Connect with us

Kosova

Heqja e dinarit serb në Kosovë, reagon DASH: Vendimi u shpall pa përgatitje

Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë hyrjen në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore për përdorimin e valutave pa u përgatitur plotësisht ndërsa shprehu shqetësimin se kjo mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

“Ne mendojmë se kjo çështje meriton vërtet një shqyrtim më të kujdesshëm, por edhe një diskutim brenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne jemi të shqetësuar se ajo potencialisht do të përshkallëzojë tensionet etnike dhe rezulton problematik për jetën e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”, tha ambasadori amerikan pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Vendimi që hyri ne fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.

Rregullorja nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe kalimtare të lehtësuar, por pa dhënë hollësi për afatin kohor.

“Pra, ne shpresojmë se qeveria do të gjejë një mënyrë për të realizuar atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që do të thotë të ketë një lloj periudhe kalimtare dhe në të cilën ka një ritëm. Dhe disa njohje të sfidave në vend përpara se të zbatohet plotësisht”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se një pjesë e qytetarëve serbë do të përballen me shumë sfida në përfitimet që i marrin.

“Unë mendoj se njerëzit do të ndihen të shkëputur nga një përfitim ku ata mbështeten. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne jemi të shqetësuar për individët dhe jetën e tyre”, tha ambasadori amerikan.

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje të enjten Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore e cila përcakton se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.

Bashkimi Evropian dhe diplomatët në Prishtinë pajtohen që rregullorja “synon të rrisë transparencën financiare, të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, por kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit “derisa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskutoi të mërkurën mbrëma me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për këtë çështje por nuk u dhanë hollësi rreth diskutimeve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë trysni Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan gati një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër./ VOA

Kosova

Dështimi i Kosovës në KiE: Reuten: Gjermania, Franca dhe Italia iu përulen Serbisë

Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka fajësuar Gjermaninë, Francën dhe Italinë për mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Shtetet anëtare, fatkeqësisht një rol të spikatur Gjermania, Franca dhe Italia dogjën përsëri besueshmërinë e tyre dhe iu përulën Serbisë. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe bën pjesë në Këshillin e Evropës, fundi i qetësimit të Vuçiçit tani”, shkroi ai në platformën X.

Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Continue Reading

Kosova

‘Po përpiqen të na ndajnë tërësisht nga Kosova’, Vuçiç takon Patriarkun serb e Dodik-un

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se nuk do pajtohen “kurrë për një Kosovë të pavarur”, teksa dhe ka propaganduar gjoja për “persekutim” të serbëve të Kosovës.

Këto komente, Vuçiç i ka bërë pas një takimi me Patrikun serb Porfirije dhe Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

“Çdo ditë në mënyra të ndryshme ata po përpiqen, jo vetëm nga zemra e nga shpirti, por edhe fizikisht, ta ndajnë tërësisht Kosovën nga ne. Populli ynë në Kosovë është i ekspozuar ndaj persekutimit brutal që nuk do të ndalet lehtë” – propagandoi Vucic

Ai theksoi gjithashtu se “do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet politike dhe do të bëjmë gjithçka për popullin tonë në Kosovë dhe natyrisht nuk do të pajtohemi kurrë për një Kosovë të pavarur”.

Përveç kësaj, kreu i Serbisë ka njoftuar se me Porfirje-n dhe Dodik-un kanë folur edhe për rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë që pritet të miratohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila kundërshtohet nga Vuçiç dhe vartësit e tij.

“Shpreha mirënjohjen time për faktin që po merren me çështjen e rezoluta e imponuar për Srebrenicën, si çështje kyçe për mbijetesën e popullit serb. Edhe pse ne kemi luftuar dhe kemi investuar energji të jashtëzakonshme për t’i kundërshtuar sa më fort dhe fuqishëm, pa forcën dhe mbështetjen tuaj nuk do ta kishim bërë”, propagandoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

Britanikët po përdorin një truk të ri, Vuçiç zbulon se ia ka frikën Greqisë se mund të njohë Kosovën

Aleksandër Vuçiç e thotë hapur: “kundërshtarët e Serbisë janë Berlini, Londra dhe Uashingtoni”.

