Connect with us

Sport

Përplasje për kreun, sonte supersfida Napoli-Real! Inter do fitoren…

Napoli-Real Madrid është supersfida e parë e xhiros së dytë të grupeve në Champions League. Të dy skuadrat vijnë pas fitoreve në ndeshjen e parë, por edhe pas një momenti të mirë në kampionat, ndërsa kjo duket një sfidë për të përcaktuar kokën e grupit. Ancelotti e cilësoi një përballje të fortë, ndërsa para sfidës ylli i Napolit Kvaratchkelia rikonfirmoi dashurinë për ‘galaktikët’, por shtoi se kërkon ti mundë me çdo kusht. Sfida tjetër e këtij grupi luhet në Gjermani mes Union Berlinit dhe Bragës. Në fushë do të zbresë edhe Interi, që pas barazimit me Real Sociedad kërkon fitoren kundër Benfica-s. Të gjitha shpresat e zikaltërve janë te Lautaro, i cili në fundjavë realizoi ‘poker’ golash, ndërsa Kristjan Asllani do ta nisë nga stoli, pasi Calhanoglu-s i janë besuar çelësat e mesfushës.

“Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Asllanin. Që kur ai erdhi te Interi kam folur shumë me të sepse kam kuptuar që ai është një lojtar special dhe me cilësi. Ajo që unë flas me Asllanin mbetet mes nesh, por këshilla që unë i jap është që në stërvitje të japë maksimumin dhe të jetë më agresiv, më me shumë uri. Ai po mëson dhe përmirësohet shumë. Është një djalë fantasti k dhe i zoti,”-u shpreh Hakan Calhanoglu, futbollist i Interit.

Ndeshja tjetër e grupit luhet në Austri në orën 18:45 mes Salzburg dhe Real Sociedad.

Në grupin A pas humbjes me Bayern-in, Manchester United e ka detyrim fitoren kundër Galatasaray në ‘Old Traford’. Ndërkohë gjermanët e Bayern kanë udhëtuar në Danimarkë për t’u përballur me Copenhagen.

Arsenal sfidon sonte në transfertë Lens-in, me qëllimin për të siguruar një tjetër 3 pikësh dhe për të vijuar i qetë në krye të grupit. Sfida tjetër është në program në Holandë mes PSV-së dhe Sevillia-s, për të përcaktuar skuadrën anti Arsenal.

Advertisement