Kosova
Varreza politike e Brukselit/ Kusht i ri për Kosovën
Dialogu mes të Kosovës dhe Serbisë ka dy probleme funksionale, që manifestohen si dy forca bllokuese të procesit. Serbia deklaron që nuk do të njohë de-facto Kosovën, pra nuk do të zbatojë nenin 4 të marrëveshjes si dhe nuk do të lejojë hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në Beograd. Në anën tjetër, Kosova deklaron që do të themelojë Asociacionin, një obligim që derivon edhe nga Marrëveshja Bazike, vetëm nëse Serbia e nënshkruan Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit.
“Në pamje të parë duket situatë e pashpresë dhe krijohet përshtypja që, për sa i përket dialogut, viti 2024 do të jetë si 2023. Pra, një situatë ku BE, si ndërmjetësues do të ngelë peng i sjelljes jo-konstruktive të palëve. Por ky konstatim është i gabuar. Përderisa palët do të vijojnë me po të njëjtat pozicione dhe kërkesa, ajo që do të ndryshojë në vitin 2024 është qasja dhe pozicioni i Bashkimit Evropian përballë palëve. Ky ndryshim është vendimtar jo vetëm për vitin 2024, por për dekadën e ardhshme pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellin zgjedhjet e sivjetme evropiane dhe ato amerikane” – keshtu ka vleresuar analisti Baton Haxhiu, sipas të cilit, në ditët dhe javët në vijim, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së edhe formalisht do të vendosin që zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe i aneksit të zbatimit të jetë kusht formal që duhet të përmbushet në procesin e integrimit për në BE, pra një kusht dhe detyrim shtesë në krye të kushteve dhe detyrimeve që Serbia dhe Kosova tashmë kanë.
“Ky vendim i Komisionit Evropian dhe i Këshillit të Ministrave do ta ndryshojë komplet kontekstin politik. Pas këtij akti të formalizmit, themelimi i Asociacionit nuk do të jetë më vetëm detyrim kontraktual i Kosovës ndaj palës tjetër, por do të jetë edhe detyrim i veçantë i Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ndërkaq, njohja de-facto e Kosovës nuk do të jetë më vetëm detyrim kontraktual i Serbisë ndaj palës tjetër, por do të jetë edhe detyrim i veçantë i Serbisë ndaj Bashkimit Evropian” – potencoi analisti sipas te cilit, persa i përket procesit të themelimit të Asociacionit, në këtë kontekst të ri politik të krijuar pas formalizmit të detyrimit të zbatimit të marrëveshjes, BE do të zyrtarizojë propozimin e vet të draft-statutit.
“Si konkluzion, në vitin 2024, hapësira e Kosovës dhe e Serbisë për manovrime politike do të ngushtohet dukshëm. Zyrtarizmi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike si kusht integral, formal dhe i detyrueshëm, në rrugën e integrimit qëndron më lart se nënshkrimi si një akt formal kontraktual. Pra, pavarësisht mos nënshkrimit të marrëveshjes nga Serbia, themelimi i Asociacionit do të jetë një detyrim formal i Kosovës ndaj BE-së. Po ashtu, pavarësisht deklarimeve pompoze në Beograd, elementet e njohjes de-facto të Kosovës do të jenë detyrim formal i Serbisë ndaj BE-së. Dhe këto detyrime do të ngelin pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellin zgjedhjet evropiane dhe ato amerikane këtë vit” – theksoi analisti Baton Haxhiu