Connect with us

Kosova

‘Nuk do të mjaftojë asgjë më pak se njohja e Kosovës nga Serbia’

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i kanë humbur mundësitë për të vepruar në krijimin e Asociacionit.

Ai u shpreh se NATO është e shqetësuar se rajonit i duhet vëmendje, duke komentuar edhe vendimin e marrë në Bruksel për të rritur praninë e NATO-s brenda Kosovës.

Duke komentuar rolin e SHBA-ve, dhe BE-së në rajon, Kupchan tha se SHBA-të dhe BE-të kanë dyfishuar përpjekjet e tyre për tu angazhuar në rajon dhe ata po e bëjnë këtë së bashku, teksa dhe shtoi se kjo gjë dallon nga epoka e Donald Trump, kur Amerika punonte vetëm.

“Mendoj se në shumë aspekte Ballkani Perëndimor rrëshqiti jashtë radarëve të ngritur gjatë epokës së pas 11 shtatorit dhe pas luftës në Ukrainë. Dhe krejt papritur njerëzit janë shqetësuar se rajoni potencialisht mund të ecë në prapakthim, madje dhe drejt konfliktit. Kemi parë tensione që janë rritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhuna shpërtheu në veriun e Kosovës. Milorad Dodik në Republikën Serbe po flet për ndarje dhe për t’u bërë president i parë i një Republike Serbe të pavarur. Dhe me të gjitha këto problem, NATO u shqetësua se rajonit i duhet vëmendje dhe kemi parë vendimin e marrë këtë javë në Bruksel për të rritur praninë e Aleancës brenda Kosovës. Kjo jo sepse ata po presin dhunë por është një mënyrë për të parandaluar dhunën” – theksoi Kupchan

“Mendoj se lidershipi në Prishtinë, herë pas here ka ndërmarrë hapa që nuk janë të dobishme, duke shtyrë çështjen e kartave të identitetit dhe targat, duke caktuar kryetarët e bashkive në veri, pavarësisht se janë zgjedhur nga një pakicë e vogël e popullsisë. Mendoj se duhet të kthehemi në një dialog produktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sepse besoj se udhërrëfyesi që është parashtruar nga BE-ja, ka potencial real për të çuar drejt normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha eksperti I çështjeve të sigurisë.

“Nuk ka dyshim se të dyja palët po i zvarrisin këmbët dhe unë mendoj se të dy, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti i kanë humbur mundësitë për të vepruar në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe për të përmbushur angazhimet e tjera që janë paraqitur në planin e BE-së” – theksoi Kupchan.

Sipas tij, Kurti dhe Vuçië kanë luajtur me kartën nacionaliste në një mënyrë që nuk ka qenë e dobishme.

“Unë mendoj se duhet që amerikanët të bëjnë presion mbi të dyja palët, që BE-ja ta bëjë të qartë se Serbia nuk ka rrugë drejt anëtarësimit në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën” – deklaroi eksperti

“Rezultati përfundimtar I dialogut, mendoj se do te jetë njohja e plotë e Kosovës nga Serbia, si shtet i pavarur dhe Sovran. Viti i fundit ka dhënë rreze drite dhe errësirë, por mendoj se fakti që NATO-ja diskutoi së fundmi për Ballkanin Perëndimor dhe e pati në krye të agjendës në Bruksel, tregon se si Kosova dhe Serbia do duhet të bëjnë kompromise të vështira” – deklaroi ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Advertisement