Shkrime
Politika e dështuar dhe dokumenti i turpit që e përqeshën të gjithë në Bruksel
Pas sulmeve në Banjskë, Albin Kurti bëri saktësisht gjënë tipike për karakterin e tij: fjalë të mëdha si mbulesë për vepra të vockla. Ai u zotua se dialogu, ashtu siç e kemi njohur deri më tani, ka vdekur dhe ai nuk do ta takojë Presidentin e Serbisë pa një sërë kushtesh. Marrë parasysh disponimin kolektiv, ai manipuloi duke shkuar në drejtim me valët e opinionit publik.
Rritja e rejtingut të tij personal megjithatë erdhi me një çmim enorm për politikën e Kosovës. Në me pak se dy javë, ai jo që dështoi të drejtoi politikën ndërkombëtare drejt vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, por i theu të githa betimet e tij, duke pranuar të shkoj kokëulur në Bruksel.
Për më keq, ai kërkoi edhe zbatim sa me të shpejtë të planit franko-gjerman duke e shpërblyer Serbinë, pas akuzave që i kishte bërë vetë.
Çfarë mund të pritet tjetër nga një njeri i cili pas vdekjes së Adem Jasharit u zotua se s’do ta kap armën asnjëherë, e ndërkohë flet për UÇK-në?
Çfarë mund të pritet tjetër nga një njeri i cili u zotua se s’do të bëhet asnjëherë parti politike, e sot bën vetëm llogari elektorale?
Çfarë mund të pritet nga një njeri i cili u zotua se nuk do të bëjë asnjëherë negociata me Serbinë, ndërkohë sot ka vendosur t’ua jap Asociacionin territorial?
Nënshtrim dhe mashtrim, ashtu sikurse ka bërë me kauzën e moçme të bashkimit kombëtare dhe me gënjeshtrën e madhe për njohjen ‘de facto’ nga Serbia.
Menjëherë pas sulmit në Banjskë, Vjosa Osmani filloi fushatën e saj personale në media të ndryshme perëndimore.
Ajo është aq sipërfaqësore, sa beson se rrjedhshmëria e anglishtes së saj nënkupton edhe karizëm personale edhe fuqi argumentuese.
Në fakt, nuk janë as njëra, as tjetra. Vjosa Osmani është thjesht një egoiste e cila nuk e kurseu as policin e rënë në krye të detyrës, për të ngritur imazhin e saj publik, ashtu siç e keqpërdori Albin Kurti vetëvrasjen e Astrit Deharit.
Për një moment mbase edhe mund të supozojmë se këto probleme të tyre të thella personale dhe morale, nuk kanë asnjë rëndësi për interesin publik. Problemi është se anashkalimi i këtij supozimi nuk e ndryshon faktin se kjo dyshe në krye të shtetit, jo vetëm që ka dështuar në raport me Serbinë, por edhe sjellja e tyre shkurtpamëse i ka sjell pasoja veshtirë të riparueshme Kosovës.
Pse?
Vjosa Osmani deklaroi se Kosova do të kërkojë sanksione bilaterale ndaj Serbisë pas agresionit kundër Kosovës. Kushdo duhet ta ketë parasysh se Qeveria fillimisht sulmin ne Banjskë e cilësoi si terrorist e pastaj si agresion ndër-shtetëror.
Sulmi terrorist përfshinë çdo shkaktim te viktimave pa diskriminim me synim shkaktimin e frikës në funksion të qëllimit të caktuar. Akti i agresionit shtetëror nënkupton drejtpërdrejtë ndërhyrjen e organizuar ushtarake kundër tërësisë territoriale dhe kushtetuese të vendit.
Ajo çfarë ka bërë Rusia në Ukrainë nuk është sulm terrorist, por agresion ndër-shtetëror. Sipas presidentes së vendit, njëjtë ka vepruar edhe Serbia ndaj Kosovës.
