende. Dhe unë po përpiqem të kem përherë, vazhdimisht guxim dhe sfidoj veten edhe në sport dhe në biznes.

Kryeministri Edi Rama: Nëse do bëje një krahasim se ti ke parë gjithë botën praktikisht, përtej faktit që është vendi jot. Çfarë të pëlqen nga Shqipëria veçanërisht?

Arjeta Puca: Mua më shumë më pëlqen natyra në fakt edhe unë, nuk e di, kur jam në Shqipëri, kur zbres nga avioni më jep atë ndjesinë e lumturisë. Natyra, njerëzit, koha, mendoj e gjitha, jemi një vend shumë i bekuar. Më pëlqen jashtë mase shumë. Unë me Shqipërinë jam dashuruar.

Kryeministri Edi Rama: Po atyre që thonë “Në Shqipëri nuk jetohet, në Shqipëri nuk ka bukë, në Shqipëri duhet ik një orë e më parë, Shqipëria është e mbaruar, s’ka asnjë shans. Çfarë i thua ti?

Arjeta Puca: Unë i them, i tregoj këtë pjesën time sepse unë sa herë përcjell njerëzit nga Shqipëria jam shumë e lumtur që nuk jam ajo që ik më se kam 5 vjet që jetoj këtu, jam tepër e lumtur dhe i tregoj që me të vërtetë nuk është fushë me lule se unë kam jetuar dhe në Japoni, edhe në Gjermani që janë vende të zhvilluara. Gjithashtu, kam parë dhe shumë shtete të tjera, secili ka problemet e veta, nuk ka ndonjë shtet pa probleme. Unë për vete, personalisht, lumturinë që kam gjetur në Shqipëri nuk e kam gjetur në asnjë shtet, se nuk është thjeshtë një gjë, janë shumë gjera që ty të bëjnë të lumtur.

Kryeministri Edi Rama: Ajo që duhet unë ta nënvizoj dhe dua ta nënvizoj, me inat do ta nënvizoj, është që ndër të tjera, ti je dhe shembulli i një suksesi pas asnjë përkrahje specifike.

Unë ekzistencën tënde e kam marrë vesh, për turpin tim, para 10 ditësh ndoshta. Nuk më rezulton që në të gjithë rrugën tënde deri këtu, ti të kesh pasur ndonjë përkrahje politike, ti nuk ke asnjë interes për partitë, ti nuk ke asnjë lidhje të natyrës “Më jep, të jap” me asnjë parti, me partinë në pushtet, me zyrtarë etj. Ndërkohë që, këtu është zakon të thuhet “Këtu çajnë vetëm ata që…”. Nuk ke asnjë, babain e ke në Turqi, nënën e ke në Turqi, familjarët e tjerë nuk i ke as ministra, as deputetë, as drejtorë. Pra, ti ke provuar që ke arritur deri këtu vetëm me forcat e tua, me talentin tënd dhe me durimin tënd dhe përderisa ti ke arritur deri këtu nuk besoj se shteti apo zyrat e shtetit të janë bërë pengesë, ta kanë bërë jetën të pamundur, të kanë bërë të thuash “Ik se me këta nuk rrihet se këta vijnë tek dera, të vënë gjoba, më kërkojnë lekë”, apo jo?

Arjeta Puca: Këtë doja te thoja si shembull se në fillimet e kompanisë nuk kam bërë marketing sepse këtë koment më bënë “Do vijnë, do të ngacmojnë, do të shqetësojnë” dhe pastaj, pas 2 vitesh thashë “Nuk është e mundur të mos i bëj marketing kompanisë për këto arsye”. Fillova të bëj marketing dhe nuk ka ardhur askush, nuk më kanë ngacmuar dhe kur më pyesin njerëzit “Si ka qenë kjo situatë, se bëre marketing, a të ndodhi problem?”, unë i them “E kam kompaninë tani gati po bëhet 6 vjet, sado që 3 vjet është funksionale dhe nuk më ka ardhur asnjëherë dhe nuk kemi pasur asnjë shqetësim”. Kjo është eksperienca ime personale.

