Kosova
‘Ka dyshime serioze për shpronësimet që po bën Prishtina në veri’
“Ka dyshime serioze dhe thelbësore kur bëhet fjalë për shpronësimin e tokës në veri të Kosovës, prandaj të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare i janë përkushtuar kësaj çështjeje” – Kështu tha Vladimir Bilčik, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë.
Qeveria e Kosovës së fundmi i hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet e BE-së, Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe OSBE-së në lidhje me shpronësimin e pronës së serbëve në Leposavic dhe Zubin Potok, sepse, siç pretendojnë në Prishtinë, “gjithçka është bërë në përputhje me ligjin”.
Bilçik theksoi se sundimi i ligjit është vendimtar, si dhe se çështja e shpronësimit të tokës në veri të Kosovës mbetet një çështje e hapur që rëndon dialogun.
“Ne u themi të gjithëve në Ballkanin Perëndimor se ata duhet të mbështeten në sundimin e ligjit nëse duan të përparojnë në integrimin evropian. Të gjitha ndryshimet në pronësinë e tokës dhe shpronësimi duhet të jenë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo është pjesë e problemit dhe tregon sa e vështirë është të vazhdohet me dialogun. Vështirësitë lindin dhe nga qëndrimi i Prishtinës ndaj çështjeve të shumta” – deklaroi Bilçik, duke theksuar se për momentin politik, shqetësimi dhe fokusi kryesor është te ngjarjet nga Banjska më 24 shtator.
“Ka ende shumë pyetje dhe probleme, por duhen dy për tango. Të gjitha palët duhet të japin atë që pritet prej tyre dhe kjo është një çështje që mbetet në tryezë e hapur kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe përmbushjen e obligimeve nga Prishtina” – deklaroi Vladimir Bilčik, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë.