Kosova
Hovenier: S’është e domosdoshme të ketë nënshkrim të marrëveshjeve
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka vlerësuar pozitive takimet që Kurti dhe Vuçiq paten me liderët e shteteve kryesore të BE-së.
“Mendoj se duhet ta shohim atë takim si mundësi të jashtëzakonshme që kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, kryeministrja e Italisë së bashku me Përfaqësuesin e Lartë Borrell, me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Mishel dhe të tjerët të ulen dhe të flasin ndaras me secilin prej tyre për të parë ku qëndrojnë gjërat dhe për të kërkuar që të frymëzojnë përparim në këtë proces”, tha Ambasadori Hovenier. Sipas tij kjo pasqyron seriozitetin e bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht të udhëheqjes evropiane për të vënë këtë proces në fazë tjetër.
“Nëse lexoni deklaratën e tyre të përbashkët, aty janë disa gjëra të rëndësishme. Aty janë shprehur disa pritshmëri të rëndësishme; që palët të përmbushin zotimet e tyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, pa parakushte dhe pa vonesa, se Kosova veçanërisht duhet të ecë përpara me zotimin e saj për zbatimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të përmbushë zotimin për “njohjen de facto” – ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë.
Sipas tij kjo është nxitje e rëndësishme, përpjekje e rëndësishme për të shtyrë këtë proces përpara, gjë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht.
I pyetur se a ka nxjerrë ky takim diçka konkrete për procesin e dialogut, ambasadori u shpreh që PO, duke theksuar se nuk është e domosdoshme që të këtë nënshkrim të marrëveshjeve.
Ambasadori tha se nga këndvështrimi I tyre “ndërsa ne e pranojmë interesin e Kryeministrit Kurti për të pasur një nënshkrim, mendojmë se është shumë më pak e rëndësishme sesa rëndësia aktuale që të ecim përpara me zbatimin e plotë dhe të plotë të të gjitha detyrimeve të marrëveshjes nga të dyja palët”.
“Mund t’ju jap lista të shumta të marrëveshjeve të tjera kudo, që nuk janë nënshkruar domosdoshmërish, por që janë ligjërisht të detyrueshme, përfshirë procesin e dialogut. Dhe unë ritheksoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se Marrëveshja bazë dhe aneksi zbatues janë ligjërisht të detyrueshme”, tha ambasadori amerikan.