Kosova
Të çlirojmë Kosovën/ Shtohen politikanët serbë që duan të luftojnë
Drejtori i kompanisë “Srbijagas” dhe njëkohësisht zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të Serbisë, drejtuar nga Ivica Dacic, Dushan Bajatoviç, tha se nëse do të duhej të luftonte për Kosovën, ai do të ishte i pari që do të regjistrohej.
Ai tregoi me mburje se tashmë ishte komandant ushtarak dhe se ka marrë pjesë në luftën e Bosnjës në Vukovar dhe në Kosovë.
Bajatoviç, ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një klip nga podkasti i “Informer TV” dhe ka shkruar –
“A duam të hyjmë në luftë për Kosovën? Epo, nëse duhet, nuk do të thotë se duhet të detyrohemi nga Albin Kurti dhe nga disa amerikanë. Duhet të mendojmë… unë do të jem i pari që do aplikoj. Meqë ra fjala, kam qenë komandant ushtarak, kam qenë në Vukovar, kam qenë në Bosnje, kam qenë në Kosovë. Më thirri vendi im. A është kjo politikë e mirë apo e keqe? Kemi pasur edhe kundërshtime për politikën e Milloshevicit dhe kur ai ishte gjallë dhe ishte shef, por ne morëm Republikën Srpska, dhe nuk do të dorëzohemi kaq lehtë. Në fund të fundit, kur je në tavolinën e bisedimeve, pyet veten për diçka, kurse nëse je nën tavolinë, nuk pyet veten për asgjë. Nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët për ne. Të qëndrojmë pa Rusinë është budallallëk. Do të na hanë për dy ditë nuk do të ishte vetëm Kosova, por edhe Vojvodina dhe rajoni i Rashkës, dhe unë si individ dhe ushtarak, nuk do ta lejoj”, ka thënë Bajatoviç.
Para tij, mjeku kontrovers dhe bartësi i listës “MI-GLas iz naroda” Branimir Nestoroviç ka thënë se Serbia duhet të përgatitet për luftë ndaj Kosovës.
Së fundmi, Nestoroviç në një paraqitje në kanalin Balkan Info, i cili u transmetua më 20 janar, ka theksuar se Serbia e ka forcën për ta pushtuar Kosovën.
“Ne kemi një ushtri me mbi 100 mijë ushtarë, të cilët janë të përgatitur për të luftuar dhe me kënaqësi do të merrnin pjesë në çlirimin e Kosovës”- ka deklaruar ndër të tjera Nestoroviç.