Kosova
Asociacioni PO, njohja e Kosovës JO/ Vuçiç pas takimeve në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është deklaruar pas takimeve që ka pasur në Bruksel me funksionarë të lartë evropianë ku është folur për marrëveshjen bazike në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Të gjithë i referohen OKB-së. Por kur është fjala për Serbinë, ata duan të largohen nga OKB-ja dhe Karta e OKB-së. Prandaj pozita e Serbisë është e vështirë dhe nuk mendoj se do të jetë më e lehtë në të ardhmen. Ne do të luftojmë për mbijetesë, do mbahemi te Rezoluta 1244 dhe do respektojmë ligjin ndërkombëtar” – theksoi presidenti serb. Vuçiq tha se është e vështirë të bisedohet me ata që kohë më parë kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet. Kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por jemi të gatshëm të përmbushim ato për të cilat jemi marrë vesh. Pakoja e 21 tetorit është një bazë e mire për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen” – tha Vuçiq në Bruksel. Ai ka theksuar gjithashtu se është gati që të formohet Asociaiconi i komunave me shumicë serbe dhe se Serbia do ti tregoi të gjithë botës se kush sillet seriozisht dhe me përgjegjësi dhe kush e meriton besimin e bashkësisë ndërkombëtare. “Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që kemi marrë, kurse për pakon e 21 tetorit kemi thënë se jemi të gatshëm të pranojmë dhe të shkojmë në zbatim” – ka deklaruar Vuçiç. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka patur kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike. “Presidenti i Serbisë, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një dokument me kërkesa, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023” – thuhet në njofitimin e Qeverisë.