Kryeministri Edi Rama: Ti bën dhe shumë ndërveprime me doganat?

Arjeta Puca: Po, jashtë mase shumë sepse ne eksport-import bëjmë vazhdimisht.

Kryeministri Edi Rama: Si të gjitha kompanitë nuk ke pasur asnjë problem me doganat e me tatimet?

Arjeta Puca: Asnjë problem se tatimet unë i paguaj, kështu që… Asnjëherë nuk kam pasur asnjë problem.

Kryeministri Edi Rama: Normale. Ankohen ata që nuk duan t’i paguajnë ose që i kapin pa paguar, edhe pse duhet thënë që ka dhe probleme, që të mos e bëjmë fushë me lule se nuk është fushë me lule. Tjetra që do kisha shumë dëshirë të dëgjoja, se është dhe natyra e kësaj bisede, një episod që ti e ke, të gjithë kemi episode me prindërit, uroj t’i kesh sa më gjatë. Unë, për fat të keq, mundem vetëm t’i thërras përmes kujtesës, por të gjithë kemi episode. Një episod me babain dhe një me nënën, se unë besoj që babain duhet ta kesh shumë mbështetje dhe shumë burim kurajoje.

Arjeta Puca: Babai është personi që nuk më ka rritur me delikatesë, që fëmijë. Kur më mësoi biçikletën, për shembull, thjesht më shtyu dhe kjo ka qenë edhe në gjithë jetën time sesi më ka trajtuar babi, nuk më ka trajtuar asnjëherë si princeshë, por si njeri normal dhe kjo më ka ndihmuar shumë për rritjen time.

Kryeministri Edi Rama: Si djalë, domethënë. Si djali i munguar.

Arjeta Puca: Edhe kjo mund të jetë, por ky ka qenë fati im më i madh sepse përherë më ka marrë, për shembull, në kompanitë që ka punuar, tek kamioni, tek makina; më ka mësuar makinën që sa u bëra 17 vjeç, 18 vjeç. Këto kanë qenë kujtimet e mia me babin. Gjithmonë më ka dhënë atë që më duhen dhe më ka thënë gjithmonë “Arjeta, çdo gjë të fal, por po nuk mësove, nuk të fal”. Kjo është gjëja që kam nga babi.

Nga mami kam pasur gjithmonë dashurinë dhe gjithashtu dhe ajo ka shumë kurajo dhe gjithmonë që i them “Të iki në Japoni?”, “Ik” thotë ose “Të marr motor?”, “Të shkon shumë, merr motor” se babi është pak më shumë “Mos merr motor” se është e rrezikshme dhe nuk e ka qejf babi pjesën e motorit, ndërsa mami më thotë “Të shkon shumë motori, vazhdo me motorin”.

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë që, ajo që më bëri përshtypje është që e nënvizove se je feministe. Shpjegoje pak.

Arjeta Puca: Feminizmi im filloi që e vogël që ju thashë, jam familje me dy vajza dhe gjithmonë e kam ndjerë veten sikur do i tregoja babit që të mos i mungojë ai djalë se mund t’i bëj unë ato që nuk i ka djali. Gjërat që i bënte një djalë, i bëja unë; shkoja shikonim futboll, lyeja shtëpinë, rregulloja gjërat në shtëpi, bëra inxhinierinë, gjëra që të mos ta ndjente këtë gjë, por këtu e pashë që vajzat mund të bëjnë gjëra që gjykohen sikur janë djem dhe këtu më ka dalë kjo ndjesia që t’i bëjmë të barabarta gjëra. Më falni për shqipen por disa herë…

Kryeministri Edi Rama: Shqipja jote është shumë e ëmbël sepse në shqipen tënde ka një tingëllim që më kujton një nga fjalimet audio të Fan Nolit, një shqipe si gurgulluese që vjen nga shumë larg dhe ka njëkohësisht një kthjelltësi që lidhet me mendjen e kthjellët, kështu që, kush të thotë “Mëso shqip” është e sigurt që nuk di shqip ose kujton që di shqip. Keni bërë një prodhim për “Berberin Lëvizës”. Është prodhim i juaj?

