Shkrime
Publikimi i hetimit ndërkombëtar për Banjskën/ Flasin Weber e Serwer
Sot bëhen saktësisht një muaj e një ditë që kur emisari sllovak, Miroslav Lajcak, nga një konferencë për media në Prishtinë më 21 tetor, paralajmëroi se Bashkimi Europian dhe NATO do të dalin shumë shpejt me dokumentin e përfunduar lidhur me hetimet për Banjskën. Megjithatë edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga sulmi terrorist atje dhe një muaj nga premtimi I emisarit europian, nuk është publikuar ndonjë raport apo hetim për ngjarjen.
Por pse po ndodh një vonesë e tillë dhe a ndërlidhet kjo me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Lidhur me këtë janë prononcuar eksperti gjerman Bodo Weber dhe profesori amerikan, Daniel Serwer.
Weber, ka thënë se është e qartë që Bashkimi Europian, SHBA dhe NATO janë të përfshira në hetimin që po kryhet nga autoritetet e Kosovës dhe në analizimin e një numri të madh provash për Banjskën, dhe potencoi se është e qartë që provat s’lënë shumë vend për dyshim, që sulmuesit ishin armatosur, trajnuar e paguar nga Serbia dhe se rolin kryesor për këtë e kishte ushtria, konkretisht Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.
Ai shtoi se është e pamundur që diçka e një madhësie të tillë të ketë ndodhur pa dijeninë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, por dhe se mbetet e paqartë nëse urdhri për zbatimin e planit u dha nga autoritetet apo Milan Radoicic vendosi njëanshëm.
“Por pavarësisht kësaj, ka më shumë se mjaftueshëm provat për Perëndimin që publikisht t’i prezantojë gjetjet dhe të nxjerr konkluzione politike, pra të ashpërsohet seriozisht me Serbinë” – ka thënë Bodo Weber.
Lidhur me pyetjen se përse s’po bëhen publike të detajet e hetimit ndërkombëtar dhe a mund të ndërlidhet kjo me implikimet që mund të ketë në dialog gjetja potenciale se shteti serb është përgjegjës direkt për ngjarjen?
Weber tha se BE dhe SHBA kanë një problem me Banjskën, meqë të gjithë politikën e dialogut, nismën franko-gjermane, e kanë ndërtuar me një qasje qetësuese ndaj regjimit të Aleksander Vucicit.
Ai theksoi se të bëhesh tani i ashpër me presidentin serb për shkak të Banjskës, do të kërkonte me patjetër vendosjen e sanksioneve, dhe kjo do të nënkuptonte “vrasje të nismës Franko-gjermane”. Eksperti u shpreh gjithashtu se Perëndimi po vonon publikimin e rezultateve të hetimit, me shpresën për të patur një përparim në negociata.
Weber hodhi poshtë opsionin që vonesat lidhur me publikimin e detajeve të hetimit, mund të lidhen me çështje teknike.
“ Hetimi duket se tashmë ka prodhuar një pasqyrë relativisht të qartë për atë që ka ndodhur dhe rolin kryesor të shtetit serb në të. Nga ana tjetër, ndërkohë që flitet shumë për një të ashtuquajtur hetim ndërkombëtar, unë nuk shoh diçka të tillë në Serbi, d.m.th. një pjesëmarrje apo monitorim të drejtpërdrejtë të zyrtarëve perëndimorë në hetimin e autoriteteve serbe për Radoiçiçin – i cili gjithsesi duket qartë se është simulim i pastër” – ka deklaruar Weber.
I pyetur nëse edhe çështja e sanksioneve po përdoret si mjet presioni në procesin e dialogut, eksperti gjerman tha masat ndaj Kosovës janë pjesë e fuqizimit të politikës dhe nismës nga BE dhe SHBA, e që sipas tij dihet që ka dështuar qysh para Banjskës por që ata s’janë ende të gatshëm për ta pranuar.
Lidhur me çështjen e hetimit ndërkombëtar dhe mospublikimit të gjetjeve për Banjskën, ka folur edhe eksperti amerikan, Daniel Serwer. Ai ka thënë se për një gjë të tillë duhet pyetur Bashkimi Evropian meqë në SHBA s’ka parë dikë që dyshon në përfshirjen direkte të Beogradit në aktin terrorist”
Profesori i Johns Hokpins mendon se ka kaluar mjaftë kohë, edhe për një “BE tejet të ngadaltë” që të arrijë në një përfundim për agresionin.
I pyetur nëse edhe me masat e vendosura ndaj Kosovës, po përdoret e njëjta taktikë sikurse me hetimin ndërkombëtar, Serwer pohoi se BE-ja po synon që përmes masave t’i bëjë presion Kurtit, megjithatë tha se taktika s’po funksionon.