Kosova
Mungojnë veglat e kirurgut/ BE-ja pa instrumente që të ndikojë te palët
Njohësi i zhvillimeve politike në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, thotë se qasjet e ndërmjetësuesve të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe të Kurtit dhe të Vuçiç të enjten në Bruksel, kanë qenë të ngjashme me takimet e mëhershme dhe “shterpë”. “Dështimi i këtij takimi duhet të jetë leksion për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të punojnë në riformatizimin e dialogut, në mënyrë që ai të jetë maksimalisht i efektshëm. Dialogu është bërë qëllim në vete dhe duket se nuk ka indikacione se jemi duke shkuar drejt arritjes së marrëveshjes finale dhe zvogëlimit të hendekut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – tha Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë. Politologu serb, Ognjen Gogiç, thotë se po të kishin të dërguarit perëndimorë “një shkop apo karrotë, që në një mënyrë të ndikonin te palët, ata do ta shfrytëzonin atë qysh në dimër”, kohë kur është arritur Marrëveshja Bazë. “Nëse këtu do të kishte një ‘djalë të keq’, ai do të ishte Bashkimi Evropian, sepse mendoj se gjërat do të dukeshin ndryshe sikur të ekzistonte perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian” – theksoi Gogiç. “Po të hapeshin dyert e Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, ne do të arrinim shumë më lehtë deri te një marrëveshje, madje edhe te njohja de facto e Kosovës nga Serbia” – shprehu bindjen politologu Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës , duke vrarë një rreshter. Në përplasjet që kanë pasuar e që kanë nxitur shqetësim për qëndrueshmërinë në rajon, janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Analistët thonë se kanë pritur që kjo ngjarje do ta ndryshonte qasjen e ndërmjetësuesve evropianë në dialog. Muhaxhiri thotë se BE-ja nuk ka përdorur as instrumente ndëshkuese dhe as stimuluese për palët që të shkojnë drejt një marrëveshjeje. Sipas tij, situata është tashmë në pikën zero. “Shpjegimi më i duhur është status quo-ja, sepse është një bllokadë, e cila po vazhdon dhe do të vazhdojë, përderisa qasja aktuale do të jetë dominante si në Bruksel ashtu edhe në Uashington” – tha Muhaxhiri. Nga ana tjetër, Gogiç, gjithashtu, vlerëson se status quo-ja aktuale në procesin e dialogut bart rreziqe për sigurinë në terren. Sipas tij, mosarritja e ndonjë rezultati pozitiv të enjten është mesazh i qartë për ndërmjetësuesit e bisedimeve se “ky është vërtet fundi i procesit të Brukselit”. “Kjo tregon se nga të gjithë duhet parë se është vërtet e nevojshme që të ndryshohet formati dhe të ndryshohet qasja. Nuk e di se si. Por, ardhja e ‘pesëshes’ së diplomatëve perëndimorë në Beograd dhe Prishtinë, por edhe kjo të enjten, kanë treguar se procesi i Brukselit nuk çon më askund, është bërë i pakuptimtë dhe nuk është më i përdorshëm” – deklaroi Gogiç