Connect with us

Kosova

Rreziku i madh që e pret dialogun/ Opinioni i diplomatit Wolfgang Petritsch

Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë, është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, diplomati austriak shpreson që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.

“Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve” – deklaroi Petritsch. Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën. Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë vendimtar. Unë besoj se nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në, Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 – pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm – të ketë përparim substancial” – potencoi diplomati austriak.

Advertisement