Connect with us

Aktualitet

Largimi i mjekëve/ Studiuesit zbulojnë disa nga arsyet: Politizim…

Në Shqipëri përshkallëzimi i largimit të mjekëve nga vendi, gjatë viteve të fundit ka marrë tiparet e asaj që quhet rrjedhje e trurit. Kjo ka nxitur disa studiues të Universitetit të Sussex-it në Britani, të kryejnë një studim mbi arsyet e këtij emigrimi si dhe të faktorëve që do të ndikonin në rikthimin e tyre. Ndër shtysat kryesore në të dyja rastet, studimi veçon faktorët ekonomikë, edukimin, stabilitetin politik dhe luftën ndaj korrupsionit. Emigrimi i mjekëve është një shqetësim dhe për vendet e rajonit, por në Shqipëri ky fenomen ka pasoja më të rënda për shkak të dobësive në sistemin shëndetësor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari, bisedoi me autorë të studimit dhe mjekë mbi gjetjet e tij dhe sjell materialin në vazhdim.

Për më shumë se tre dekada, emigracioni në Shqipëri është në një shkallë të lartë dhe bazuar në të dhënat e INSTAT, sot rreth 38% e popullsisë jeton jashtë vendit. Studiuesit konstatojnë me shqetësim se emigrimi po merr formën e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”, dhe se rreth 50% e flukseve emigratore në dhjetë vitet e fundit kanë këtë tipar. Një prej elementëve të tij është largimi i mjekëve nga vendi. Një studim i fundit i Universitetit të Sussex-it, në Britani, sjell një panoramë shqetësuese të asaj që ndodh sot në sistemin shëndetësor shqiptar. Një prej autorëve të këtij studimi Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se ai bazohet në pyetësor dhe intervista me mjekë të larguar nga vendi në 30 vitet e fundit. Ai sjell gjetje mbi arsyet e emigrimit të mjekëve, ku vendin kryesor me mbi 50% e mbajnë ato ekonomike të ndjekura nga edukimi, dhe pasiguritë mbi të ardhmen në Shqipëri.

“Në rast se shohim grupin e parë të faktorëve, del standardi i jetesës dhe përmirësimi i kushteve të punës. Dhe nëse do të shohim arsimimin, theksi vihet tek arsimimi personal. Ndërsa faktori i tretë ka të bëjë me atë se si e shohin ata të ardhmen në Shqipëri. Rreth 10% nuk shohin perspektivë në Shqipëri dhe prandaj mendojnë se emigrimi është rrugëzgjidhja më e mirë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Sipas këtij studimi, largimi i mjekëve nga vendi, është përshkallëzuar vitet e fundit. Në atë që ai e konsideron diaspora e prej më shumë se 2500 mjekëve, bëjnë pjesë ata të larguar në vitet 90, kryesisht në SHBA, me mundësi të pakta për ta ushtruar profesionin, studentët që përfundojnë studimet për mjekësi jashtë vendit dhe nuk kthehen në Shqipëri, që përbëjnë 1/3-ën e tyre, si dhe mjekët e larguar gjatë viteve të fundit, me destinacion vendet e BE kryesisht Gjermaninë dhe Italinë.

 

 

“Janë të paktën 2500, që mund të jenë jashtë vendit. Shifrat mund të jenë dhe më të larta. Urdhri i mjekut gjatë 5 viteve të fundit raporton, 800 mjekë të larguar nga Shqipëria. Burimi i dytë i informacionit do të ishin të dhënat e OECD-së, që bëjnë fjalë për një mijë mjekë nga Shqipëria që ndodhen në vendet e tjera. Por këtu nuk raportohen ata mjekë që kanë marrë nënshtetësinë e vendit pritës. Burim i tretë urdhri i mjekut në vendet pritëse. Gjermania përshembull, deklaron se janë mbi 980 mjekë në vitin 2021, nga Shqipëria rreth 6 herë më shumë se në vitin 2012”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Zëri i Amerikës bisedoi më disa mjekë brenda dhe jashtë vendit mbi gjetjet e këtij studimi. Ata mendojnë se ai është një këmbanë alarmi për autoritetet. Sipas tyre, sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor në vend, ka bërë që mjekët të punojnë në kushte të papërshtatshme dhe të mos ofrojnë shërbim cilësor. Autoritetet kanë marrë masa duke rritur pagat e punonjësve në sistemin shëndetësor, për të frenuar largimet e mjekëve, por sipas këtij studimi, paga është një prej arsyeve të largimit, por jo kryesorja.

