Connect with us

Sport

Partizani bëhet si spital, 7 lojtarë të operuar në 5 muaj

Partizani renditet në vendin e dytë me tri pikë larg Egnatias dhe me vetëm një humbje të pësuar, atë ndaj Skënderbeut. Të kuqtë kanë treguar se janë një nga ekipet më stabël, duke ruajtur ritmin edhe në momentin kur u largua trajneri Zoran Zekiç.

Kur e sheh Partizanin në këtë gjendje kaq të mirë dhe me lojtarë që spikasin, harrojmë se në klubin e kuq nga muaji gusht e deri ditën e djeshme janë plot shtatë lojtarë, që u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale të rëndësisë dhe karakterit të ndryshëm. I fundit ishte Arbër Bytyçi ditën e djeshme. Mbrojtësi nga Kosova iu nënshtrua një ndërhyrjeje të komplikuar kirurgjikale në ligament (ACL). Ai u dëmtua në Rrogozhinë në ndeshjen ndaj Egnatias dhe pritet të jetë i gatshëm për lojë vetëm në sezonin e ardhshëm, pasi pas pak ditësh do të nisë një rrugë të gjatë e të vështirë drejt rikuperimit të plotë.

  • foto galeri

TË TJERËT – Në të njëjtën ndeshje me Bytyçin u dëmtua edhe Marçelino Preka, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje në klavikulë. Shkodrani, që ishte kthyer në titullar fiks, pritet të kthehet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. E njëjta gjë vlen edhe për kapitenin Hoxha, operacioni i të cilit është i një karakteri krejt tjetër. Ndërkaq, janë edhe katër lojtarë, të cilët janë operuar dhe janë rikthyer tashmë, duke qenë në dispozicion të Abilaliajt. Bëhet fjalë për Sembene, Kote, Mensah dhe Qirko. Përveç operimeve, lista bëhet “çarçaf” nëse përmendim edhe lojtarët e tjerë të ekipit që janë dëmtuar gjatë kësaj periudhe, por që nuk ka qenë nevoja për operim. Atanaskoski, Hadroj, Sota, Bilali, Koçijan, Da Silva, Mba, etj., janë dëmtuar dhe një pjesë e tyre vijojnë të mos jenë gati.

PËRSE? – Duhet thënë se një pjesë e dëmtimeve nuk kanë ndodhur në fushën e lojës, por sërish te Partizani duhet të ngrihet një alarm në lidhje me këtë situatë. Jemi vetëm në muajin dhjetor dhe thuajse të gjithë lojtarët kanë pësuar minimalisht një dëmtim. Fati është pjesë e gjithë kësaj, por nuk do të ishte normale që në klubin e kuq të mos bëhej një analizë dhe të mos merreshin masa për përmirësimin dhe mospërsëritjen e kësaj situate.

Advertisement