Connect with us

Kosova

Serbët bëhen grusht bashkuar/ Serwer: Përpjekje për kontroll në Kosovë

Specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe një nga njohësit më të mirë ndërkombëtar të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, në një opinion të publikuar ka thënë se po shtohen përpjekjet e qëllimshme të Beogradit për të vendosur kontroll de facto të popullatës serbe në vendet fqinje.

Siç vlerësoi Serwer, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk po ndërton shtëpi, por një Botë Serbe, teksa po mbeshtet shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje Hercegovina, kjo pas kërcënimeve të vazhdueshme për shkëputje nga presidenti ultra-nacionalist Millorad Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vuçiç po mbështet haptazi përpjekjet e Dodik-ut në Bosnje e Hercegovinë për të nxjerrë entitetin serb nga autoriteti i qeverisë dhe sistemit ligjor të Sarajevës” – ka theksuar profesori amerikan, teksa ndikimin e Beogradit e ka parë edhe në një vend tjetër ballkanik.

“Me ndihmën e madhe të Kishës Ortodokse Serbe, Beogradi ka arritur gjithashtu të vendosë një qeveri pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi” – tregoi Serwer.

Përsa i përket Kosovës, ai beson se Beogradi “e ka tejkaluar veten”, dhe për ta argumentuar këtë, profesori amerikan përmendi disa raste kur Serbia ka shtyrë serbët e Kosovës të ndërrmarin veprime radikale.

“Vuçiç argoi serbët nga policia, gjykatat dhe administrata e Prishtinës në katër komunat veriore me shumicë serbe. Sponsorizoi bojkotin e zgjedhjeve komunale. Ngriti turmat e marra me qira për të protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve joserbë dhe për të sulmuar paqeruajtësit e NATO” – renditi Serwer disa nga veprimet e Serbisë.

Ai gjithashtu përmendi edhe rrembimin e tre policëve në territorin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, por edhe trajnimin dhe mobilizimin e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Në prizmin e Serwer, reagimi i Perëndimit, përkatësisht i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj këtyre çështjeve “ka qenë i dobët”.

“Derisa të ketë pasoja të vërteta, Serbia do të vazhdojë lëvizjen e saj drejt lindjes në krahët e Putinit, Xi Jinping, Aliyev, Lukashenkos dhe Orbanit” – ka theksuar Daniel Serwer.

Advertisement