Pinknews
Jeta e Vilma Dules, 10 vjet pas sulmit me acid në fytyrë
Aty ku mund të duket sikur gjithçka merr fund, aty gjen fillimin e misionit tënd në këtë jetë.
Sot Vilma Dule, është një emër që na rikthen në lajmet e datës 27 Gusht 2013…
Por më shumë sesa të rikthehemi pas, ne duam të sjellim për ju 10 vitet pasardhëse të kësaj date, që krijuan një grua luftëtare, aktiviste, pasionante, energjike dhe frymëzuese për shumë vajza dhe gra të tjera.
Vilma, do të thotë ‘mbrojtëse e vendosur’ (determined protector) , një emër me origjinë ruse. Dhe po! Vilma është një mbrojtëse e destinuar e vetes së saj.
Në atë ditë të nxehtë gushti, Vilma u gjend e pambrojtur nga acidi që u derdh në trupin e saj, nga të pa identifikuarit nga drejtësia në vend, por në fakt janë ata që identifikohen më mirë se kushdo tjetër:
‘Individë’ që kanë trajtë njerëzore, të krijuar nga ligësia.
Vilma, në atë kohë, ishte vetëm 26 vjeç.
E kemi parë dhunën ndaj grave në shumë forma, kemi shkruar për të në shumë forma, por shumë rrallë është dënuar në formën e duhur. Në atë formë që zgjodhi dhe Vilma ta dënojë. Pa ndihmë, pa pushtet, pa mbështetje nga institucione përgjegjëse, ajo arriti t’i dënojë përmes forcës së saj të ringritjes.
“Për shumë kohë kam besuar që asnjë burrë nuk do të më donte më për atë që isha, nënvlerësoja kështu veten dhe burrat, por thelbi ishte që unë nuk besoja më që mund të isha përsëri e lumtur. Dhuna këtë bën: të izolon në vetvete, të bën të ndihesh sikur çdo gjë përfundon aty dhe për ty s’do ketë më të ardhme të lumtur. Megjithatë, i kisha premtuar vetes që nuk do të bëja “kompromis me dashurinë”, pasi një grua beqare nuk duhet ta vuajë statusin e saj social si një mangësi kur është single apo plotësi kur është në çift. Një vajzë duhet të ndihet e LIRË për të zgjedhur dhe kur zgjedh duhet ta bëj veç për Dashuri.”
Dhe Vilma di t’i mbajë premtimet! Një dashuri e pastër, nga e cila u krijua një familje.
Ne nuk do të flasim shumë për të kaluarën, aq sa do të flasim për Vilmën ‘pas heqjes së maskës’ së kurimit.
Maskë të cilën ajo e ka mbajtur për vite me radhë dhe në momentin e heqjes, Vilma e ktheu në një simbol për të gjitha gratë e gjymtuara nga dhuna, përmes projektit ‘PERSONA’.
Një projekt që vlen të lexohet nga çdokush që ka, jo vetëm plagë të dukshme, por përtej maskës ka një jetë, ka një botëkuptim…
Në një rrëfim të sinqertë, që të përfshin në çdo fjalë të shkruar, ekskluzivisht për revistën Class, Vilma ndan mesazhe të forta dhe kuptimplotë, të krijuara në 10 vitet e fundit.
1. Vështrim në të kaluarën
Shenjat e mia, ato të lëkurës por jo vetëm, më kujtojnë që e kaluara është reale. Këtë 27 gusht bëhen plotë 10 vjet nga sulmi dhe kur mendoj sesi këto vite kanë rrjedhur më duket se jeta ime është si një film, nga ato pak filma ku personazhi kryesor nga një viktimë e predestinuar për “t’u harruar” shndërrohet në një fitimtare që tani “bën zhurmë”.
Sa gra të tjera viktima të dhunës e kanë patur të njejtin fat? Përgjigjen e kësaj pyetje e njohim të gjithë dhe pikërisht për këtë arsye, unë sot shfaqem në social media pa filtra lëkure apo shpirtërore. Nuk e fajësoj të kaluarën time për atë që jam sot, pasi gruaja që jam sot më pëlqen. Nga ana tjetër nuk i them faleminderit të kaluarës (pasi askush nuk duhet të provoje atë që kam jetuar unë), por jam në paqe me të kaluaren time sepse duhet te kaloja ate sprove për të qenë sot kjo që jam. Pavarësisht sesa e rëndë mund të jetë e kaluara jonë, nuk duhet të lejojmë që ajo të përcaktojë negativisht fatin tonë. Asnjë dhe asgjë nuk mund të mposhti një grua, një burrë, NJË NJERI, që nuk dorëzohet kurrë.
Menjëherë mbas sulmit unë u detyrova të largohem nga Shqipëria për t’u kuruar në Itali. Dhe ju siguroj që në fillim nuk flitej “për të kuruar shenja lëkure” por për të shtëptuar jeten time. Rrezikoja te humbja shikimin dhe të më prisnin krahun e majtë.
Forcën në ditët e para e gjeta tek familja ime. I thoja vetes çdo ditë: “duhet të jem e fortë për mamin, për babin, për vëllain”. Me kalimin e kohës dhe te viteve, burimi i forcës ishte thjesht tek IDENTITETI im. Sulmi me acid, ashtu si format e tjera të dhunës gjinore, janë forma agresioni kundër personit. Ata që të dhunojnë duan mbi të gjitha të lëndojnë shpirtin tënd. Kjo ishte shkëndija e parë që më bëri të kuptoj drejtimin tim të ri. Misioni im është të trasmetoj mesazhin jo vetëm me fjalë, por me dëshminë e ekzistencës sime sot para jush, që dhe mbas një eksperience të tmerrshme si sulmi me acid, njeriu mund jo vetëm të ecë përpara, por edhe t’u lërë diçka si trashëgimi të tjerëve. Jeta duhet të vazhdojë sidomos mbas një drame dhe unë do të vazhdoj të luftojë për të treguar frocën time, shenjat e mia, dashurinë time për jetën, në emrin tim dhe të çdo gruaje që ka humbur shpresat ose fatkeqësisht jetën.
Për shumë kohë kam besuar që asnjë burrë nuk do të më donte më për ate që isha, nënvlerësoja kështu veten dhe burrat por thelbi ishte që unë nuk besoja më që mund të isha përsëri e lumtur. I kisha premtuar vetes që nuk do të bëja “kompromis me dashurinë”, pasi një grua beqare nuk duhet ta vuajë statusin e saj social si një mangësi kur është single apo plotësi kur është në çift. Një vajzë duhet të ndihet e LIRË për të zgjedhur dhe kur zgjedh duhet ta bëj veç për Dashuri.
Unë dhe Salvatore u zgjodhëm në mënyrë shumë natyrale, që nga dita e parë kur u përqafuam ndjeva që ato krahë ishin vendi im i sigurtë. Më propozoi për martesë vetëm 4 muaj mbasi u njohëm, pikërisht më 27 gusht të 2021-it, 8 vite mbas sulmit.
Më tha tekstualisht: “E di që nuk do ta harrosh kurrë 27 gushtin 2013, por shpresoj që nga sot e tutje 27 gushti për ty të të kujtojë që ke një njeri që të do dhe që do jetë gjithmonë shoku yt i ditëve të mira dhe të këqija”.
Vetëbesimi është si një lule në vazo, fakti që nuk çel menjëherë nuk do të thotë që nuk do ta bëj kurrë. Ja pse duhet të vazhdosh ta ujisësh dhe të kujdesesh për të çdo ditë. Herët ose vonë do të lulëzojë dhe çdo gjest përkujdesjeje do të shndërohet në besim drejt jetës dhe në besim ndaj vetes: pra në vetëbesim. Sigurisht, që partneri dhe njerëzit që na rrethojnë mund të na ndihmojnë në ato momente ku humori jonë bie, por kurresesi nuk mund të zvendësojnë apo të mbushin boshllëqet tona emocionale. Salvatore është shoku im më i mirë dhe mbështetësi kryesor i kauzave të mia. Eshtë ai që më stimulon shpeshherë për t’u shfaqur publikisht dhe më mbështet moralisht kur ndaj meje bëhet cyberviolence. Dikush në Instagram para disa muajsh përdori gjuhë urrejtjeje kundër meje duke më “fajësuar” për sulmin që pësova.
Burri im më kujtoi me shumë qetësi që pikërisht sepse ka akoma njerëz që fajësojnë viktimat dhe jo dhunuesin, unë duhet të vazhdoj të flas dhe për ato gra që nuk kanë force dhe zë për ta bërë. Megjithatë ajo që dua të them, sidomos për brezat e rinj, është që të ndërtojnë marrëdhenie të shëndetshme me partnerin, por së pari me veten e tyre.
Salvatore dhe dashuria e tij nuk më “shpëtuan” mua. Unë e shpëtova veten dhe u lidha me të kur isha vertet gati psikologjikisht dhe emocionalisht për të krijuar një lidhje në çift. Partneri nuk duhet të jetë kurrsesi “zgjidhja e problemeve të tua”, por ai që të mbështet ty që t’i zgjidhësh ato.
Gjatë këtyre viteve kam njohur shumë “burnsurvivors”, të rritur dhe fëmijë, të cilët më kanë mësuar shumë dhe që janë sot miqtë e mi më të mirë. Disa prej tyre kanë jo vetëm shenja djegieje si mua, por si pasojë e djegieve kanë humbur dhe gjymtyrë si duart dhe këmbët apo kanë ngelur të shpërfytyruar. Falë tyre kam kuptuar që në jetë duhet të relativizosh. Çfarë do të thotë?!
Që kur të ndodh diçka e keqe, por je ende gjallë (fati më i madh), mëson të thuash “mund të kishte shkuar dhe më keq”. Nga kjo shprehje e thjeshtë burojnë të gjitha: pranimi i realitetit pa viktimizuar veten dhe vendosmëria për ta kaluar mbi atë që të duket e pandreqme.
Siç e thashë dhe më lartë, për aq kohë sa je gjallë, asgjë nuk është e humbur.
Ajo që sot mund të perceptohet prej teje si mposhtje, nëse e përballon me vendosmëri, mund të shndërrohet me kohën në mësimin tënd më të vlefshëm dhe në burimin tënd të paqes dhe lumturisë. Para 10 vjetësh, isha një vajzë thellësisht e lënduar, e vetme në Italinë e madhe, duke kërkuar zgjidhje dhe mënyra sesi të kurohesha.
Sot, kam përsëri fytyrën time funksionale, jam ekonomikisht e pavarur, jetoj në Londer dhe kam një burrë dhe një djalë që më bëjnë të ndihem njeriu më me fat në botë.
Kush do ta kishte menduar këtë para 10 vjetësh? Asnjë. Por unë Po, e dija që ajo që po jetoja ishte e padrejtë. E ndjeja që një ditë do të rilindja e lirë dhe e bukur si një flutur. E ndjeja që Zoti më donte sepse më kishte mbrojtur atë të martë të zezë. Dhe kjo më fali vendosmërinë për të dalë prej atij ferri ku më kishin hedhur.
Unë jam mami prej vetëm 7 muajsh dhe Artes-i ka centralizuar të gjithë vëmendjen time aktualisht. Para disa muajsh jam transferuar në Londër dhe ky shënon një fillim tjetër, në një vend të ri.
Jam duke menduar sesi ta zhvillojë projektin “PERSONA” në Londër dhe me këtë rast ftoj të gjithë lexuesit që jetojnë këtu dhe duan të bëhen pjesë e shoqatës time të më kontaktojne.
Do të vazhdoj ndërkohë bashkëpunimet me shkollat italiane, në kuadër të sensibilizimit të të rinjve kundër dhunës ndaj grave. Ndër të tjera jam duke punuar për t’u rikthyer në vendilindje.
Si? Vace Zela kthehej me këngë, Ismail Kadare me romane, ndërsa unë do ta bëj me një autobiografi që jam duke shkruajtur. Një libër që do të flasi për historinë time, për të vërtetën dhe për fitoren time, që shpresoj të jetë dhe pak fitorja e çdo gruaje shqiptare që do ta lexojë.
8. E vërteta pas të vërtetave..
Në profilin tim të Instagramit unë jam shumë e vërtet dhe kam vendosur të shfaqem realisht për atë që jam, me ditët e mira dhe ato më pak të mira. Shumë njerëz më shkruajnë se ju duket sikur më njohin prej kohësh dhe kjo besoj sepse shumë e gjejnë veten tek gjërat që shkruaj dhe ndaj. Për shembull në maj kur unë u transferova në Londër, ndava një video ku tregohej ndarja ime me prindërit që jetojnë në Itali.
Pati një shpërndarje të jashtëzakonshme pasi ne shqipetarëve na është rrahur jeta me keto ndarjet por shpirti akoma jo, pasi ato dhembin fort sa herë përsëriten. Pra nëse duhet të them një nga sfidat më të mëdhaja për momentin në jetën time është largësia prej familjes.
‘PERSONA’, projekti për të cilin ke punuar dhe luftuar shumë, lindi prej forcës dhe historisë personale. Cili ishte qëllimi i këtij projekti??
“PERSONA” lindi si një nevojë e imja e brendshme për të rindërtuar atë që ishte shkatërruar dhe për të transformuar këtë eksperiencë jete negative në art. Teknikisht, konsiston në dekorimin e maskave të kompresimit që unë përdorja për të kuruar shenjat e fytyrës. Motoja e projektit është “pas çdo maske, ka një person” dhe nga 2018 nëpërmjet projektit dhe ekspozitave artistike nëpër shkolla, konferenca apo aktivitete të tjera kulturore në Itali dhe France, unë sensibilizoje kundër dhunës ndaj grave. Kërkesat për të prezantuar projektin dhe historinë time janë të shumta dhe kjo për mua ka një vlerë të paçmuar dhe e shikoj si çelësin për të edukuar dhe stimuluar një kulturë empatie ku dhuna nuk është asnjeherë zgjidhja.
Feedback-u që marrë nga çdo prezantim është prekës dhe impresionues. Kjo më jep shumë kurajo për të vazhduar pasi më besoni sa herë që bëj një prezantim nuk është e lehtë.
27 gushti ka qenë për mua keto vite një datë shumë e dhimbshme ku në një throeback kronologjik unë përjetoj të njejtat ndjesi, rikujtoj gjeste, fjalë, britma, zhurma, zëra dhe vende. Të gjithë e kemi një datë të shënuar në jetë për një arsye ose një tjeter. Mua me pelqen ta quaj: “Tragje-përvjetori” sepse besoj që kur një dhimbjeje i japim një FJALW ajo bëhet me e lehtë.
Këtë vit 27 gushti është dyshifror, por është gjithashtu viti i pari në të cilin të gjitha prioritetet e mëparshme anashkalohen, ngatërrohen dhe riorganizohen nga ardhja në jetë e djalit tim. Një arsye më shumë për të festuar jetën dhe për të mos harruar që nga rrënojat e zemrës mund të lindin vepra Arti. Dhe kur shoh Artes-in që tanimë është 7 muajsh, më sheh në sy dhe më qesh me aq ëmbëlsi mendoje që kryeveprën time sot e kam në krahë.
A nuk është kjo një mrekulli?
Edhe pse mund të na duket komplekse, abusurde ose e padrejtë, JETA është perfekte. Dhe nese ti bie, ajo të pret. Le ta mbajmë atë fortë dhe të jemi çdo ditë mirënjohës që jemi gjallë e për bekimin e një jete të shëndetshme.