Duke folur për rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë, presidenti serb pretendoi se do të luftojë kundër fuqive të mëdha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por pranoi se në fund, vendi i tij do të humbë.

Vuçiç tha për televizionin publik serb, se për herë të parë Kina do të jetë kundër rezolutës, e cila sipas tij do ti vendosë njollën e gjenocidit popullit serb. Ai pretendon se qëllimi i dokumentit është shfuqizimi i Republika Srpska në Bosnje.

Zemërimin më të madh në rajon e shprehu kundër Malit të Zi për votën pro ndaj rezolutës, ndërsa paralajmëroi ndryshime të mëdha në botë pas 23 majit.

“Çfarë mund të them për Malin e Zi. Meksika do të abstenojë, Nikaragua do të jetë kundër dhe Mali i Zi do të jetë pro. Çfarë mund të them për faktin që Kina do të jetë kundër dhe Mali i Zi pro. Kjo tregon se sa shumë po ndryshon rendi në botë. Pas seancës së OKB-së, do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve në botë, lindjes së një rendi të ri.”

Vuçiç foli për Kosovën duke akuzuar perëndimorët që po lejojnë atë që e konsideroi “vjedhje të territorit”.

Ai pretendoi se Britania po përdor një truk të ri për të mundësuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, që ka të bëjë me kthimin e planit të Ahtisarit për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Presidenti serb u pyet lidhur me mundësinë që ndonjë nga pesë shtetet mos njohëse të Kosovës në Bashkimin Europian të ndryshojnë qëndrim.

“Spanja nuk do të ndryshojë qëndrim për çështjen e Kosovës. Kam frikë nga qëndrimi spanjoll për çështjen e Srebrenicës. Qipro nuk do të ndryshojë qëndrim. Shpresoj që Greqia të mos ndryshojë qëndrim.”

Gjithashtu nënvizoi se u beson verbërisht liderëve të Hungarisë dhe të Sllovakisë, që po merr veten nga atentati ku mbeti I plagosur rëndë, lidhur me çështjen e Kosovës dhe mbështetjen për Serbinë në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Kosova

Kosova jashtë agjendës së KiE/ Gërvalla: Nuk do shkruhet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

Pas takimit të së enjtes të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë institucion nuk ishte në agjendë, nuk u vendos po ashtu as për një seancë të jashtëzakonshme ku mund të votohej për anëtarësimin e vendit.

Kjo ka qenë arsyeja pse ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz thotë se nuk do shkruhet draft-statuti.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, shkroi Gërvalla.

Continue Reading

Kosova

Kosova nuk u përfshi në mbledhjen e KiE/ Osmani optimiste: Çështje kohe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është “çështje kohe”, pasi kërkesa e saj për t’iu bashkuar kësaj organizate të rëndësishme për të drejtat e njeriut nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave i KiE-së.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është vetëm çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, shkroi Osmani në rrjetin social X.

Osmani i bëri këto komente pak orë pasi Komiteti i Ministrave i KiE-së nuk e hodhi në votim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë gjatë një takimi të premten në mëngjes.

Kosova i kishte kaluar tashmë dy faza në procesin e pranimit në këtë KiE, dhe shpresonte që Komiteti i Ministrave – i cili vendos për ta pranuar ose jo një vend – do të votonte të premten për kërkesën e Kosovës.

Por, edhe pse Asambleja Parlamentare të KiE-së dha dritën jeshile që Kosova të pranohej, disa shtete vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Osmani tha se Kosova është “mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë triumf të të drejtave të njeriut pa humbur kohë”.

“Kur të mbërrijmë atje, ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për shtylla të cilat e definojnë KiE-në: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të shërbejmë si dora e shtrirë e Rusisë, e as si shembull i sjelljes autokratike”, shtoi ajo.

Pak ditë para takimit të Komitetit të Ministrave, Qeveria e Kosovës kishte bërë përpjekje për t’i kënaqur vendet skeptike, duke iu drejtuar me një letër Këshillit të Evropës, ku thoshte se zotohej për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për themelimin e Asociacionit.

Osmani tha se nuk ishte konsultuar nga Qeveria për këtë letër dhe se nuk e mbështeste atë.

Ndërkohë, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.

“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo./rel

Continue Reading
Advertisement

TRENDING