“Mjekët ikin, sepse sipas këtij studimi por dhe të tjerëve para tij, nuk janë të kënaqur me kushtet e punës, me sigurinë në punë, me opsionet që u ofrohen në Shqipëri për të patur një karrierë profesionale që zhvillohet sipas rregullave të lojës dhe me ndershmëri. Nëse shihet vetëm paga, problemi nuk merr zgjidhje. Sot mjekësia nuk ofrohet vetëm nga njohuritë e mjekëve, sot mjekësia është teknologji. Nëse nuk ka udhëzues të praktikës klinike, të përshtatura me mundësitë që ka sistemi, nëse nuk ka protokolle të trajtimit të sëmundjeve, edukim në vazhdim për t’i zbatuar këto, nëse nuk ka medikamente të fjalës së fundit, mjeku nuk mund ta ushtrojë profesionin si duhet”, u shpreh për Zërin e Amerikës Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

Autorët e studimit mendojnë se largimi i mjekëve është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor në kushtet kur Shqipëria ka tregues të ulët të numrit të mjekëve për banorë, 188 për 100 mijë banorë, kur në vendet e BE është 374 dhe në Gjermani 446. Ajo renditet ndër vendet e fundit në rajon dhe Europë. Një element tjetër i studimit lidhet me arsyet që do të rikthente mjekët në vend, që gjithashtu janë pak a shumë të njëjta me ato të largimit, ndër të tjera kushtet ekonomike, stabiliteti politik, lufta ndaj korrupsionit dhe reformimi i sistemit shëndetësor.

“Duhet investuar më shumë në sistemin shëndetësor, në raport me PBB, duhet një reformim i këtij sistemi, që të luftohet nepotizmi, korrupsioni, të rritet numri i studentëve të mjekësisë, dhe të bëhen përpjekje që ky emigrim të kthehet në qarkullues, duke bashkëpunuar me vendet pritëse të mjekëve”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, i cili punon në Gjermani, prej disa vitesh, kur flet për ndikimin politik në çështjet e organizimit dhe të drejtimit të mjekësisë, si një prej kushteve që vendosin mjekët për t’u kthyer në Shqipëri, sjell përvojën e tij personale.

“Kur flas me kolegët në Shqipëri, për fat të keq më thonë se ndiejnë politizim të tejskajshëm në sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha kontrollin përmes strukturave që ka ngritur partia në pushtet.

Madje miq të mi më thonë se edhe kur më ndjekim në rrjete sociale nuk mund të komentojnë ose të bëjnë pëlqime në statuset e mia se i kontrollojnë shefat”- vijoi Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

Ndërsa mjeku toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë Alban Haxhi, vë theksin te vështirësitë që kanë hasur ndër vite studentët e mjekësisë për t’u specializuar, me gjithë disa lehtësira të kohëve të fundit.

“ Janë lehtësuar kohët e fundit, por deri para pak viteve ka qenë shumë e vështirë, të arrije një specializim. Dhe kjo bëhej përmes miqësive, s’ka patur konkurrencë, kishte kritere penalizuese me qëllim që të fitonte ai që ishte paracaktuar. Këta janë faktorë që e vështirësojnë punën por dhe mungesa e trajnimeve e minispecializimeve. Shumë prej tyre mjekët i kryejnë jashtë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dr.Alban Haxhi, mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Si mjek që disa vite ka drejtuar një prej shërbimeve të urgjencës në vend, zoti Haxhi, veçon disa mangësi të sistemit, pavarësisht përmirësimeve.

“Ajo që vihet re, është mungesa e theksuar e aparaturave, dhe aty ku janë, kanë probleme, s’kemi dhe stafin e kualifikuar për t’i mirëmbajtur. Këto i penalizojnë mjekët për të qenë funksionalë. Shpeshherë ne bëjmë një analizë mjekësore, nuk bëjmë një tjetër, i dërgojmë në sektorin privat, një shërbim e mbulojmë, një jo. Shpeshherë dhe disa analiza të tjera që nuk bëhen fare në Shqipëri i dërgojmë jashtë. Janë disa hallka që e bëjnë shumë të vështirë diagnostikimin e sëmundjes dhe e vështirësojnë punën e mjekut”- vijoi Dr. Alban Haxhi mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Largimi i mjekëve drejt vendeve të zhvilluara është një fenomen që ka prekur dhe vende të Ballkanit, kjo edhe për shkak të kërkesave në rritje në disa vende të BE, kryesisht në Gjermani. Por në Shqipëri pasojat e këtyre largimeve janë më të mëdha për shkak të dobësive të sistemit shëndetësor dhe numrit të ulët të mjekëve për banorë.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të fushës, për të përgatitur një mjek duhen 20 vite, ndaj dhe shqetësimi për largimin e tyre nga vendi, konsiderohet një kambanë alarmi. Shpenzimet e Shqipërisë për shërbimet publike në shëndetësi, sipas këtij studimi që i referohet të dhënave të Eurostat janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, 3.2% të PBB-së në raport me 5 apo 6 % në Serbi dhe Bosnjë Hercegovinë, apo me mesataren prej 8.1% në BE. Sot mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen nëse është e drejtë që vende me nivel të lartë varfërie si Shqipëria të paguajnë shtrenjtë për edukimin e mjekëve që më pas ata të largohen për të plotësuar boshllëqet në sistemet shëndetësore të vendeve të pasura? Përgjigja e kësaj pyetje sipas studiuesve gjendet në lirinë e funksionimit të kërkesës dhe ofertës në tregjet globale si dhe në përpjekjet serioze të autoriteteve qeveritare për të frenuar largimin e mjekëve nga vendi./VOA

Aktualitet

Vendimi i KPA/ Ja detaji që çoi në largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 21 maj vendimin për procesin e vetingut ndaj kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, Alfred Balla. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Pakica e trupës së KPK vlerësoi se Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Komisioneri argumentoi se Balla i plotësonte kushtet për subjekt rivlerësimi dhe se ai vetë kishte deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerësoi se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

 

 

Komisioneri nuk e gjeti të drejtë arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij. sipas Ballhysës, subjekti në vitin 2018 kishte kërkuar në KPK ndërprerjen e veinggut dhe njëherazi kishte kundërshtuar në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor.

Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Këto argumente të Komisionerit u renditën edhe nga kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama, e cila u shpreh ndër të tjera se urdhëri i lirimit nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe ishte absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk kishte sjellë asnjë pasojë juridike, duke u konsideruar se nuk ekzistonte. Për pasojë, është vlerësuar se Balla nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor për shkak të këtij urdhëri.

Nga ana tjetër, Kolegji vlerëson se subjekti e ka humbur statusin për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, pasi nuk ka kontestuar këtë urdhër në rrugë ligjore dhe ka shfaqur vullnetin për t’u zgjedhur anëtar në një organ tjetër kushtetues. Kjo sjellje e subjektit është vlerësuar nga KPA si shkaku kryesor për përfundimin e marrëdhënies së tij të punës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, është vlerësuar se përmbush kushtet për t’u vlerësuar si dorëheqje nga detyra, sipas përcaktimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se dorëheqja nga detyra shoqërohet dhe me sanksionin që i ndalon riemërimin në disa funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sipas KPA, subjekti ka përfunduar marrdhënien e punësimit si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë për shkak të vullnetit të tij, si dhe ka kërkuar të mos i nënshtrohet procesit të rivlerësimi edhe ndërsa ai vetë ka menduar se e gëzonte statusin e këshilltarit ligjor dhe ka hequr dorë nga këto të drejta. Pëfundimisht, trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash ka vendosur ndryshimin e vendimarrjes së KPK, duke deklaruar edhe humbjen e së drejtës së Alfred Ballës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /Reporter.al/

Continue Reading

Aktualitet

Tentativë për të korruptuar gjyqtarët e Apelit të Korçës, GJKKO merr vendimin për Blerand Kozicin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e Blerand Kozicit. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” ose “Detyrim paraqitje”.

Blerand Kozii është arrestuar për transport të paligjshëm të emigrantëve dhe po ashtu ka tentuar të korruptonte gjyqtarët e Apelit të Korçës.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

Kërkuesi Blerand Kozicimë datën 13.05.2024, Nr. 280 Regj.Themeltar,ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arresti në shtëpi” apo “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 237 dhe 234 i K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr. 280, datë 20.05.2024 u vendos:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Blerand Kozici. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, afat i cili do të fillojë nga dita e njoftimit të vendimit.

Tiranë, me datë 20.05.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Continue Reading

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit të SPAK/ Rrumbullaku justifikohet: 11 na ikën jashtë!

Pasi në media është përfolur se operacioni i SPAK me 50 urdhërarreste është dekonspiruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, ka reaguar edhe drejtori i Policisw sw Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Përmes një reagimi për mediat, Rrumbullaku thekson se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO.

Kjo sipas policisë tregon se nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Sa u takon personave që nuk janë arrestuar, policia sqaron se 15 rezultojnë jashtë vendit, ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Reagim:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Continue Reading

Aktualitet

Sherr në mes të rrugës, dhunohen barbarisht shqiptari dhe partnerja e tij

Mëngjesin e sotëm pak pas orës 10:00 në Aegaleo ka ndodhur një sherr mes një grupi personash.

Gjithçka ka ndodhur dy makina ndodheshin në semafor në kryqëzimin e rrugëve Ieras Odos dhe Thebës.

Më pas për një arsye të panjohur drejtuesit e dy mjeteve kanë nisur të bisedojnë dhe nga njëra veturë kanë zbritur tre persona të cilët janë nisur drejt çiftit.

Ata iu afruan dhe filluan të rrahin burrin 43 vjeçar, me origjinë shqiptare ashtu edhe gruan në të njëjtën moshë që ishte në makinë së bashku me të.

Pak më vonë, në tentativë për t’u arratisur, tre personat e kanë tërhequr zvarrë me makinën e tyre 43-vjeçarin dhe e kanë hedhur në tokë.

Çifti u dërgua me autoambulancën e EKAV-së në spitalin Thriasio.

Fatmirësisht shqiptari është jashtë rrezikut për jetën ndërsa policia ka nisur hetimet për arrestimin e tre personave.

 

Continue Reading

Aktualitet

KPA merr vendimin, shkarkon nga detyra kreun e KLP-së, Alfred Balla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kaloi sot në veting në shkallëtn e dytë kreun e KLP-së Alfred Ballën. Pas shqyrtimit të rastit, KPA vendosi largimin nga sistemi të Ballës.

Për Alfred Balllën, ankimoi në KPA Komisioneri Publik. Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione në drejtësi për 15 vitet e ardhshme.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhej në vendimin e lexuar nga anëtarja e KPA, Ina Rama.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING