Kosova
Përmbytjet/ Familjari: Nusen e gjetëm në bodrum, djalit i ra sipër një shkëmb
Një anëtar i familjes Ademaj ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë që ndodhi ditën e shtunë, ku nga përmbytjet humbën jetën dy familjarë të tyre, nëna bashkë me djalin e saj, Mirsada Ademaj dhe Dion Ademaj. Ai ka thënë se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur dhe e ka bllokuar djalin 5 vjeç, ndërsa tregoi se nusen e tyre e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi.
“Shi ka rënë, ka rrëshqit një pjesë e kodrës, e ka nxënë djalin, u mbush te ky vëllai plot ujë, derisa e ka mbajtur muri, kur se ka mbajt u fut uji, mezi i kemi shpëtuar dy fëmijë të tjerë, jemi munduar që ta shpëtojmë nusen se atë voglin se kemi pa askund hiç, pastaj e kemi gjetur në një shtëpi të kojshive, nusen e kemi gjetur në të tretën shtëpi në bodrum”, u shpreh familjari.
Si ndodhi ngjarja?
Moti i keq në Kosovë ka shkaktuar përmbytje masive në disa zona, ku situata është përkeqësuar gjatë natës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Një nga zonat më të prekura është Peja, ku janë shënuar dy viktima, nënë e bir, Mirsada Ademaj dhe Dion Ademaj. Ngjarja e rëndë u shënua në lagjen ‘Asllan Çeshme’. Nëna rreth 30-vjeçare së bashku me fëmijën e saj të vetëm 5-vjeçar, në momentet kritike ishin duke qëndruar në shtëpi. Rastin e kanë raportuar fqinjët dhe gruaja që u raportua e zhdukur më vonë u gjet në afërsi të një shtëpie të fqinjëve.Vdekjen e nënë e bir e kanë konfirmuar mjekët.