Kosova
Ule shpatën Bislim/ Von Cramon e shqetësuar për deklaratat
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, tha se është thellësisht e zhgënjyer dhe e shqetësuar për veprimet e autoriteteve të Kosovës, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ tek serbët dhe komunitetet e tjera në Kosovë.
Ajo ka reaguar ndaj kritikave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bisljimi, ndaj të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se ai është i njëanshëm dhe ka thënë se Bashkimi Evropian është “bosi i vetes” dhe se askush në Kosovë nuk mund tju tregojë liderëve të Bashkimit Europian se kush, me kë dhe kur mund te takohen…
“Lajçak është takuar disa herë me të gjithë pjesëmarrësit që mund të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në përputhje me këtë është edhe përfaqësuesi i fundit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian nga Serbia” – ka theksuar Von Cramon në një deklaratë, te cilen edhe e ka publikuar në rrjetin social “X”.
Siç tha ajo, anëtarët e Konventës nuk janë “zëdhënës të Vuçiçit”, por një organizatë joqeveritare që mbështet projektet multietnike dhe punon pa u lodhur për integrimin brenda Kosovës.
Siç theksoi ajo, deklaratat e Bislimit janë jo vetëm të rreme, por edhe të rrezikshme, sepse synojnë individë dhe organizata.
“Është thelbësore të ruhet karakteri multietnik i Kosovës. Ky është thelbi që është futur në planin/Kushtetutën e Ahtisaarit, në bazë të së cilës Perëndimi e ka njohur Kosovën” – potencoi Viola Von Cramon.
Kujtojmë se në një nga reagimet e saj të fundit, europarlamentarja ka thënë se në bisedën me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se “ata ndjehen si qytetarë të dorës së dytë”.
Von Cramon kishte marrë kritika të mëdha edhe në vizitën e fundit të saj në Veri të Kosovës, kur u kishte thënë policëve të Kosovës se “çfarë po kërkoni këtu”, teksa i kishte parë tek patrullonin me armë të gjatë në një kohë aspak stabile në atë pjesë të Kosovës.
Vetëm pak kohë më pas, Serbia organizoi një grup terrorist që tentoi futjen në Kosovë dhe marrjen e një pjesë të Veriut nën kontroll, cka e kishte bërë deklaratën e Von Cramon akoma më të pavend.