Po ashtu, sipas saj, masa e parë urgjente në shërbim të korrigjimit të sjelljes së Serbisë është vendosja e sanksioneve. Në këtë fushatë, për disa jave tashmë janë angazhuar Presidentja, Kryeministri e Ministra e Jashtme.
Deri më tani, ata jo vetëm që nuk kanë arritur të bindin asnjë vend të botës të vendosin sanksione ndaj Serbisë, por realisht kanë bërë një punë të madhe në shkarkimin e saj prej përgjegjësisë në sulmin në Banjskë.
Presidentja e Kosovës, kur i pëlqen, në funksion të PR-it të saj, hiqet edhe si Komandante e Përgjithshme edhe si Shefe e Politikës së Jashtme.
Kur duhet t’i marrë përgjegjësitë e saj institucionale, ajo fshihet si e mjerë pas Kryeministrit, Kabinetit Qeveritar dhe këshilltarëve të saj, të cilëve ua sponsorizon paraqitjet mediatike.
Meqë ajo e ka kumtuar kërkesën për vendosje të sanksioneve ndaj Serbisë, ajo duhet ta marrë përgjegjësinë për faktin se tanimë për disa javë asnjë vend në botë nuk i ka vendosur sanksione asaj.
Për më shumë, Miroslav Lajçak në Prishtinë nuk e bëri Serbinë përgjegjëse, por e trajtoi sulmin si një problem të individëve të armatosur. Pra, ai u tregua mjaftueshëm i kujdesshëm ta bejë shkëputjen e Serbisë zyrtare prej ngjarjeve në Manastirin e Banjskës.
Ka edhe një arsye tjetër pse Presidentja duhet te largohet nga zyra e saj sa me parë: ajo ka gënjyer publikisht se Kosova nuk do të vazhdojë dialogun deri në marrjen e masave ndaj Serbisë.
Ne fakt, Albin Kurti jo vetëm qe takoi pesëshen e madhe ndërmjetësuese pa asnjë kusht, por edhe ka filluar të përgatit terrenin për zbatim të marrëveshjes.
Nga Athina, Kurti kërkoi zbatim sa më të shpejt të marrëveshjes.
Një prej pikave kyçe të marrëveshjes franko-gjermane është zotimi për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.
Akti i agresionit nënkupton thyerje të boshtit kryesor politik të marrëveshjes. Ai, pra, nuk kërkoi rishikim të marrëveshjes. As nuk e konstatoi si të vdekur. As nuk kërkoi kushte para zbatimit te saj. Ai kërkoi zbatim sa me të shpejtë të kësaj marrëveshje.
Përkthyer në praktikë, kjo do të thotë zbatim sa më të shpejtë të autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë.
Ka edhe një arsye shtesë pse Presidentja Osmani duhet të jap dorëheqje një orë e më parë.
Duke shfrytëzuar mangësitë mendore të Ministres se Jashtme, ajo është duke e përdorur pa mëshirë fytyrën e saj publike për interesa të veta.
Pas ngjarjeve në Banjskë, Osmani doli dhe kërkoi zbatim të Asociacionit. Menjëherë pas kësaj deklarate, ajo e nxori Ministren e Jashtme për ta mbuluar këtë kërkesë me qëndrimin se ‘asociacioni është i vdekur’.
Kjo është një prej shprehive që Presidentja Osmani ka marrë nga Albin Kurti: ashtu sikurse Albin Kurti e shfrytëzon pamëshirë mungesën e kurrizit të Glauk Konjufcës për të larë dredhitë e veta, ashtu edhe Vjosa Osmani e shfrytëzon pa mëshirë fytyrën e Donika Gervallës për ta ruajtur imazhin e saj.
