Lifestyle
Pse feja po pëson rënie globale, cili është shkaku?
Që në fillim të këtij shekulli, praktika e besimeve fetare ka pësuar tërheqje në të gjithë botën. Sipas rezultateve nga Anketa e Vlerave Botërore, e kryer midis viteve 2007-2019, rëndësia e Zotit në jetën e njeriut ra mesatarisht në 39 nga 44 vendet e analizuara.
Për më tepër, përqindja e njerëzve që identifikohen si jo-fetarë, (ateist) është rritur me më shumë se 10 për qind në vende si Singapori, Islanda, Kili dhe Koreja e Jugut gjatë dekadës së fundit. Rënia e besimit fetar është edhe më e habitshme në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë viteve 1940-2000, anëtarësimi në kisha luhatej në nivelin 70 për qind të popullsisë. Me fillimin e mijëvjeçarit të ri, pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitin 2020, anëtarësimi në kisha ishte vetëm 47 për qind. Ndërkohë gjatë viteve 2007-2020, përqindja e amerikanëve që nuk ishin të lidhur me asnjë fe u rrit nga 16 në 30 për qind.
Po çfarë mund ta shpjegojë këtë përmbysje në shoqërinë globale?
“Kur njerëzit kanë mundësi të përdorin teknologjinë për të parashikuar motin, për të diagnostikuar dhe trajtuar sëmundjet dhe për të prodhuar burime, ata mund të mbështeten më pak në besimet dhe praktikat fetare”- shkroi së fundmi një ekip ndërkombëtar studiuesish në një studim të botuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”.
Në një hipotezë nga studiues ështëvërtetuar se nuk është teknologjia në vetvete ajo që e zbeh rolin e fesë në jetën e njerëzve, por automatizimi në formën e robotikës dhe Inteligjencës Artificiale, të cilat u bënë të spikatura vetëm në fillim të këtij shekulli.
“Ky pretendim bazohet në hulumtimet e fundit mbi perceptimet laike të automatizimit. Studime të tilla tregojnë se njerëzit i atribuojnë teknologjisë së automatizimit aftësi që kufizohen me ato mbinatyrore. Historikisht, njerëzit u janë drejtuar agjentëve të mbinatyrshëm dhe klerikëve fetarë për të zgjidhur problemet instrumentale përtej fushës së aftësisë njerëzore. Këto probleme mund të duken më të zgjidhshme për njerëzit që punojnë dhe jetojnë në hapësira shumë të automatizuara”- shkruan ekipi ndërkombëtar i studiuesve.
Në konkluzionin e disa eksperimente për të testuar supozimet e tyre, studiuesit mbështesin fuqishëm pretendimin e autorëve se automatizimi e redukton besimin fetar.
“Studimet tona tregojnë se automatizimi është i lidhur me rënien e besimit në shumë vende, qoftë të krishtera, myslimane apo budiste, dhe në të gjitha rajonet e botës si Amerika e Veriut, Azia Jugore dhe Oqeania”-thanë ata.