Kosova
‘Kurti si Putini’/ Haradinaj: Po e bën më mirë se Rusia destabilizimin e rajonit
Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë Rusinë sa e ka ndihmuar Kurti Putinin. Ka qenë ky reagimi i ashpër i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, në një intervistë duke analizuar situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Sipas tij Kurti është vënë në funksion të agjendës ruse për destabilizim, duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët dhe mbështetësit e Kosovës.
“Që nga marrëveshja e njohur si plani franko-gjerman, qeveria ka bërë kthim prapa, në vend që të shkojë në nivelin e marrëdhënieve drejt anëtarësimit në NATO, duke kërkuar çështje që prishin besimin e krijuar dhe dëmtojnë marrëveshjen e arritur. Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës kishte mund takishte ndihmuar veten më shumë sesa e ka ndihmuar Kurti Putinin” – ka deklaruar Haradinaj
Për ish-kryeministrin Haradinaj çështja e dinarit serb ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët kryesorë të saj duke rrezikuar anëtarësimin në NATO.
“Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë bota nuk është më e njëjtë. Kemi patur premtime të vendimmarrësve amerikanë përfshirë dhe senatorët që vijnë në rajon të niveleve të larta, që me zbatimin e planit franko gjerman Kosovës i hapet perspektiva për integrim në misionet euroatlantike, por Albin Kurti I ka hedhur ‘në erë’ të gjitha oportunitetet” – potencoi Haradinaj
Ai gjithashtu ka perjashtuar mundesine e një mandati të dytë të qeverisë Kurti dhe tregoi për nismën e opozitës së bashkuar, e cila sipas tij do të formojë qeverinë e ardhshme.
“Nuk do t’i japim përkrahje një mandati të dytë të kryeministrit Kurti. Propozimi im që të kemi një listë të përbashkët para zgjedhjeve nuk do të thotë që është dorëzimi ynë, por edhe pas zgjedhjeve ekziston mundësia që opozita të krijojë shumicë. Nuk do të ketë mandat të dytë të qeverisë Kurti, ndërsa opozita e ka edhe në bazë të matjeve të opinionit publik. Qeverinë e ardhshme e krijon opozita” – ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se ‘largimi I Kosovës prej aleatëve të sigurisë, vë në pikëpyetje funksionimin e shtetit në veri.