Connect with us

Kosova

Janjiç: Ndërkombëtarët të jenë prezentë, ka indicie për një seri incidentesh dhe jo vetëm në Kosovë

Analisti serb Dushan Janjiç, duke komentuar takimet në Bruksel të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiç, në kuadër të planit për normalizimin e marrëdhënieve, tha se tashmë çështja është si do të reagojë presidenti serb dhe a do të vijojë ai në rrugën e dialogut apo do të përshkallëzojë konfliktin në Kosovë. Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të jenë prezentë në rajon për menaxhimin e situatës pasi “ka indicie për një seri incidentesh dhe jo vetëm në Kosovë”. Janiç tha se në rajon dihet influenca e Vladimir Putin, ku janë parë dhe mercenarë të Wagner, prandaj ai apeloi për vigjilencë dhe menaxhim të konflikteve të mundshme nga ndërkombëtarët dhe jo nga aktorët lokalë. “Ne jemi dëshmitarë të një metodologjie të gabuar dhe të përsëritur nga ana e Bashkimit Europian, saktësisht nga Borrell dhe Lajcak. Në Bruksel patëm dhe një deklaratë të liderëve evropianë, përmes së cilës ata duan të inkurajojnë Kurtin dhe Vuçiçin të implementojnë marrëveshjet. Ata po bëjnë thirrje që të diskutohet akoma drafti i propozuar. Presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë se çdo gjë mund të vihet në tavolinë përveç njohjes së Kosovës. Lajm i mirë është puna që delegacionet e Britanisë dhe BE po bëjnë që të çmilitarizohet situata dhe tensionet të ulen. Për sa i përket Vuçiçit, ai është duke bërë të njëjtën gjë dhe duke implementuar të njëjtin strategji si Kurti. Vuçiç vazhdon me të njëjtën retorikë që thotë se nuk do ta njohë Kosovën” – tregoi Dushan Janjiç, sipas së cilit, tani çështja është si do të reagojë Vuçiçi dhe opinion publik në Serbi sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë. A do të vazhdojë Vuçiç bisedimet për të arritur një zgjidhje paqësore apo do të vijohet me destabilizim dhe një përplasje të armatosur. “Shpresoj që menaxhimi këtij konflikti të jetë në duart e ndërkombëtarëve. Konflikti mund të mos jetë domosdoshmërisht mes Serbisë dhe Kosovës, por mund të kemi një seri incidentesh. Ne pamë qartësisht që sulmi në Banjskë u bë nga paramilitarë serbë, por dhe në manastirin e Zveçanit kemi parë xhihadistë islamikë, ashtu sikurse dihet ndikimi rus dhe prania e Wagner, ndaj në këtë aspekt është mirë që menaxhimi i konflikteve të bëhet nga ndërkombëtarët” – potencoi Analisti Dushan Janjiç.

Advertisement

TRENDING