Kosova
Vazhdojnë protestat në mbështetje të serbëve të arrestuar në veri
Për të tretën herë me radhë, pjesëtarë të komunitetit serb kanë marshuar të hënën nga qendra e Mitrovicës së Veriut deri në Zveçan, si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve të arrestuar javëve të fundit nga autoritetet e Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve janë: Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq.
Tubimi është organizuar nga një shoqatë që mbledh sportistë në veri.
Pjesë e tubimit kanë qenë edhe mjekët dhe stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicës.
Pjesëmarrësit e tubimit janë pritur me duartrokitje nga qytetarët e mbledhur afër ndërtesës komunale në Zveçan, të cilët protestojnë aty prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesë.
Protesta të njëjta, dhe për arsye të njëjta, organizohen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Protestuesit kërkojnë edhe tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga ajo zonë. Protestuesit i kanë kërkuar komunitetit vendor dhe atij ndërkombëtar që t’i mbrojnë ata, nga siç kanë thënë “terrori” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe që të lirohen serbët “e pafajshëm”.
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka thënë në protestë se, që tri javë po i tregojnë botës se po arrestohen biznesmenë, sportistë, studentë dhe teknikë mjekësorë. Ai ka thënë se nuk mund të ulen tensionet në veri, derisa të mos lirohen këta serbë dhe të mos largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga ajo pjesë.
Millun Millenkoviq – Llune është arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale të Policisë së Kosovës.
Avokati i tij, Nebojsha Vllajiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ai akuzohet për tri vepra: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare.
Ai dyshohet t’i ketë kryer këto vepra në dhjetor të vitit 2022, në kuadër të sulmit ndaj objektit të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, si dhe për pjesëmarrje në përleshjet mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.
Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, janë arrestuar më 29 maj në Zveçan, përgjatë përleshjeve me pjesëtarë të KFOR-it, si pasojë e së cilave është raportuar për të plagosur në të dyja anët.
Ata akuzohen për katër vepra, ka thënë avokati i tyre, Dejan Vasiq.
Më e rënda është sulm ndaj rendit kushtetues.
Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Tre serbë tjerë është thënë të jenë arrestuar për dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit. REL