Arjeta Puca: Po, ishte një ide që erdhi nga dy djem nga Vlora dhe thanë “Ne duam të bëjmë një berberhane të lëvizshme” dhe mu duk vetja si në këto filmat amerikane dhe thonë që duan të bëjnë këto gjëra dhe unë e mora atë karakterin e filmit amerikan dhe thashë “E bëjmë”. Filluam ta prodhojmë, i thashë që nuk kam bërë ndonjëherë berberhane të lëvizshme, kështu që mund të dalin probleme rrugës, por që do t’i rregullojmë. Ata ishin shumë okej sepse kishin dëshirë ta provonin. Kështu që, filluam ta bëjmë dhe doli një produkt shumë interesant. Tani kur shkoj në Vlorë i takoj Çimin dhe Cenin dhe është një gjë shumë interesante.

Kryeministri Edi Rama: Ata janë të kënaqur?

Arjeta Puca: Ata janë të kënaqur.

Kryeministri Edi Rama: Shkojnë vërdallë e qethin burrat….

Arjeta Puca: Sidomos në jug dhe gjithashtu ka pasur shumë interes dhe nga turistët. Mendoj që ka qenë një projekt i bukur. Edhe ata i përgëzoj për guximin që kishin sepse është dhe kjo guxim.

Kryeministri Edi Rama: Atyre edhe biznesi i ecën tani.

Arjeta Puca: Po, ishte projekt shumë interesant.

Kryeministri Edi Rama: Ke pasur berberë tjetër që ka ardhur apo është për momentin pjesë unike?

Arjeta Puca: Ka momente që pyesin, por është prapë kjo pjesa e guximit “Ta bëjmë apo mos ta bëjmë”.

Kryeministri Edi Rama: Tani vijmë tek pjesa e fundit, por jo për nga rëndësia, mbase pjesa më e rëndësishme. Unë jam një njeri që gjithë jetën, që i vogël, i kam pasur admirim njerëzit që mbartin atë magjinë e ndryshimit dhe që bëjnë diferencën, po themi, në të gjitha rrugët e jetës dhe isha gjithmonë i tërhequr nga njerëz të veçantë. Në atë kohë, Shqipëria ishte e mbyllur dhe njerëzit e veçantë mund të ishin njerëz, të cilët dhe për të cilët shoqëria thoshte “Është psikopat, nuk është mirë”, por njerëz të veçantë mund të ishin njerëz të cilët ishin të izoluar për njëmijë e një arsye. Për shembull, një nga njerëzit më të veçantë është ai që sot quhet Imzot Joani, i cili kujdeset për të gjithë grigjën e besimtarëve në Korçë. Unë e kam takuar kohë përpara. Banonim afër dhe kishim shokë të përbashkët dhe ai punonte infermier në spitalin psikiatrik dhe ishte shumë religjioz. Në atë kohë feja ishte e ndaluar dhe bisedat për fenë ishin biseda të ndaluara. Kishte një kulturë, që për atë kohë dhe mua në atë kohë më dukej një enciklopedi lëvizëse për leximet, thellësinë e leximeve për fetë, për shkrimtarët e mëdhenj të ndaluar, Dostojevski, e kështu me radhë, dhe thoshte unë punoj aty se dua t’u shërbej njerëzve që nuk ma dinë, sepse nuk e bëj për të ma ditur, e bëj për shpirtin tim.

Ëndrra e tij në atë kohë që dukej diçka komplet e pamundur ishte që ai të behej prift dhe ai vinte nga një familje myslimane. Quhej Fatmir dhe koha e solli, por fati i shkruar në yjet e tij dhe i fiksuar në kokën e tij, bëri që ai të përfundonte studimet për teologji në Boston, të bëhej një dishepull i kishës së Fan Nolit, të vinte në Shqipëri, të fillonte shërbesat dhe sot është një nga figurat kryesore të kishës.

Njerëz, të cilët shohin një ëndërr me sy hapur dhe nuk i ndahen derisa ta realizojnë, ose që mund edhe të rrëzohen rrugës, por që e kanë ëndrrën e tyre, kanë qenë gjithmonë ata që më kanë inspiruar mua dhe sidomos ata, të cilët nuk janë personazhe librash ose nuk janë autorë të njohur që ne i lexojmë nëpër libra ose që nuk janë figura të njohura që ne nuk i njohim, po ata që njohim dhe që fillojnë nga hiçi, që janë askushi, që me kurajë arrijnë maja në të gjitha dhe ajo që mua më ka krijuar probleme me prindërit është se unë rrija me këta njerëz dhe bëja çmos që t’i ndihmoja këta njerëz. T’i ndihmoja në çfarë sensi?! Me çfarëdo gjë, sado të vogël. Isha shumë i lumtur që të bëja gjënë më të vogël. T’u jepja një libër. Kur bëja diçka që i ndihmonte ose i sillte një buzëqeshje, unë isha shumë i lumtur.

E bëra këtë hyrje të gjatë sepse unë dua të di çfarë duhet të bëj unë që ti të prodhosh Arjetën me katër rrota të markës shqiptare?

Arjeta Puca: Mendoj që duhet një studim fizibiliteti për këtë.

Kryeministri Edi Rama: Duhet ta bëj unë?!

Arjeta Puca: Do e bëj unë dhe do jua prezantoj.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë ti mendon që ne mund ta prodhojmë makinën shqiptare, veturën shqiptare për djemtë e Bulqizës që ta marrin dhe me këngë e valle të vijnë në Tiranë?

Arjeta Puca: Mund ta prodhojmë. Mund të prodhojmë komplet mjetet tona, nga fillimi deri në fund.

Kryeministri Edi Rama: Ne si Shqipëri, por përmes teje dhe meje, ti në timon dhe unë duke shtyrë nga mbrapa mund të kemi një fabrikë, që, jo vetëm bën prodhime si sot të gjithë këtyre mjeteve që janë manufacturing, por që bën dhe prodhimet e veta ‘bio’. Nga A-ja te Zh-ja. Një “Arjetë” e kuqe që ju ofrohet çunave që deri atëherë besoj do kenë mësuar që vihet rripi i sigurisë, nuk shkelet shpejtësia, nuk pihet në timon, nuk komunikohet me celular, nuk bëhet ‘Facetime’ me shpirtin atje, ne mund ta bëjmë?!

Arjeta Puca: Po mund ta bëjmë. S’kemi arsye pse mos ta bëjmë dhe ato që e kanë bërë, nuk kanë pasur ndonjë shkencë të madhe sepse normalisht kur mendon edhe prodhimi i mjeteve është një farë bashkim motorësh, pistonash edhe e gjitha bashkë. Duhet një punim i mirë dhe pastaj mund të arrihet shumë lehtë.

Kryeministri Edi Rama: Atëherë unë jam 100% në dispozicion dhe do të ishte nder shumë i madh nëse do të më shënoje në kompaninë tënde si hamall, pa pagesë. Domethënë gjithë vajzat me radhë dhe në fund hamall, Edi Rama.

Arjeta Puca: Ju jeni supervizori aty.

Kryeministri Edi Rama: Për të mbartur peshën e mbështetjes dhe për të shtyrë përpara që Arjeta, nuk e di pse e imagjinova të kuqe, po e imagjinova të kuqe si një ‘’Neë Generation of Ferrari from the Balkans’’. Shumë faleminderit. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme!

Arjeta Puca: Shumë faleminderit gjithashtu!

Kryeministri Edi Rama: Ishte privilegj që të njoha. Ishte privilegj që mora çfarë munda dhe e mora me, në fakt, bujarisht prej teje nga energjia pozitive e gjithçkaje që ti bën dhe ti je dhe besoj shumë që të gjithë ata, që na kanë ndjekur të kenë marrë të njëjtën kënaqësi dhe të ndihen më të energjizuar për të pasur një ditë, një javë, një muaj, një vit dhe një jetë përpara që pas kësaj bisede mund ta shohin me një sy me më shumë dritë kur mendojnë që janë shqiptarë apo që kanë bekimin të jetojnë në Shqipëri

Advertisement