Kosova
Shtypi gjerman ‘dërmon’ Vuçiçin: Ai vendos se çfarë duhet të besojnë serbët
“Presidenti Aleksandër Vuçiç, në masë të madhe vendos se për çfarë duhet të informohen serbët dhe çfarë duhet të besojnë” – Kështu shkruan gazeta gjermane Tagespiege, dhe citon deklaratën e politologut nga Beogradi, Nikola Burazer, i cili thotë se “popullata serbe është e hutuar dhe se “askush në Serbi, nuk e di vërtet se çfarë ndodhi një muaj më parë në Manastirin e Banjskës në veri të Kosovës, ku gjeti vdekjen një polic vendas dhe tre agresorë”.
Menjëherë pas asaj ngjarje, “ndërsa autoritetet në Beograd ishin ende të hutuara për motivin dhe objektivin e sulmuesve, disa media serbe i portretizuan serbët që u vranë nga policia e Kosovës si “heronj”.
“Dhe kjo nuk është asgjë e re. Mediat proqeveritare serbe kanë vite që përdorin propagandë të pastër nacionaliste për të lavdëruar presidentin Aleksandçr Vuçiç dhe për të demonizuar opozitën, Perëndimin dhe kombet e tjera në rajon” – thekson Burazer duke shtuar se “Qeveria e Serbisë po punon në mënyrë aktive për të shtypur apo diskredituar mediat objektive. Sulmet ndaj gazetarëve nuk dënohen dhe qasja në informacion është e kufizuar vetëm në ato redaksi ku toni diktohet nga pronarët që janë miq të Vuçiçit”.
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, kujton Tagespiegel, “por e ardhmja e Beogradit nuk u lëkund vetëm pas sulmit në Kosovë në fund të shtatorit. Ideologjikisht, Beogradi lëkundet edhe mes Brukselit dhe Moskës, dhe kjo vihet re edhe në media.
Gazeta ‘Kellner Stadt Anzeiger” ka botuar një artikull me titull “Vendi tjetër problematik në Evropë” në të cilin vlerësohet që në fillim se Rajoni I Ballkanit është “fuci baroti” dhe se “Bashkimi Evropian nuk ka arritur ende të këpusë fitilin e shpërthimit”.
“Bisedimet në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishin të pasuksesshme dhe nuk u ndihmua për një tjetër rezultat as prezenca e Olaf Scholz, Emmanuel Macronit dhe italianes Giorgia Meloni”.
Artikulli citon gjithashtu deklaratën e Gerald Knaus, sociolog, studiues i emigracionit dhe kryetar i institutit iniciativë evropiane për stabilitet, i cili thotë se “mediat serbe kanë vite që flasin për luftën e ardhshme në Ballkan” dhe kanë qenë duke shkruar për javë të tëra për “terrorin në Kosovë ndaj pakicave serbe”. Pra, “ka nevojë për ndërhyrje”, por, siç pretendon Knaus, “absolutisht nuk ka terror ndaj minoritetit serb në Kosovë”.
Sipas ekspertit gjerman, Vuçiç po dërgon një sinjal të qartë se nuk beson më në procesin e anëtarësimit. “Problemi është se ai ka të drejtë” – thotë Knaus, dhe gazeta gjermane shpjegon gjithashtu se “gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, kanë pritur të bashkohen për më shumë se 20 vjet, por ato, në shkallë të ndryshme, nuk i plotësojnë kërkesat e BE-së”.
Premtimi për integrim në Ballkanin Perëndimor duhet të ripërtërihet, thotë Knaus.
“Propozimi ynë është që të mos ofrojmë asnjë kompromis zyrtar në Këshillin e BE-së në dhjetor, por të themi qartë: nëse vendet në Ballkan, përmbushin kushtet, të paktën do të jenë në gjendje të anëtarësohen në Bashkimin e përbashkët Evropian në katër-pesë vitet e ardhshme. Ky do të ishte një “sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm” – thekson Gerald Knaus.