Kronike
Sapo sheh policinë hedh pistoletën nga makina dhe tenton të largohet, arrestohet 38 vjeçari
Policia zbulon pamjet e arrestimit të Enron Konomit (Daupi) prangosur në kuadër të operacionit ‘Sundimi i ligjit” Sipas policisë 38 vjeçari hodhi nga automjeti që drejtonte, pistoletën që mbante me vete, sapo pa shërbimet e Policisë. “Shërbimet e Policisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë lokalizuar në lagjen “Isa Boletini”, automjetin tip “Fiat” që drejtohej nga Enron Konomi dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo ka vënë re se po ndiqej nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi dhe ka hedhur nga automjeti, një armë zjarri pistoletë me fishekë në të, të cilën e posedonte pa leje, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe prangosur nga Policia, informoi sot policia e Vlorës. Në pranga ka rënë dhe E.D po 38 vjeç banues në Vlorë. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.” Armën e zjarrit pistoletë së bashku me fishekët dhe automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.