Rajon
Daçiç vë duart në Kokë/ BE-ja po e rrit presionin ndaj Serbisë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka potencuar se Bashkimi Evropian ka rritur trysninë ndaj Serbisë pas kërkesës zyrtare për të inkorporuar Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit në kornizën e bisedimeve të Serbisë me Unionin.
“Ka përpjekje që Serbisë t’i imponohet një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare e Unionit, ajo duhet të ketë të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Ohrit dhe Brukseli dhe pjesët e marrëveshjes me të cilën nuk është pajtuaj plotësisht” – tha Daçiç për TV Pink.
Sipas tij, Vuçiç nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.
“Me deklaratën gojore të presidentit të Serbisë, ai u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë se kjo është një lloj njohjeje e Kosovës dhe se jemi dakord që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare” – tha Daçiç.
Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian i dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për të ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok, duke e futur Kapitullin 35.
Me këtë propozim, detyrimet nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe nga Aneksi i zbatimit të saj, të miratuar marsin e kaluar në Ohër, janë formalisht pjesë përbërëse e procesit të negociatave për anëtarësim ndërmjet Beogradit dhe Brukselit.