Shkrime
Marrëveshja e vjetër, pas vitit të ri
“Përkundër trysnisë së shtuar ndërkombëtare dhe situatës së rënduar të sigurisë në Rajon, janë gati minimale gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) deri në fund të vitit” – Kështu janë shprehur analistë të ndryshëm dhe njohës të Ballkanit, të cilët vlerësojnë se asnjë lëvizje në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk mund të pritet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, përkatësisht deri në formimin e qeverisë së re të Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak se shndërrimi i dialogut në çështje elektorale vetëm sa e cenon kredibilitetin e procesin e normalizimit
Dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të arrihet dhe tashmë marrëveshja Kosovë-Serbi, përpos ndikimit nga dy luftërat, do të matet në kontekstin zgjedhjeve në Serbi.
Drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale në Prishtinë, Visar Ymeri, ndonëse vlerëson se në takimin e fundit të nivelit të lartë në tetor, ka pasur njëfarë “dakordimi cilësor” për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), nuk pritet të ketë “asgjë të re për publikun” javët në vijim.
“Zgjedhjet në Serbi duket se përfundimisht e kanë ngadalësuar jashtëzakonisht shumë dialogun në kuptimin e takimeve në Bruksel në kuadër të këtij procesi. Prandaj nuk duket se do të ketë ndonjë gjë të re për publikun në këtë drejtim gjatë këtij viti” – vlerësoi Ymeri, teksa edhe ka kritikuar praktikën e konfidencialitetit lidhur me procesin e dialogut.
Shumë skeptik shprehet edhe ligjëruesi i Medias dhe Konfliktit në Univesitetin e Agderit në Norvergji, Abit Hoxha, i cili vlerëson se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një marrëveshje që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes dy fqinjëve armiqësorë që assesi të dalin nga dinamika parakonfliktuale.
Hoxha tha se procesi i dialogut përdoret për të ushqyer ndjenjat dhe emocionet nacionaliste të të dy popujve, ndërsa liderët politikë presin që këtë ta përkthejnë në mbështetje elektorale. E sa i përket përpjekjeve të eurokratëve evropianë për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ai ka shprehur gjithashtu dyshimet e tij.
“Unë nuk shoh se do të ketë ndonjë lëvizje të madhe sepse i tërë procesi është i dizajnuar dhe destinuar për një normalizim inkremental. Kjo duke pasur parasysh kapitalizmin e dialogut në Serbi dhe Kosovë për nevoja elektorale, por edhe komercializimin e dialogut nga përfaqësuesit e BE-së”.
Ymeri nga ana tjetër konsideroi se një prej dëmeve akute në procesin e dialogut ka qenë pikërisht trajtimi i rrjedhës së tensionuar i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vetëm si urgjencë sigurie, posaçërisht pas ngritjes së tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por jo si mundësi për ngritjen e nivelit të bashkëpunimin në drejtim të paqes.
Ai shtoi se situata e rënduar e sigurisë dhe përfshirja e NATO-s edhe mund të përshpejtojë fazën përmbyllëse të procesit të dialogut, por në të njëjtën kohë, kjo mund të cenojë edhe cilësinë e marrëveshjes, duke qenë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare është duke investuar më shumë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në veri se sa të arrijë deri tek paqja e përhershme.
Përpjekjet e ripërtëritura të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për parandalimin e përshkallëzimit te dhunës, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë, ky fakt nuk duhet të merret i mirëqenë.