Ne vend që të marrin përgjegjësi institucionale sipas situatës së një vendi nën agresion, ata kanë zgjedhur të bëjnë lojën e mashtrimit të publikut dhe ruajtjes së lëkurës së tyre personale para vendimit të tyre përfundimtar për të zbatuar autonominë territorial të Serbisë në Kosovë. Sidoqoftë, kjo nuk është e tëra.
Nëpërmjet burimeve, mediumi ‘AlbanianPost’ siguroi një raport të cilin Ministria e Jashtme e ka dorëzuar në qendrat kryesore diplomatike perëndimore lidhur me zhvillimet në Banjskë.
Këtu mjafton të theksojmë se një raport i një përmase kaq serioze është shkruar me një anglishte amatoreske, jo të denjë për diplomatë të zakonshëm në Ministrinë e Jashtme, e lerë më për një dokument shtetëror i cili mëton të vërtetojë përfshirjen e Serbisë në këto ngjarje.
Për më shumë, raporti përdor një gjuhë më të pagdhendur se të Albulena Haxhiut teksa bënë aludime për përfshirjen e personave të caktuar në sulmin e Banjskës. Mes tjerash, pershembull, aty shkruhet se Milan Radojiçiç-i njihet si njeriu i Aleksandër Vuçiç-it në Kosovë.
Riprodhimi i këtyre akuzave nuk ka vend në një raport zyrtar.
Për më keq, raporti si dëshmi citon hulumtime nga BIRN. Me fjalë të tjera, gjithë mekanizmi i sigurisë dhe diplomacisë së Kosovës nuk është në gjendje të prodhojë të dhena autentike të pakundërshtueshme, por dëshminë e tij duhet ta mbështes në hulumtime të pavarura të gazetareve të BIRN-it.
Për më shumë, raporti thotë se Serbia, “me shumë gjasa” me dijeninë dhe udhëzimin e Presidentit Vuçiç, qëndron prapa sulmit në Banjskë.
Me këtë konstatim, diplomacia dhe siguria e Kosovës janë bërë pjesë e përpjekjes personale të Vuçiç-it: ata kane përpiluar një dokument të përgatitur në mënyrë krejtësisht joprofesionale, por edhe e kanë lënë të hapur mundësinë që Vuçiç nuk qëndron prapa sulmeve.
Si në përpjekje për ta shpëtuar Presidentin e Serbisë, Albin Kurti në një prononcim akuzoi jo kreun e shtetit, por struktura të caktuara në ushtrinë e Serbisë për këtë çështje.
Pra, pasi Vuçiç filloi ta luajë këtë lojë, Kurti, Osmani e Gërvalla filluan ta ndjekin nga pas.
Madje burime nga Brukseli tregojnë se adresat në të cilat është dërguar dokumenti e kanë përçmuar për mungesën e cilësisë hetuese dhe inflacionin e përdorimit të frazave të formuluara si akuza mediokre politike.
“S’është serioz, s’është raport i hetimeve. Është raport politik”, kanë thënë nga Brukseli kur janë pyetur se a do merret parasysh.
Fakti se ky dokument është një dështim, dëshmohet nga vetë mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë.
Për këtë dështim në një moment kaq fatkeq, i cili zgjoi ndërgjegjen e kombit, Vjosa Osmani duhet moralisht te largohet nga politika sa më parë për t’iu bashkuar profileve te politikaneve që kanë lënë shenja të këqija në historinë e Kosovës autonome.
Për pak ditë, ndërkaq, të njëjtët që i kanë ligjëruar këtij populli se Serbia kreu agresion në Kosovë, ndërkohë që kanë bërë të gjitha gabimet e mundshme diplomatike në shërbim të saj, e kanë ndarë mendjen qe ta mbyllin çështjen e autonomisë së serbëve në Kosovë javët e ardhshme.
Pra, jo sanksione Serbisë, po shpërblim autonominë.
Së paku, këta kane zgjedhur që krejt këto favore t’i mbulojnë duke e sharë Vuçiç-in nëpër studio televizive.
Nga Albanian Post