Connect with us

Shkrime

Çfarë e lidh Kosovën me Nagorno-Karabakun dhe Lindjen e Mesme

Një grup prej 30 formacionesh paraushtarake serbe të armatosur rëndë vendosën postblloqe në Kosovë dhe nga të shtënat që pasuan më 24 shtator, një polic i Kosovës dhe tre agresorë të armatosur u vranë, kurse të tjerët e mbijetuar arritën të merrnin arratinë drejt kufirit me Serbinë, mes të cilëve edhe kreu i terroristëve, njëkohësisht nënkryetari i ‘Lista Srpska’, Milan Radojiçiç. Pas ngjarjes, e sidomos kur presidenti serb Aleksandër Vucic dha urdher për shtimin e trupave ushtarake në kufi me Kosovën, në një lloj regjimi parapushtimi, Departamenti Amerikan i Shtetit i SHBA ngriti alarmin. Paskësaj, forcave të KFOR-it në Veri iu shtua edhe një batalion ushtarësh britanikë nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s. Deri diku ujërat u daravitën, por problemi themelor mbetet: aksioni i armatosur padyshim që do të shkaktonte diçka më të madhe. Për analistë, është e pamundur të shihet ky episod si diçka tjetër përveçse si një simptomë e një “lojë të madhe” dhe të re që po luhet nga Vladimir Putini, i cili po “zgjidh” çdo plagë të hapur në rendin politik evropian. Ditë pas spastrimit etnik të 200,000 armenëve në Nagorno-Karabakh dhe ditë para inkursionit të Hamasit që nisi luftën me Izraelin, incidenti në Kosovë duket i vogël edhe pse është një simptomë e të njëjtës plasaritje gjeopolitike. Rusia, megjithë luftën në Ukrainë, ka ende një ndikim kyç në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme dhe është i vetmi garantues realist i sigurisë armene kundër agresionit të Azerbajxhanit në Kaukaz. Kosova e fitoi de fakto pavarësinë nga Serbia, por duket se ka mbetur në harresën e diplomacies, teksa ndërkohë minoriteti serb në veri të Kosovës, po avokon për krijimin e federatës së vet etnike autonome. SHBA menduan se e kishin zgjidhur problemin duke e mbështetur këtë kërkesë dhe duke bindur qeverinë e Kosovës për ta zbatuar asociacionin. Në thelb, Perëndimi nuk është as i bashkuar aq sa duhet dhe as i fortë për të parandaluar që Ballkani dhe Kaukazi të shndërrohen në ndeshje shahu rajonale me Rusinë. Ndërkohë, është e vështirë të mos shihet thirrja e Hamasit për një luftë rajonale kundër Izraelit si e lidhur me dëshirën e Rusisë për të destabilizuar botën. Kështu fillon të duket planeti kur OKB-ja është e paralizuar dhe NATO – garantuesi i vetëm i sigurisë për 1.7 milionë shqiptarë të Kosovës – është i angazhuar gjetkë. Edhe pse pak duan ta thonë me zë të lartë, SHBA-të po luajnë lojën e qetësimit për Beogradin – për arsye logjike, edhe pse jo të ndershme. Me Rusinë, duke gdhendur rrugën e saj nëpër katër provinca të Ukrainës, askush nuk ka nevojë për një front tjetër lufte që mund të hapet te pragu i derës së Europës. Amerika sanksionoi kreun e agjencisë së inteligjencës serbe si i lidhur me krimin e organizuar, por nuk tha publikisht asnjë fjalë për qeverinë që e emëroi. Edhe pse është e papëlqyeshme nga shumë, për pragmatizmin perendimore, qetësimi i Vuçicit konsiderohet më i mirë se sa 200 ushtarë britanikë dhe komando turq që luftojnë kundër ushtrisë serbe në very të Kosovës. Pra, Putini mund të shikojë me kënaqësi episodet si rrethimi i Manastirit të Banjskës, dhe nëse do ishte një punë me kohë të pjesshme, apo nëse Kremlini ishte ai që luajti telat, nuk ka rëndësi: efekti është i njëjtë – të imponohet mesazhi se Perëndimi nuk është në gjendje të ndalojë rrëshqitjen e periferisë së tij në kaos. Por edhe pse pasojat e inkursionit të Hamasit ndaj Izraelit dominojnë titujt kryesorë të mediave botërore, nuk duhet t’i heqim sytë nga Kosova. Për ata që mund ti kujtojnë vrasjet masive të kryera nga nacionalistët serbë në vitet 1990, rishfaqja e Kosovës në titujt kryesorë – së bashku me kërcënimet serbe për të destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën – është me të drejtë rrëqethëse. Pamjet e varreve masive dhe të burgosurve të kthyer në skelete, që pamë në konfliktin në Bosnje, janë paralajmërimi ynë se çfarë do të ndodh nëse rendi i pasluftës shkatërrohet. Krahasuar me luftën gjithëpërfshirëse në Ukrainë dhe kërcënimin e konfliktit rajonal në Lindjen e Mesme, 30 burra në Kosovë dhe një politikan me xhaketë e kollare, nuk tingëllojnë shumë. Por është një vijë e çarë afër zemrës së Evropës. Dhe librat e historisë na tregojnë se konfliktet e vogla në Ballkan kanë zakon të shkaktojnë gjëra edhe më të mëdha.

 

Advertisement