Connect with us

Kosova

Ramabaja me akuza për Borrellin, Lajçakun e Varhelyi

Analisti politik, profesor Sadri Ramabaja, ka publikuar një shkrim, që është “fragment i një analize më të gjatë”, ku ka komentuar njohjen de facto dhe “statusin e konfliktit të ngrirë” për veriun e Kosovës.

Ramabaja ka akuzuar tre evropianë, më saktë Josep Borrellin, Miroslav Lajçakun dhe Oliver Varhelyi, se po punojnë me regjinë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të imponuar “status të konfliktit të ngrirë” së paku për veriun e Kosovës.

“Mendoj se kjo po ndodhë për disa arsye, me idenë për të imponuar rikthimin tek teza e shkëmbimit të territoreve në kohë e rrethana më të përshtatshme. Treshja europiane në fjalë, kanë punuar dhe po vazhdojnë të punojnë sipas regjisë së presidentit serb, për të imponuar, së paku për veriun e Kosovës, statusin e konfliktit të ngrirë.” – Ka shkruar Ramabaja

“Agresioni në Banjskë, bashkë me narrativën e rezistencës kundër Perendimit, ka imponuar ndryshimin e kursit të Brukselit në raport me marrëveshjen finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, njohje reciproke, siç ishte paralajmëruar fill pas inaugurimit të presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, duke e devijuar atë në aktin e njohjes faktike. Ndërkaq njohja de jure, përmes shkëmbimit të akteve apo vendosjes së raporteve diplomatike, po shtyhet për në kalendrat greke” – ka shkruar profesori analist, sipas të cilit, “Gjatë dy viteve të fundit, dyshja diplomatike Borrell-Lajçak, ia kishin arritur te krijonin një imazh paqësor, të politikanit të përgjegjshëm, pra krejt tjetër nga ai reali, për presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Ata, bashkë me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, ia dolën që ta imponojnë në Bruksel gjykimin se për tensionet në veri të Kosovës, fajin e ka Kosova, rrjedhimisht dhe ajo duhet sanksionuar. Ky qëndrim, pavarësisht se agresioni serb i 24 shtatorit realisht do të duhej ta përmbyste situatën, është i vlefshëm edhe për më tej, duke krijuar përshtypjen, se jo vetëm kjo treshe e diplomatëve, por përgjithësisht sektori i diplomacisë së Bashkimit Europian, bëjnë sikur 24 shtatori as që ka ndodhur. Serbia vazhdon të mos i nësnhtrohet kurrfarë sanksioni nga Brukseli. Krahas kësaj, qarqe politike në Perendim, bashkë me kolonën e pestë, po përgatiten për rikthimin e idesë së shkëmbimit të territoreve në kohë e rrethana më të përshtatshme, e cila në fakt nënkupton aneksimin e veriut” – ka theksuar Sadri Ramabaja.

Gjithashtu ai është shprehur se “klasës politike të Kosovës i mbetet të zgjedhë mes aktit të “njohjes faktike” dhe statusit të konfliktit të ngrirë”

Vlen të theksohet se Parlamenti Europian ecën një hap para diplomacisë së BE-së në raport me Kosovën. Ai mbetet institucioni më demokratik nga të gjitha institucionet e BE-së, rrjedhimisht edhe më i pavarur. Kjo përqasje e pavarur ka rezultuar me qëndrime të ndryshme nga diplomacia e BE-së në disa raste.

Parlamenti Evropian është zgjedhur nga qytetarët e BE-së, dhe ndikimi i opinionit publik në vendet anëtare ka bërë që parlamentarët të reflektojnë qartë në raport me sjelljet e Serbisë, por edhe me interesat jetike të BE-së. Ndikimi i grupimeve të interesit dhe lëvizjeve të shoqërisë civile, para së gjithash, medias dhe botës akademike mbi parlamentarët, ka ndikuar në qëndrimet e tyre në lidhje me Kosovën.

Advertisement